Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gratë Rome dhe Egjiptiane në vështirësi për aksesin në shërbimet shëndetësore

Autore: Fjori Sinoruka | Citizens Channel 

Xhoana Rustemi, nënë e 5 fëmijëve, vizitat e saj të vetme në spital i ka pasur kur ka qenë shtatzanë për ekografi. Ajo nuk e ka kartën e shëndetit, dokument i cili është i nevojshëm për të kryer vizitat mjekësore.

Njëherë shkova me çunin tek materniteti i ri për të bërë ekon, më kërkuan 15 mijë lekë (të vjetra), s`kisha. Pastaj kërkova ndihmë tek këto gocat dhe ma bënë falas”,- tregon Xhoana për Citizens Channel duke shtuar se për të marrë shërbimet bazike i ishte nevojitur ndihma e aktivisteve të komunitetit.

Veç dokumentave një nga problemet kryesore mbetet edhe mungesa e informacionit, e cila i vendos gratë rome dhe egjiptiane në një pozitë të vështirë.

Xhoana Rustemi

Xhoana tregon se nuk ja ka dalë ta sigurojë vetë kartën e shëndetit: “Këtu ku kena këtë lagjen tonë ne, nuk ma bënë, duhet të shkoj ke lagjja ime (një lagje tjetër)”.

Në këtë situatë, disa vajza dhe gra aktiviste nga komuniteti rom dhe egjiptian, kanë ndërmarrë një iniciativë e cila quhet “Për njëra – tjetrën”, për të asistuar gratë e komunitetit në marrjen e shërbimeve mjekësore, duke i informuar dhe duke i shoqëruar ato në spitale dhe qendra shëndetësore.

Fatjona Caka, një nga aktivistet e këtij grupi shpjegon se dhe në bazë të studimeve të bëra, aksesi i këtij komuniteti në shërbimet mjekësore është i ulët.

“Bazuar në studime të ndryshme 58% e romëve raportohen të mos kenë qasje tek doktori kur është e nevojshme dhe 25% raportuan zero qasje në 12 muajt e fundit. Mes tyre, 38% nuk janë të kënaqur kur u ofrohen shërbime. Në Shqipëri, një pjesë relativisht më e madhe e shtëpive rome (57%) sesa jorome (29%) nuk blejnë dot mjekime me recetë. Gratë rome në Shqipëri bëjnë teste gjinekologjike shumë rrallë, vetëm 48% e tyre konfirmuan pjesëmarrje”, -thotë Caka për Citizens Channel.

Ndërkohë që një studim tjetër i UNDP i titulluar “Vlerësimi i Nevojave të Komuniteteve të Romëve dhe Egjiptianëve në Shqipëri”, tregon se 19.2% e grave rome dhe 10.9% e grave egjiptiane kanë humbur një fëmijë pas lindjes. Shumica dërrmuese e grave kanë lindur në spitale, por 70% e grave rome dhe 46% e grave egjiptiane nuk  kanë bërë vizitat e rregullta me fëmijët e tyre në klinika.

Arsyet që çojnë që gratë rome dhe egjiptiane të mos kenë akses në shërbime shëndetësore janë diskriminimi, gjendja ekonomike dhe shpeshherë barriera teknike në proces.

Aktivistet e komunitetit tregojnë se diskriminimi është gjithashtu një faktor, i cili luan një rol shumë të rëndësishëm në qasjen e këtyre grave drejt institucioneve shëndetësore.

“Në vendin tonë ndoshta nuk qëndron ai diskriminimi i dukshëm dhe agresiv le te themi, por qëndron një diskriminim i tërthorë apo i fshehur shumë i dëmshëm. Nga eksperiencat dhe takimet e shumta me gratë kemi kuptuar që ato janë ndjerë absolutisht të diskriminuara gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore, veçanërisht do të përmendja një çështje, në të cilën ne dhe jemi fokusuar së fundi, është ajo e grave rome dhe egjiptiane  shtatzëna. Gratë na kanë rrëfyer se kur shkojnë për tu vizituar apo për të lindur, ndihen të diferencuara për shkak të veshjes, gjendjes ekonomike apo dhe ngjyrës”, rrëfen aktivistja Fatjona Caka.

Edhe Jeta Pera, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe pjesëtare e grupit “Për njëra – tjetrën” ndan të njëjtën eksperiencë. Bazuar në eksperiencën që ajo ka dhe rrëfimet e grave të komunitetit, aksesi në mjekësi është i vështirë për shkak se pjesa më e madhe nuk kanë një mjek familjeje dhe nuk janë të regjistruara në sistemin elektronik duke u bërë pengesë e parë në këtë proces.

“Por, kjo nuk duhet të jetë arsye kryesore në momentin kur kemi të bëjmë me një grua shtatzanë, e cila sipas ligjit duhet të ketë akses në shërbime shëndetësore. Gjendja ekonomike dhe të jetuarit në varfëri, i bën këto gra më të ekspozuara ndaj risqeve në shtatzani pasi nuk mund të sigurojnë medikamentet e nevojshme që i nevojiten, e për rrjedhojë as foshnjave,” -tregon ajo për Citizens Channel.

Edhe Alma Sulaj, 27 vjeçe nga komuniteti rom në Shqipëri tregon se për të marrë shërbimin mjekësor, e kanë shoqëruar vajzat aktiviste të komunitetit Rom dhe Egjiptian, pjesë e organizimit “Për njëra – tjetrën”.  Kur u pyet nga Citizens Channel se kur ishte hera e fundit që kishte shkuar për një vizitë në spital ajo u përgjigj:

“Çfarë të të them unë, as nuk mbaj mend fare…të enjten, për ekon se s`kam mundësi të shkoj të pagoj , se ne me zor ja dalim me bukë, do shkoj të pagoj 15 mijë lekë (të vjetra), të bëj eko. Shyqyr nga zoti që janë këto vajzat”.

Alma Sulaj

E pyetur se si shkonte kur aktivistet nuk kanë qenë, ajo thotë se nuk shkonte në spital për të kryer vizitat.

“Nuk shkoja, nuk shkoja. Vija për shembull…kur të më kapte dhimbja, më kupton? Se kështu nuk shkoja nëpër spitale, nëpër eko se s`kisha mundësi të shkoja”, -thotë Alma.

Elisabeta Mejdani, aktiviste për të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri tregon se mungesa e kartave të identitetit dhe kartave të shëndetit ndikon negativisht në marrjen e shërbimeve mjekësore të domosdoshme. Elisabeta prej disa vitesh shoqëron gratë dhe vajzat në spitale duke i ndihmuar dhe asistuar ato në marrjen e këtyre shërbimeve dhe kryerjen e vizitave.

“Problematikat që gratë hasin janë mungesa e një karte identitetit dhe karta e shëndetit, gjë që kjo i sjell atyre shumë vështirësi për marrjen e shërbimeve mjekësore”, -thotë ajo për Citizens Channel.

Aktivistet nënvizojnë se mungesa e dokumentave dhe diskriminimi i hasur ndikon shumë negativisht në marrjen e shërbimeve mjekësore dhe i dekurajon ato për të kryer vizita në spitale.

“Ne kemi pasur raste që gratë për këtë arsye kanë lindur vetë në shtëpi….”, thotë Elisabeta.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *