Disa gërma të hedhura me shkrim dore në një fletë të bardhë, shënojnë akt-marrëveshjen mes kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe banorëve të fshatit Shkallë. Letra përmban gjashtë kushte të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që firma të lejohet të gërmojë për të marrë inerte në këtë fshat, pjesë e Bashkisë Klos.

Mes kushteve të dakordësuara në datën 19 nëntor të këtij viti, renditen disa favore për rregullimin e infrastrukturës së fshatit, shtëpive të banorëve si edhe punësimi i njërit prej tyre, por edhe ndalimi i përdorimit të sondave apo minave shpërthyese nga kompania.

Kontrata

Bëmë një ujdi, domethënë një marrëveshje fjale po them…tani ato e kanë shkel marrëveshjen”, – thotë Kryeplaku i fshatit Shkallë, Abudulla Muça.

Banorët tregojnë se gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanisë, kanë qenë të pranishëm edhe efektivë të Policisë së Shtetit.

Kontrata morale nuk është zbatuar nga kompania dhe banorët pohojnë se firma private ka përdorur mina, çka i bën të mendojnë se aty do të ndërtohet gurore.

Unë mendoj se do të ketë një gurore. Jo vetëm unë, po mendoj të gjithë banorët,  për arsye se këto inerte që po marrin janë nga erozioni ndër shekuj dhe s’ka nevojë as për ta ba mina, as për atë sondën as për asgjë. Sonda duhet për të ça shkëmbin”, – pohon më tej Abdulla Muça.

Abdulla Muça, Kryeplaku i fshatit Shkallë, Klos

Përfaqësuesi i IKMT-së (Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), Lutfi Miftari u shpreh për Citizens Channel se kanë kryer inspektime në terren pas ankesave të disa banorëve.

Në krah të djathtë kanë gërmuar rreth 240 metra katrorë, me një volum të papërfillshëm, por që e kanë përdor për të niveluar rrugën e Arbrit dhe rrugët lidhëse”, – u shpreh Miftari për Citizens Channel.

Lidhur me dokumentacionet për lejen e ndërtimit në atë zonë, Miftari u shpreh se do të konsultohet me përfaqësues të kompanisë rreth lejeve që gëzon.

Mbajtja e dokumentacionit aq sa mbajmë ne, do kërkoj dokumentacionin tjetër tek kompania dhe do shikoj ku e kanë vendin e caktuar për të marrë inerte”, – përfundoi Miftari.

Bashkia e Klosit, pas një kërkese për informacion nga Citizens Channel, pohoi se kompania “Gjoka Konstruksion” me datë 08.07.2020 ka kërkuar të marrë leje për shfrytëzimin e mineraleve ndërtimore, por kërkesa nuk është miratuar pasi ka pasur mungesë dokumentacioni.

Bashkia Klos tregon se leja duhet të dërgohet në institucionet përkatëse dhe informon se nuk është në dijeni të statusit të kërkesës nga pala e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.

Përgjigjja nga Bashkia Klos

Eksperti mjedisor, Abdulla Diku pohon ky proces duhet të kishte kaluar përnes një rruge të gjatë ligjore.

Përderisa bëhet fjalë për aktivitet i cili duhet të jetë në fond pyjor, gjëja e parë që bëhet është një raport teknik për heqjen nga fondi pyjor. Pra, kompania “Gjoka Konstruksion” duhet të bëjë një kërkesë drejt Bashkisë Klos që kjo sipërfaqe të hiqet nga fondi pyjor. Mbi këtë bëhet një raport teknik dhe më tej vazhdon krejt procedura e dhënies së lejes përkatëse për gurore, nëse do të miratohet”.

Pjesë e procedurës ligjore është dhe hartimi i një raporti për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ku më pas vlerësohet nëse do të lëshohet leja apo jo, konstaton eksperti Diku.

Ky është një vend i cili nuk është bazuar në ndonjë projekt zhvillimi. Pra, është thjesht një pikë interesante për kompaninë, me kosto të ulët, për të marrë materiale inerte këtu dhe për t’i përdorur për qëllimet e veta, për të përfituar vetë”, – thekson Abdulla Diku.

Ndikimet në mjedis

Gërmimi i materialeve me anë të makinerive të tonazhit të lartë po bëhet shumë pranë shtëpive të banuara, ndërkohë që përdorimi i minave apo shpimet, ndikojnë tek burimet minerare.

Gjithë këto burime ujore që janë rreth këtij vendi këtu, do të humbin, janë burime të cilat  banorët i kanë të trashëguara prej shekujsh, i përdorin prej shekujsh por aktivitete të tilla minerare, plasja e minave, shpimet shkaktojnë dridhje të mëdha, saqë duke qenë se ky është shkëmb gëlqeror, burimet minerare do të zhduken”, – shpjegon eksperti Diku.

Abdulla Diku, ekspert mjedisor

Afër zonës ku po kryhen punimet ndodhen qendra historike, që mund të shërbejnë për të nxitur turizmin.

Ky është ndër fshatrat më të vjetër të gjithë luginës së Matit. Shumë afër këtu është shpella e shkrume, shpellë me piktograme që tregon se njerëzit kanë jetuar 3000-4000 vjet më para këtu. Pas këtij shkëmbit ku ne jemi, është kalaja e vjetër ilire, rreth 2500-vjeçare. Përballë nesh është Kalaja e Petralbës gjithashtu, një atraksion shumë i rëndësishëm historik për gjithë kombin shqiptar”, – përmbyll Abdulla Diku.

Të pyetur nga Citizens Channel, banorët tregojnë se makineritë kanë vijuar punimet për të marrë inerte edhe gjatë ditës së sotme.

Leave a Reply