Foto: Sindikata "Solidariteti"

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka rekomanduar të mos përdoren kamerat e vëzhgimit CCTV për operatorët e kompaninë call center “Teleperformance”, të cilët po zhvillojnë procesin e punës në shtëpi.

Lidhur me qëllimin e verifikimit të shërbimit, Zyra e Komisionerit vlerëson se kamera e vëzhgimit nuk mund të përdoret për mbikëqyrjen e një punonjësi në vendin e punës, vendosja e kamerave në ambientin e punës së punonjësve (zyrë apo shtëpi me qëllim mbikëqyrjen)”– thuhet në rekomandim.

Kjo përgjigje vjen thuajse dy muaj pasi ky shqetësim u adresua nga sindikata “Solidariteti”, e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin e Call Center, duke e konsideruan vendosjen e kamerës brenda shtëpisë një shkelje të privatësisë së operatorëve dhe familjarëve të tyre.

Përmes kontratës së nënshkruar WAHA (Agjentët që punojnë në shtëpi), parashtrohet dhe furnizimi me disa pajisje teknologjike që do të mundësojnë zhvendosjen e procesit të punës në shtëpi, si pasojë e pandemisë Covid-19, ku përfshihet edhe një kamera.

Kamera do të mundësohej nga kompania “Teleperformance” për të komunikuar me supervizorin por edhe verifikuar procesin e punës nga operatorët.

Foto: Sindikata Solidariteti

Vetë sindikata e ka mirëpritur rekomandimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ka përsëritur kërkesën ndaj kompanisë “Teleperformance” që të heqë kamerat nga shtëpitë e operatorëve.

https://www.facebook.com/sindikatasolidariteti/posts/732258484374480

Pas reagimit, kamerat nuk janë funksionale

Besmir Malo, operator i “Teleperformace” e njëkohësisht dhe anëtar bordi i sindikatës “Solidariteti”, pohon se kamerat nuk janë vënë në punë, pasi ka pasur reagim, por megjithatë pohon se kompania nuk i ka tërhequr ato.

Për momentin është ndalur shpërndarja e kamerave. Që nga muaji që ne kemi reaguar normalisht që nuk ka qenë ai presioni i brendshëm. Nuk po na kërkojnë më t’i vëmë, nuk kanë argumente”, u shpreh ai për Citizens Channel.

Malo shpjegon se janë afërisht 2500 punëtorë të punësuar në ketë kompani në Shqipëri dhe një numër i konsiderueshëm po e zhvillon procesin e punës në shtëpi. “Teleperformace”, vijon ai, “i ka të gjitha mundësitë për të mbikëqyrur procesin e punës, pa pasur nevojë për kamera.”

Besmir Malo, operator i “Teleperformace” dhe anëtar bordi i sindikatës “Solidariteti”

Ne, që në ndezjen e kompjuterit jemi të kontrolluar, së pari. Log-ojmë në sistemet tona, që flitet për orarin e punës. Kanë sisteme të cilat ne kemi një platformë të brendshme. Edhe frymë kur marrim, shpesh herë themi midis kolegësh, të lutem hiqe mikrofonin sepse duke fryrë, ndjehet edhe zhurma”.

Ajo çfarë i shqetëson më së shumti operatorët lidhet me privatësinë e familjarëve të tyre.

Unë për shembull personalisht e kam përshtat vendin e punës te dhoma e gjumit. Jam një çik ngushtë, jam me pleq brenda, kam kalamaj. Aty fëmijët e mi bëjnë detyrat, aty ndërrohen kur vijnë nga shkolla ose kur ikin në shkollë”, – artikulon Vladimir Agalliu, operator i “Teleperformacës” në Durrës dhe anëtar bordi i sindikatës “Solidariteti”. 

Vladimir Agalliu, operator i “Teleperformacës” në Durrës dhe anëtar bordi i sindikatës “Solidariteti”

“Unë jam pasdite në punë, gruaja është paradite, punojmë në të njëjtën kompani te “Teleperformanca”, është e pamundur që fëmijët  apo dikush tjetër ta evitojë kamerën”, – përfundon ai Agalliu.

Operatorja Barbara Meçaj pretendon se u pushua nga “Teleperformace” pasi refuzoi të vendoste kamera në shtëpi

Barbara Meçaj është pushuar nga “Teleperformace” në datë 22.12.2020 me motivacionin se ka kryer veprime abuzive dhe të paautorizuara, që kanë sjellë humbje financiare për kompaninë.

Meçaj pretendon se heqja e saj nga puna erdhi pasi ajo denoncoi përmes faqes zyrtare të sindikatës “Solidariteti” praktikën e vendosjes së kamerës brenda mjediseve të shtëpisë.

Unë jetoj në një shtëpi relativisht të vogël, jetoj me familjarë dhe e kam të pamundur që të punoj duke pasur survejimin e kamerave. Mua më duket e paarsyeshme që të punoj në atë lloj forme”, – tha Meçe përmes një video mesazhi në 23 nëntor, para se të hiqej nga puna.

Unë jam njoftuar për shkëputjen nga puna pesë ditë pasi unë kam dalë publikisht, që kam kundërshtuar politikat e kompanisë për vendosjen e kamerave në ambiente private”, – pohoi ajo gjatë një interviste për Top Channel.

Kompania Teleperformance nuk ju përgjigj telefonatave dhe kërkesave për reagim nga Citizens Channel, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu