Foto: Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

“Elton Debreshi do të jetë emri i përveçëm i përpjekjes sonë të përbashkët për minatorët dhe të gjithë komunitetin”. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës njoftoi përmes faqes zyrtare në rrjetin social Facebook se do të mbështesë si kandidat të pavarur një minator për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 për qarkun e Dibrës.

 

Kandidimi jonë është pikë e sindikatës. Sindikatën e kanë sulmuar në mënyrën më barbare. Kjo do jetë ecuri e Sindikatës. Pavarësisht se kjo është një kandidaturë e pavarur për deputet, por ama do jetë për hallet dhe problemet që i ka shfaqur sindikata, që janë në terren dhe çdo problem që mund të ketë zona e Bulqizës apo Dibra. Kjo është për t’i dhënë më shumë forcë sindikatës. Sindikata është më e rëndësishme se kjo”,- u shpreh Elton Debreshi për Citizens Channel pas njoftimit për kandidaturën e tij.

Debreshi, njëherazi edhe kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar tha se në thelb programi elektoral me të cilin do t’u prezantohet qytetarëve të Bulqizës dhe qarkut të Dibrës do të jetë i njëjtë me atë ç’ka për vite me rradhë ka kërkuar vetë Sindikata.

Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

“Ne kemi një program që kemi pikë së pari statusin e minatorit dhe mirëqenien e qytetit. Nëse qeveria garanton dhe thotë se statusin e minatorit ne e miratojmë, ne japim dorëheqjen se ne jemi në interes të popullsisë, nuk duam ne të shkojmë deputet atje, të rri në karrige se fundja fundit unë jam një minator dhe pjesa ime është këtu në Bulqizë”,-cilësoi Elton Debreshi.

Ai rrëfen se kjo iniciativë nuk ka qenë personale, por e shtyrë nga shumë minatorë dhe qytetarë të tjerë në mbarë Shqipërinë, teksa janë takuar gjatë kohës kur nënshkruhej peticioni për miratimin e statusit të minatorit.

“Një pjesë e mirë e minatorëve që kemi qenë në terrene të ndryshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë duke parë për statusin e minatorit që ne mblodhëm 11 mijë firma dhe shteti po hesht ndaj këtyre firmave të minatorëve, po merret me rentet minerare që të pasurohet edhe më shumë pronarët, dhe minatorët janë lënë në harresë. E vetmja arsye dhe i vetmi zë që mund të jetë mund të jetë minatori për hallin e tij. Kjo ishte dicka që na e kanë kërkuar minatorët në qytete të ndryshme. Nuk është e gjitha nisma jonë”,-sqaron Debreshi për Citizens Channel.

Sipas Debreshit, nisma për të kandiduar vjen edhe si nevojë për shkak të lënies në harresë për kaq vite të problematikave të minatorëve nga përfaqësuesit politikë dhe sindikalistë.

“Po qajmë hallet dhe problemet sepse nuk po na i merr kush përsipër. Deputetët e zonës e dimë shumë mirë kush janë dhe çfarë bëjnë apo çfarë kanë bërë me pjesën tonë. Me partitë që ikin dhe vijnë që kanë premtim statusin dhe nuk kanë bërë asgjë i dimë shumë mirë dhe që e kanë përdorur pjesën e minatorit. Kështu që minatori sot ka ngelur në mëshirë të fatit. Papunësia është në një numër të madh. Ka një kolaps të madh për të gjithë, ndërkohë që miniera është ekonomia e gjithë Shqipërisë, jo vetëm e Bulqizës”.

I pyetur për mundësimin dhe koston ekonomike që kërkon një angazhim i tillë politik, Debreshi rrëfen se është i vetëdijshëm për këtë proces, por ka mbështetjen e aktivistëve dhe mbështetësve nga jashtë vendit.

“Ka kaq vite që këtu votohet me lek dhe ne kemi dalë hapur që lek për të dhënë për fushata ne nuk kemi. Por me kontribute që na vijnë nga jashtë, janë treguar solidarë, sindikatat, aktivistët që janë nëpër botë, që jetojnë në Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali , na kanë mbështetur me kontribute sado që të vogla. Nëse do të vijë puna për të blerë vota, jo ne që nuk kemi shanse, se janë pronarët e galerive që do hidhen me miliona, por nëse ai do mendojë se vota bën 50 mijë lek dhe do vuajë edhe 4 vite të tjera dhe do vuajë edhe fëmija e tij dhe fëmijët e fëmijëve të tij, le ta shesë votën“,-përfundoi Debreshi.

“Në emër të minatorëve…”

Elton Debreshi është brezi i tretë në familjen e tij që ushtron profesionin e minatorit, me gjyshin dhe babain minator prej shumë vitesh.

Për shkak të kushteve të vështira të punës dhe mos adresimit të problematikave të minatorëve nga sindikatat ekzistuese më 17 nëntor u shpall krijimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Në krye të saj u vendos Elton Debreshi.

Fill pas krijimit të Sindikatës së re, kreu i saj Debreshi i hoq nga puna në minierën e kromit në Bulziqë, e cila administrohet nga kompania Albchrome. Kjo solli nisjen e një varg protestash për rikthimin e tij në punë. Protesta këto që u shtuan edhe kur fatin e largimit nga puna e patën edhe tre minatorë të tjerë, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta.

Një hetim i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) në nëntor të vitit 2020 nxori në pah se shkarkimi nga puna e minatorëve erdhi si pasojë e përfshirjes së tyre në sindikatë.

Më 26 nëntor 2020, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës njoftoi nisjen e nënshkrimit të peticionit për miratimin e statusit të minatorit.

Nga udhëtimi në shumë qytete të Shqipërisë, veçanërisht me historik të nxjerrjes dhe përpunimit të minerareve ata arritën të mblidhnin rreth 11.000 firma, të cilat ia dorëzuan Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Raporto

Leave a Reply