Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Procesionarja, insekti i cili ka pushtuar pishat në Shqipëri 

Procesinarja është një insekt, i cili ka pushtuar pishat në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Ajo lëshon rreth 70-300 vezë në majat e degëve të pishës, të cilat më pas kthehen në larva.

Larvat qëndrojnë në pishë gjatë periudhës së ftohtë të vjeshtës dhe dimrit në një topth mëndafshi, ku ushqehen me gjethet e saj.

Më pas ato zhvendosen në tokë, ku kalojnë një fazë të rëndësishme të jetës së tyre si pupa, për tu kthyer më pas në flutura dhe për të vazhduar ciklin.

Pas rritjes së temperaturave, larvat zbresin në tokë për të kalua një fazë të rëndësishme të jetës së tyre/ Foto: Abdulla Diku

Ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturës ka bërë që ky insekt të përhapet më lehtë.

Meqenëse po përjetojmë në një shkallë të madhe të ndryshimet klimatike, cikli i jetës së këtij insekti është përmirësuar tashmë, ka më pak dimër, gjë që i ka dhënë avantazh për të lëshuar më shumë gjenerata dhe për të gjetur kushte më të  përshtatshme për hapje”, – thotë eksperti mjedisor Abdulla Diku për Citizens Channel.

Dëmi më i madh vjen gjatë periudhës kur proçesionarja e pishës është në stadin e të qenit larvë.

Problemi më i madh është se shkakton çgjethëzimin, pra, hanë halat e pishës dhe shkakton ngadalësim të procesit të rritjes së drurit dhe në raste të veçanta dhe tharjen e tij”, – thotë më tej Abdulla Diku.

Ky problem prek pishën e zezë, disa lloje të cedrave dhe drurin e Rrobullit.

Si mund të luftohet ky insekt?

Eksperti Diku pohon se ka disa mënyra efikase për të luftuar këtë insekt.

Një ndër to dhe më e famshmja që po përdoret gjithkund në rajonin e Mesdheut, është një insekt, quhet Kalosoma, e cila kultivohet në laboratorë dhe më pas lëshohet në natyrë, për tu ushqyer pikërisht me larvat e proçesionares së pishës”.

Insekti Kalosoma që lufton proçesionaren e pishës

Po ashtu, ekzistojnë forma të tjera që mund ndihmojnë në reduktimin e këtij insekti.

Një mënyrë tjetër për ta luftuar është me një lloj bakteri, quhet Bacillus thuringiensis i cili si të thuash paraziton vezët dhe larvat në fazat e para të jetës. Më tej janë disa zogj, shpendë, të cilët ushqehen me larvat ose fluturën. Lakuriqet e natës për shembull ushqehen me fluturën e rritur, ajo që ushqen vezët. Po kështu, disa lloje të tjera zogjsh ushqehen edhe me larvat por edhe me fluturën”, – shpjegon në vijim Diku.

Abdulla Diku, ekspert mjedisor

Ky problem është evidentuar edhe më herët në Shqipëri. Në vitin 2015, Lufti Miftari, shef i zonave të në qarkun e Dibrës, u shpreh se do të organizoheshin për ta “mundur” këtë insekt përmes prerjes së degëve ku qëndrojnë larvat gjatë fazës së vjeshtës dhe dimrit.

Abdulla Diku tregon se kjo mënyrë, e quajtur “lufta mekanike” nuk është efikase.

Është një proces që ka shumë kosto të madhe. Duhet organizuar njëherësh në gjithë vendin sepse nëse nuk bëhet, flutura ka mundësi të shkojë nga një vend në vendin tjetër. Pra, ti mund ta pastrosh këtë vit por vitin do të jetë përsëri e njëjtë situata, kështu që pothuajse tashmë në gjithë botën, lufta mekanike nuk konsiderohet më si efektive”.

Exit.al informon se 8 parqe kombëtare janë prekur nga ky insekt. Ministri i Mjedisit Blendi Klosi gjithashtu shpjegoi se rreth 30% e sipërfaqes me pisha është prekur nga proçesionarja.

Sipas ekspertit Diku, kjo ka ardhur pasi proçesionarja e pishës ka gjetur një terren të mirë për t’u zhvilluar.

Ka vite, dekada që nuk merremi me këtë dëmtues dhe ky tani ka gjetur kushtet e tij optimale. Askush nuk e lufton përveç ndonjë dëmtuesi natyral, biologjik ndërkohë që kontrolli apo menaxhimi nga ana jonë është pothuajse i papërfillshëm”, – përfundon ai.

Ministri Klosi pohoi në fund të muajit maj të këtij viti, se po punohej për të shumuar insektin Kalosoma, që lufton proçesionaren e pishës, sjellë nga Turqia.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *