Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zbehja e zotimeve të qeverisë për mbrojtjen e lumit Vjosa i hap rrugë ndërtimit të hidrocentraleve

Qeveria është duke punuar për t’i dhënë formë një projekti të madh kombëtar që është transformimi i gjithë Luginës së Vjosës në një Park Kombëtar, që të frenohet barbarizimi i kësaj mrekullie natyrore përmes ndërtimit pakuptim të hidrocentrale pas hidrocentralesh”.

Kështu shprehej Kryeministri Edi Rama në 13 qershor, viti 2015, në sheshin qendror të Tepelenës. Gjashtë vite më vonë, deklarata e tij vazhdon të mbajë në këmbë vetëm retorikën, teksa shkencëtarë vendas dhe të huaj janë aktivizuar në mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë. Vjosa, prej dekadash, është gjendur vazhdimisht nën presionin e ndërtimit të hidrocentraleve në shtratin e saj.

Jo vetëm Rama, edhe Ministri Klosi, pak javë para zgjedhjeve të 25 prillit, më 28 janar të këtij viti, u shpreh se lumi Vjosë do të gëzojë mbrojtje ligjore.

Deklarata e tij mbetet kontradiktore dhe e pambështetur me një vendim ligjor, duke i lënë hapësirë aludimeve të aktivistëve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare se në Vjosë do të ndërtohen hidrocentrale.

Në këtë deklaratë për shtyp përdoren dy koncepte lidhur statusin e Vjosë në të gjithë rrjedhën e saj prej afro 200 km në Shqipëri: “Park Kombëtar” dhe “Peizazh i Mbrojtur”.

Sipas ligjit nr.81/2017 “Për zonat e mbrojtura” këto dy kategori kanë specifika të ndryshme.

Në një “Park Kombëtar” nuk mund të zhvillosh hidrocentrale, ndërsa në një “Peizazh të mbrojtur” mund të zhvillosh aktivitete ndërtimore me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).

Deklarata e zotit Klosi ishte shumë e paqartë! Në fillimi mendova se ka një problem me përkthimin, pasi flet për një Park Kombëtar dhe një fjali më pas, ai flet për një “Peizazh të mbrojtur” në të gjithë shtrirjen e Vjosës”, – tha për Citizens Channel Ulrich Eichelmann nga organizata ndërkombëtare River Watch.

Ulrich Eichelmann/ River Watch

Eichelmann shpjegon se edhe në Evropë, zonat që gëzojnë statusin “Peizazh i Mbrojtur”, janë më të brishtat sa i përket ndërtimeve.

’Peizazhi i mbrojtur’ është një nga kategoritë më të dobëta, kategoria e pestë, ndërsa “Parku Kombëtar” është kategoria e dytë. Në të gjitha shtetet për të cilat unë jam në dijeni, kategoria “Peizazh i mbrojtur” është mbrojtja me e dobët që mund të ketë. Ka një farë mbrojtjeje, por është shumë e dobët dhe kur vjen puna te ndërtimi i digave, nuk ka asnjë shpresë”.

Nga ana tjetër, Organizata mjedisore EcoAlbania, përmes një reagimi zyrtar pas deklaratës së ministrit Klosi, pohoi se zotërojnë informacione se do të lihet jashtë mbrojtjes pjesën qëndrore të Vjosës, aty ky parashikohen ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit dhe Kalivaçit.

EcoAlbania ka siguruar të dhëna që tregojnë se propozimi i AKZM-së ka lënë jashtë zonës së mbrojtur pjesët më me vlerë të lumit Vjosa, rrjedhën e mesme, pikërisht zonën ku janë planifikuar 2 hidrocentralet e mëdha të Poçemit dhe Kalivaçit. Ndërkohë propozimi synon të deklarojë pjesën e sipërme të lumit një Peizazh të Mbrojtur i cili nuk do të ofronte mbrojtjen e duhur”.

Premtimet për Vjosën, pa asnjë dokument zyrtar

Shpallja e Vjosës Park Kombëtar u premtua edhe gjatë vitit 2020.

Përmes një postimi në Twitter, më 25 shtator 2020, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se e kanë shpallur zonë të mbrojtur pjesën e sipërme të Vjosës dhe po punojnë që e gjithë lugina të shpallet Park Kombëtar.

Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!

