Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përgjime, dylbi për SPAK-un dhe shkatërrim i trashëgimisë – Historia e ndërtimeve në Tiranë

Një palë dylbi për SPAK-un ishte “dhurata” që nisma “Thurje” depozitoi sot bashkë më një padi për Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Kallëzimi vjen disa ditë pas publikimit në media të përgjimeve nga persona të lidhur me mafien kalabreze “Ndrangheta”, ku përmendeshin lidhje me Kryeministrin, Kryetarin e Bashkisë dhe shifra prej 20% rryshfet për një leje ndërtimi në kryeqytet.

Sot ne po sjellim dosjen e fundit, dosjen e 1001, nuk sjellim më. Vazhdojmë ende të besojmë se SPAK-u nuk do t’i marrë të gjitha ato investime, para që janë hedhur për drejtësinë e re, nuk do t’i marrë dhe të tregojë 1001 përralla”, – u shpreh drejtuesi i Nismës Thurje Endri Shabani.

Historia e përgjimeve nisi shpejt të kthehet në luftë akuzash e kundër akuzash mes opozitës dhe qeverisë. “Do na bëjnë shokë kopshti me Eskobarin” dhe “Sajesë nga ata që duan t’i bëjnë nënën këtij vendi” janë dy nga batutat që u përdorën për të përqendruar vëmendjen e medias, përkatësisht nga Veliaj dhe Rama.

Citizens Channel sjell një vështrim në të dhënat zyrtare, raportet e organizatave ndërkombëtare dhe studimin në terren të gjendjes së objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore, si një përpjekje për të hedhur dritë rreth historisë së ndërtimeve në Tiranë.

Lejet e ndërtimit në Tiranë 2015-2020

Shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se nga viti 2017 deri në tremujorin e tretë të vitit 2020, rezulton se në total janë dhënë 1207 leje ndërtimi, me një sipërfaqe prej 3.677.409 m2.

Për të kuptuar rritjen e vrullshme, mjafton të analizohet fakti se vetëm në dy vitet 2017 dhe 2018 u dhanë dyfishi i lejeve të ndërtimit krahas pesë-vjeçarit 2012 – 2015.

Sektori e nis rritjen në vitin 2017, kohë e cila përkon edhe me datat e përgjimeve të publikuara, ku eksponentët e krimit flisnin për rikthim të shpejtë të investimit në ndërtime me kosto prej 500 euro m2 që shiten rreth 3-4 mijë euro.

Të njëjtën rritje ka pësuar dhe sipërfaqja e dhënë për këto leje ndërtimi, çka në mungesë të të dhënave të detajuara, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me objekte të vogla banimi por kulla shumëkatëshe.

Të dhënat tregojnë një rritje më shumë se 100-fish të kësaj sipërfaqe, që i ka shtuar qytetit mbi 3 milionë e 220 mijë metra katrorë ndërtim në më pak se tre vite.

Raporti: Në Shqipëri u pastruan 1.6 miliard euro përmes ndërtimit

Një raport i publikuar në korrik të vitit 2020, tregon se 1.6 miliardë euro para të pista janë pastruar përmes sektorit të ndërtimeve në tre vitet e fundit në Shqipëri.

“Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri përllogariti se afërsisht 500 milionë euro janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtshme në vitin 2019. Duke përdorur të njëjtën formulë edhe për vitet 2017 dhe 2018, shifrat respektive janë 320 milionë euro dhe 570 milionë euro. Sipas këtyre përllogaritjeve, del se një shumë totale prej 1.6 miliardë euro në para të pista janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri“,- thuhet në raportin e Global Initiative Against Transnational Organized Crime.

Sipas këtij raporti, nga 141 kompani që fituan leje ndërtimi për ndërtesa më të larta se gjashtë kate për periudhën 2017-2019, 59% nuk kishin burimet financiare për të përfunduar ndërtesat.

Shembja e vilave historike të Tiranës dhe zëvendësimi i tyre me ndërtesa të larta

Citizens Urban Stories” është një iniciativë e Citizens Channel, krijuar si nevojë për të dokumentuar agresionin ndaj historisë dhe kulturës, i cili është ashpërsuar përgjatë viteve të fundit.

Shumë prej vilave në qendrën historike të Tiranës, ndërtuar kryesisht përgjatë periudhës së pushimit italian, janë shembur për të zëvendësuar me qiellgërvishtës. Mjaft godina të tjera janë braktisur dhe nuk gëzojnë mirëmbajtje nga shteti, duke çuar në degradimin e tyre.

“Viktimë” e këtij agresioni është edhe Kulla e Sahatit, simbol i kryeqytetit pak metra larg të cilës po ndërtohen dy kulla betoni.

Edhe vila të cilat gëzojnë status mbrojtjeje, shpesh janë të “humbura” mes pallatesh të reja, të ndërtuara vrullshëm pas rrëzimit të diktaturës.

Në total, Citizens Channel ka dokumentuar shembjen e 15 godinave historike, duke përfshirë dhe shembjen e Teatrit Kombëtar në datë 17 maj, në orët e para të mëngjesit.

Këtu mund të gjeni listën e vilave të zhdukura të Tiranës.

Lorin Kadiu | Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *