Banorët e angazhuar në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj/ Foto: Entenela Ndrevataj

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë ka vendosur në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj, duke shfuqizuar lejen e dhënë nga Enti Rregulltor i Energjisë (ERE) ndaj firmës private “Seka Hydropower”, për HEC-in “Zais” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Gjykata vendosi sot pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë që kishim bërë ne për shfuqizimin e licencës së miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, për HEC-in ‘Zais’. Ai është HEC-i që ndodhet dhe po ndërtohet brenda zonës së mbrojtur”, – u shpreh për Citizens Channel Dorina Ndreka, avokatja e banorëve të Zall-Gjoçajt.

Dorina Ndreka, avokate

Lajmi është pritur me eufori nga aktivistët dhe banorët të cilët qëndronin në pritje të një vendimi pas dyerve të Gjykatës.

Adem Xhokola, nga fshati Gjoçaj, nuk ka munguar në pothuajse asnjë seancë të zhvilluar apo protestë. Ai u shpreh shumë i gëzuar nga ky lajm.

Ne gëzohemi nga vendimi që mori Gjykata sot, për heqjen e licencës për prodhim energjie, që po  bën ajo firma HEC-in në Zall-Gjoçaj. Ne kemi besim që edhe vendimi i ditës së hënë do të jetë në favorin tonë për pëzullim punimesh për HEC-in në Zall-Gjoçaj”, – tha Xhokola për Citizens Channel.

Adem Xhokola, banor i fshatit Gjoçaj

Të tjerë aktivistë rrëfyen se nuk e prisnin një vendim të tillë.

Me thënë të drejtën nuk është se e prisnim, por u gëzova tepër, jashtë mase dhe shyqyr na u dha e drejta edhe ne një herë”, – thotë Alta Koleci.

Alta Koleci, aktiviste

I pranishëm në seancë gjyqësore, aktivisti Dhimitër Koleci, tregon se nuk do të ndalen deri në ndalim të punimeve.

Beteja vazhdon, të shikojmë, ata sot nuk kanë  një leje për prodhim energjie. Ka dy vjet që ne dalim të mërzitur nga gjykata, sot është dita e parë që na jepet e drejta, që ata njerëz nuk janë në rregull, janë në shkelje të plotë të ligjit. Presim seancat e tjera për ndalimin e punimeve”, – përfundoi Koleci.

Dhimitër Koleci, aktivist

Punimet për hidrocentralin “Zais” dhe “Sekë” prekin zonën e mbrojtur të Zall-Gjoçaj, e cila në vitin 2018 është bashkuar me Lurën për të formuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Prej më shumë se dy vitesh, banorët janë organizuar në protesta të vazhdueshme dhe kanë ngritur paralelisht tre padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Raporto

Leave a Reply