— Edi Rama (@ediramaal) September 25, 2020

Pesë muaj më vonë, nuk ka asnjë dokument zyrtar që vërteton postimin e Twitter-it të Ramës.

Një Kryeministër që flet e kemi shpallur pjesën e sipërme e po punojmë për pjesën e poshtme, të nesërmen e asaj ditë duhet të firmoste një vendim ose duhet ta kish firmosur përderisa tha e kam shpallur. Mund të hyni të kontrolloni në Qendrën e Botimeve Zyrtare, ka një fletore zyrtare nëse jemi shtet serioz, dhe aty zbardhen vendimet. S’ka një vendim që e shpall Vjosën Park Kombëtar”, – u shpreh për Citizens Channel Olsi Nika nga EcoAlbania.

Ekspertët: Vjosa duhet të shpallet Park Kombëtar

Olsi Nika përsërit kërkesën për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.

Ne themi që të shpallet Park Kombëtar sepse i ka të gjitha vlerat, se i plotëson të gjitha kriteret ligjore për t’u shpallur Park Kombëtar, sepse ka një listë të caktuar me habitate prioritare sipas direktivave të Bashkimit Evropian, ashtu siç është një thesar për gjithë biodiversitetin e Shqipërisë. Vetëm në ato pak studime që janë bërë janë evidentuar mbi 40 lloje të reja për bio-diversitetin e Shqipërisë”.

Olsi Nika, EcoAlbania

Ulrich Eichelmann shpjegon se Vjosa është lumi më me vlerë në Evropë.

Sepse Vjosa është lumi më i mirë që kemi në Evropë, nuk ka asgjë të ngjashme në gjithë Evropën. Është sikur të kesh katedralen e fundit dhe ta ktheni në një qendër tregtare sepse gjeneron më shumë para. Nuk duhet ta bëni këtë! Edhe nëse ka kuptim të ndërtoni diga, nuk duhet të sakrifikoni lumin më të mirë që keni”.

Nga ana tjetër, ndërtimi i një dige të vetme në Vjosë do shkaktonte dëme të mëdha, vijon më tej Eichelmann.

Nëse ndërtoni një digë të vetme në Vjosë, vizion i një lumit të egër i shpallur Park Kombëtar merr fund. Dhe kjo do të thotë që jo vetëm që do të sjellë dëme katastrofike për lumin, peshqit nuk do mund të lëviznin, sedimentet nuk do të shkonin më në det, plazhet tuaja në Adriatik do të gërryheshin sepse delta është gjithmonë një zonë beteje midis lumi dhe detit”.

Historiku i hidrocentraleve në Vjosë

Duke iu referuar të dhënave të marra nga organizatat ndërkombëtarë, si: “RiverWatch”, “EuroNatur”, “Save the blue heart of Europe” dhe organizatën kombëtare “EcoAlbania”, në Vjosë janë planifikuar të ndërtoheshin 31 hidrocentrale.

Hidrocentrali i parë që u miratua të ndërtohet në lumin Vjosë ishte ai i Kalivaçit. Leja u dha në vitin 1997 por ndërtimet filluan në vitin 2007. Punimet u ndërprenë si pasojë e problemeve të likuidimit me kompaninë nënkontraktore.

Më pas, Qeveria Shqiptare anuloi kontratën e koncesionit në vitin 2017 dhe rihapi tenderin për përfundimit të digës në Kalivaç

Hidrocentrali i Poçemit është një tjetër projekt i shumëdiskutuar. Leja për ndërtimin e një dige iu dha kompanisë turke “Kovlu Energy” në vitin 2016, por pas kërkesash të shumta për informacion, u zbulua se firma private kishte kryer konsultime për këtë hidrocentral me banorë të Fierit.

HEC-et e tjera janë planifikuar të ndërtohen në Luginën e Shushicës, në Luginën e Drinos, në Luginën e Bënçës dhe në Langaricë.

776 shkencëtarëve nga 46 shtete të botës, në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë, nënshkruan peticionin ku kërkohet pushimi i projekteve që do të ngrenë diga në lumin e vetëm të egër në Evropë.

Ky peticion iu drejtua qeverisë shqiptare, përkatësisht Kryeministrit, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai mbetet një ndër peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në rang botëror.

Njëkohësisht, edhe komuniteti u angazhua në protesta të vazhdueshme dhe asnjë hidrocentral nuk është përfunduar.

Lexo materialin e plotë këtu.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *