Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Indeksi i Korrupsionit: Shqipëria mbetet ndër vendet më të korruptuara në rajon

Megjithëse me një pikë më shumë, Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në rajon edhe për vitin 2020.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020, Shqipëria rënditet në vendin e 104 nga 180 vende të marra në vëzhgim, me një ngjitje prej dy vendesh ne rënditje, krahasuar me vitin 2019, ku mbante vendin e 106. Sa i përket pikëve të grumbulluara, sipas Indeksit të Përceptimit të Korrupsionit, Shqipëria ka mbledhur 36 pikë nga 100 pikë totali, duke marrë një pikë më shumë kundrejt 35 pikëve të marra në vitin 2019.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit rendit 180 shtete nga nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, ndërsa si shkallë matëse përdoret shifra nga 0 deri në 100, ku 0 tregon vendet më të korruptuara dhe 100 vendet më të pastra.

Krahasuar me 4 vitet e fundit, renditja e Shqipërisë është nga të fundit mes shteteve. Në vitin 2018, Shqipëria ishte në pozicionin e 99 nga 180 shtete, me 36 pikë të përftuara. Në vitin 2017, vendi ynë ishte në pozicionin e 91, me 38 pikë të grumbulluara dhe në vitin 2016 grumbulloi 39 pikë.

Vendet fqinje po ashtu vazhdojnë të mbajnë pozicione të ulëta në renditje sa i përket nivelit të korrupsionit. Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore është rajoni i dytë me performancën më të ulët, i prekshëm edhe nga korrupsioni përgjatë pandemisë COVID-19.

Burimi: Transparency International

Kosova ra me 3 vende krahasuar me vitin 2019, në vendin e 104 me 36 pikë, nga vendi 101 krahasuar me një vit më herët.

Maqedonia e Veriut ra me 5 vende, krahasuar me vitin 2019, nga vendi 106 në të 111 në vitin 2020.

Serbia po ashtu ra me 3 vende, nga renditja në vendin 91 në vitin 2019 në vendin e 94 në vitin 2020. Megjithatë, ajo numëron 38 pikë, një pikë më pak se 2019 ku kishte 39 pikë.

“Me rënien e këtij viti me një pikë, Serbia (38) arrin rezultatin më të ulët të saj që prej vitit 2012.  Sfidat më të mëdha të korrupsionit të vendit përfshijnë çështje serioze të rendit të ligjit, erozion të vazhdueshëm demokratik dhe përpjekje për të heshtur zërat kritikë”,-thuhet në raport për Serbinë.

Rënien më të madhe e ka Bosnjë dhe Hercegovina, duke u rënditur në vendin 111, kundrejt vendit 101 që kishte në vitin 2019.

Bosnja dhe Hercegovina ka një ulje të konsiderueshme, duke rënë shtatë pikë që nga viti 2012. Gjatë pandemisë, vendi përjetoi shkelje të shumta të të drejtave të njeriut dhe të punës, si dhe diskriminim në shpërndarjen e ndihmës ekonomike dhe prokurimin e pretenduar të paligjshëm të pajisjeve mjekësore“,-rendit raporti i Indeksit të Perceptimit të Transparencës.

Në krye të indeksit qëndrojnë Danimarka dhe Zelanda e Re, duke marrë 88 pikë nga 100 në total. Ndërsa vendet me pikët më të ulëta janë Siria, Somalia, Sudani Jugor, me nga 14,12 dhe 12 pikë për secilën.

Burimi: Transparency International

Indeksi nënvizon faktin se për vitin 2020 më shumë se 2/3 e shteteve u renditën poshtë 50-ës, gjë që tregon se ka akoma për të bërë për të çrrënjosur korrupsionin. Por edhe vendet me pikët më të larta në indeksin e perceptimit të korrupsionit kanë pasur probleme.

“Në një vit të shënjuar nga pandemia COVID-19, korrupsioni ka minuar shëndetin publik dhe demokracinë dhe në fund të fundit kushtoi jetë.Masave të marra nga qeveritë gjatë pandemisë u mungonte transparenca, kufizuan të drejtat civile dhe u shërbyen interesave private kundrejt të mirës publike”,-thuhet në raport.

Rekomandime nga Transparenca Ndërkombëtare për shtetet: 

Me qëllim zvogëlimin e korrupsionit dhe për t’iu përgjigjur më mirë krizave të ardhshme, Transparenca Ndërkombëtare rekomandon që të gjitha qeveritë:

-Të sigurojnë kontraktime të hapura dhe transparente për të luftuar keq bërjen, identifikuar konfliktet e interesit dhe për të siguruar një çmim të drejtë.

-Të mbrojnë demokracinë dhe promovojnë hapësirën qytetare për të krijuar kushtet e mundshme për t’i kërkuar qeverive të jenë të përgjegjshme

-Të publikojnë të dhëna koherente dhe të garantojnë akes në informacion për të siguruar që publiku të marrë informacion të arritshëm, në kohë dhe kuptimplotë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *