Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

AMA i tërheq vëmendjen Top Channel; Aktivistja Kuçi: “Nuk mund të bësh klikime mbi dinjitetin e njerëzve”

Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) ka konstatuar se emisioni i datës 4 janar, 2021 përcjellë në programin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku jepet me zë dhe figurë dëshmia e një të mituri rreth vrasjes së nënës dhe tezes së tij, përbën shkelje të rëndë të Kodit të Transmetimit.

Pas ankesës së depozituar nga aktivistja Liri Kuçi, AMA i ka tërhequr vëmendjen Top Channel dhe ka kërkuar të respektohet Kodi i Transmetimit si dhe të kenë parasysh interesin më të lartë të fëmijës. (Përgjigjja e AMA-s këtu)

Autoriteti i Medias Audivizive njofton se në rast se përsëritet një shkelje e tillë, do të përcillet për sanksion, sipas parashikimeve ligjore dhe ndalon ritransmetimin e asaj interviste. Megjithatë, materiali filmik ndodhet ende në YouTube.

Intervista e të miturit si dëshmitar i ngjarjes, është kryer në shtëpinë ku ka ndodhur krimi nga Përparim Tela, ku mund të shikohen ende shenjat e gjakut, pak ditë pas kryerjes së këtij akti.

Këshilli i ankesave çmon se intervistimi i të miturit në kushtet ku ai rrëfen ngjarjen e rëndë kriminale, në vendin e ngjarjes, përbën shkelje të rëndë të Kodit të Transmetimit, ndaj nuk duhej të transmetohej. Ky transmetim, veç pasojave të tjera, mund të sjellë dëme serioze për shëndetin e të miturit në kushte kur transmetimet audiovizive duhet të kenë prioritet interesin e fëmijëve”, – shpjegon AMA në përgjigje të ankesës rreth asaj interviste.

Kuçi: “Nuk mund të bësh klikime mbi dinjitetin e njerëzve”

Burokratizimi i këtyre çështjeve me impakt në jetën e njeriut, me shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut që dikur normalizohet në gjuhë e veprimtari institucionale, në fund të ditës kanë për qëllim të na zhveshin nga çfarëdolloj subjektiviteti njerëzor. Andaj, ky rast nuk duhet mbyllur me një përgjigje jokompetente dhe të thatë, por duhet të shërbejë si precedent për rastet e ngjashme”, – thekson aktivistja Kuçi për Citizens Channel.

Nuk mund të bësh klikime mbi dinjitetin e njerëzve, sikurse si organizëm që paguhet nga taksat e qytetarë/eve nuk mund ta marrësh rrogën pa e bërë punën. U duhet kërkuar llogari derisa të vihet e drejta në vend”, – vijon më tej ajo.

Liri Kuçi, aktiviste

Liri Kuçi e konsideron masën “tërheqje vëmendje”  si të pamjaftueshme.

AMA në këtë rast e largon përgjegjësinë nga vetja, duke e deleguar atë diku tjetër, duke mos e referuar siç duhet. Ky lloj burokratizimi dhe zvarritjeje e panevojshme mund të ketë pasoja të pakthyeshme në jetën dhe integritetin e personave të përfshirë, për më tepër kur kemi të bëjmë me të mitur, sidomos kur bëhet fjalë për pasiguri mbi trajtimin e tij psikologjik dhe institucional ne vazhdimësi”.

Përsëritja e shkeljeve të Kodit të Transmetimit

Në muajin maj të vitit të shkuar, për disa ditë radhazi, lajmi i ditës ishte abuzimi seksual që kishte kryer një i moshuar 65-vjeçar, i cili punonte si roje shkolle, ndaj një të miture 15-vjeçare.

Ky lajm ngjalli reagime të shumta, që kulmuan me marshimin e datës 4 qershor, ku mijëra qytetarë u solidarizuan me të gjitha viktimat e abuzimit seksual.

Edhe në këtë rast, media raportoi rreth ngjarjes, duke shkelur Kodin e Etikës dhe atë të transmetimit, duke ekspozuar të dhëna, intervista me familjarët, emrin e shkollës apo pamje të zonës ku e mitura kishte banuar, që çojnë në identifikimin e saj.

AMA, përmes një kthim-përgjigje referuar ankesës rreth raportimeve joetike të medias, pohoi se ka kërkuar nga televizionet të fshijnë apo të ndërpresin kronikat që nuk zbatojnë ligjin nr. 97/2013 “Për median audiovizive në Shqipëri”.

Disa muaj më vonë, kronikat që janë kërkuar për t’u fshirë nga AMA, gjenden ende në kanalet e tyre ne YouTube.

Raportimet joetike kanë bërë që aktivistet e quajtura “kolektivi feminist” të shkruajnë nëpër muret e Tiranës, përfshirë dhe Ministrinë e Arsimit, disa parulla, ku theksohet se viktimat e abuzimit seksual nuk janë fajtore rreth dhunës që ato përjetojnë.

Ti nuk ke faj, faj ka përdhunuesi“, “Pedofilët e kanë vendin në burg, jo në shkollë” ishin disa nga parullat që mbushën muret e shkollave publike, Ministrisë së Arsimit dhe hapësira të tjera, duke targetuar institucionet publike, median dhe shoqërinë si të paafta për të mbrojtur viktimat nga abuzimi dhe ruajta e të dhënave personale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *