Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Punimet për hidrocentralet në Zall-Gjoçaj mbulojnë me gurë dhe inerte varrezat 500-vjeçare

Një grup aktivistësh dhe banorësh të Matit u rikthyen në Zall-Gjoçaj të dielën, ku dhe konstatuan se vijimi i punimeve nga firma “Seka Hydropower” për të përfunduar digën brenda Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” ka dëmtuar varrezat shekullorë të fshatit Melth.

Këtu është makabre tani. Urdhëro varrin e hapur. Këtu kam varrezat e të gjithë fisit, të Kolecajve që jemi këtu në këtë lagje, varrezat e vjetra, deri në kohë të vona ka pas varrime këtu. Tani këtu një varr është i mbuluar, shiko një gur që i ka ra varrit, ja ku është varri i hapur. Gurët që kanë ra, nga shpërthimet që bëjnë këtu te rruga. Këtu bëjnë shpërthime me dinamit”, – thotë Dhimitër Koleci për Citizens Channel.

Të tjerë banorë tregojnë se u janë dëmtuar dhe mullinjtë e zonës që i përdorin për të bluar.

Kanali i ujit është bllokuar nga inertet, çka u ka pamundësuar bluarjen e grurit apo të koncentrateve të tjera për bagëtinë, duke i detyruar të shkojnë në Burrel, Kurbnesh ose Dukagjin, me anë të mushkave.

Problemi tjetër, gjaja ma parësore, asht mulliri. Unë kam dhjetë lopë që u bluj koncentrat, kam gjashtë qen të mëdhenj sharr që unë i bluj koncentrat, i ushqej. U bë gati tetë muaj mulliri nuk funksionon fare për punët e firmës”, – sqaron Ismet Koleci, banor i Melthit.

Ismet Koleci, banor i Melthit/ Foto: Entenela Ndrevataj

Hasan Pasha tregon se situata e tanishme nuk përkon me pritshmëritë e tij pas rrëzimit të diktaturës.

Jam shumë i zhgënjyer nga 90-ta e këtej. Kemi luftu për një demokraci të drejtë dhe të ndershme, jo për një demokraci të brishtë”.

https://www.facebook.com/citizenschannel/posts/2559335631036850

Rrugëtimi ligjor vazhdon

Dorina Ndreka avokate e banorëve të Zall-Gjoçaj pohon se do të çojnë një ankesë tek Bashkia e Matit për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në Zall-Gjoçaj.

Në shtator 2020 kemi bërë një kërkesë që të marrim masa, që këta banorë të kenë mundësinë të kenë furnizim me ujë të pijshëm, si një detyrim që e parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore. Bashkia Mat nuk na ka kthyer asnjë përgjigje, kështu që ne tashmë i kemi dërguar një ankesë kësaj radhe, sepse tani jemi edhe para faktit të kryer, banorët tashmë janë pa ujë të pijshëm, nuk furnizohen”, – tha Dorina Ndreka për Citizens Channel.

Dorina Ndreka, avokate, Klinika Ligjore e Ligjit/ Foto: Entenela Ndrevataj

Ndreka njoftoi që do t’i drejtohen edhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shkeljet që po bëhen brenda Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” i formuar në vitin 2018 nga bashkimi i Zall-Gjoçaj me Lurën.

Banorët kanë ngritur në Gjykatë Administrative tre padi ndaj institucioneve shtetërore dhe firmës “Seka Hydropower” për dhënien e lejes për zhvillim hidrocentralesh brenda një Parku Kombëtar të kategorisë së dytë.

Ligji 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” ndalon ndërtimin e një serë veprash, përfshire dhe hidrocentralet brenda kësaj kategorie.

Më 25 janar, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së banorëve të Matit ndaj Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM).

Në këtë kërkesë-padi banorët kërkuan ndalimin e punimeve brenda Parkut Kombëtar, por gjykata shpalli mungesë kompetence për çështjen, duke ia deleguar përgjegjësinë AKZM-së, e cila në këtë rast ishte palë e paditur.

Padia tjetër ndaj Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe “Seka Hydropower” për licencimin e kompanisë për ndërtimin e HEC-it “Sekë” dhe “Zais” mori një tjetër rrjedhë.

Gjykata vendosi shfuqizimin e lejes së licencimit për hidrocentralin “Zais” që po zhvillohet brenda parkut “Lurë – Mali i Dejës” dhe prek lumin Flim.

Në shkurt të këtij viti, 9 banorë të Matit dorëzuan padinë e parë ndaj institucioneve shtetërore për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur me ligj, si dhe kompaninë private “Seka Hydropower” që po zhvillon punimet.

Gjykata Administrative e rrëzoi padinë dhe tashmë çështja është apeluar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *