Cadra e rezistencës, Zall-Gjoçaj

Banorët e Zall-Gjoçaj i janë drejtuar me një letër të hapur Ambasadorit të Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci dhe Ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreka, për t’u kërkuar atyre mbajtjen e një qëndrimi zyrtar rreth hidrocentraleve që po kryhen brenda Parkut Kombëtar.

Arsyeja pse ata u janë drejtuar dy shtetasve italianë me anë të kësaj letreje të hapur, është sepse firma “Seka Hydropower” që po zhvillon HEC-et “Sekë” dhe “Zais” në zonë të mbrojtur është krijuar dhe administrohet nga shtetas e shoqëri tregtare italiane dhe mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ne kemi besim tek ju që do të mbani një qëndrim zyrtar dinjitoz në lidhje me këtë çështje, pikërisht për faktin që në proces janë përfshirë shoqëri tregtare me aksione që kanë nënshtetësinë e vendeve tuaja, të cilët në shkelje të hapur të ligjit shqiptar dhe ndërkombëtar po dëmtojnë natyrën e vendit tonë”, thuhet në letrën e dërguar nga banorët.

Sipas Dhimitër Kolecit, një ndër aktivistët e angazhuar në mbrojtje të këtij parku, Zall-Gjoçaj nuk është vetëm pasuri e Shqipërisë, por e gjithë Evropës.

Nuk ma merr mendja që ambasadorët janë në dijeni të këtij problemi. Ne presim përgjigje pozitive. Një Park Kombëtar i Shqipërisë është një park edhe i Evropës. Ne jemi në mes të Evropës”, – u shpreh për Citizens Channel Koleci.

Dhimitër Koleci, aktivist

Përmes letrës së dërguar, banorët shprehen se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Këtë të hënë pritet të zhvillohet seanca e radhës pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku janë të paditur Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura.

Paralelisht po zhvillohen dhe dy gjyqe të tjera, me të paditur institucionet shtetërore dhe firma private “Seka Hydropower”. Kalvari i gjatë gjyqësor duket se ka filluar të japë rezultatet e para.

Me datë 15 janar, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj, duke shfuqizuar lejen e dhënë nga Enti Rregulltor i Energjisë (ERE) ndaj firmës private “Seka Hydropower”, për ndërtimin e HEC-in “Zais” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Prej më shumë se dy vitesh, banorët janë organizuar në protesta të vazhdueshme për të mbrojtur zonën e Zall-Gjoçaj, e cila në vitin 2018 u bashkua me Lurën për të formuar Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”, hapësira më e madhe e mbrojtur me ligj.

Raporto

Leave a Reply