Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

20 organizata mjedisore i propozojnë qeverisë një plan për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar

Eco Albania dhe 20 organizata mjedisore shqiptare paraqitën sot propozimin për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës tek Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi.

Sipas aktivistëve mjedisorë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk po planifikon të krijojë një park kombëtar,(kategoria II) por një peizazh të mbrojtur, kategoria (V) të kufizuar vetëm në rrjedhën e sipërme të Vjosës. Sipas tyre, seksioni ekologjikisht më i vlefshëm i lumit , i cili është gjithashtu zona ku janë planifikuar hidrocentralet, do të mbetet plotësisht i pambrojtur.

“Tani do të shohim se çfarë dëshiron me të vërtetë qeveria jonë: hidrocentrale apo një park kombëtar“, u shpreh Olsi Nika drejtues i EcoAlbania .

Ulrich Eichelmann nga organizata ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës Riverwatch shprehet se klasifikimi i Vjosës si Park Kombëtar do t’u jepte atyre banorëve të zonës një perspektivë më të mirë ekonomike.

“Të gjithë do të përfitonin nga Parku Kombëtar i Vjosës: Vjosa vetë, kafshët dhe bimët e saj, si dhe njerëzit e rajonit”, citon ai në deklaratë.

Sipas propozimit të dërguar sot, parku kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN (International Union for Conservation of Nature) dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri si dhe degët e paprekura të Vjosës si Bënça dhe Shushica. Në total, Parku Kombëtar i propozuar i Vjosës do të duhet të mbulojë rreth 45,000 hektarë dhe të mbrojë rreth 300 kilometra rrjedhë ujore.

“Kjo do të ishte unike në Evropë dhe Vjosa mund të bëhet Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë”, shkruhet në deklaratën e sotme.

Sipas analizës së grupeve mjedisore, do të duheshin dy vjet për të planifikuar parkun kombëtar. Gjatë kësaj kohe, popullata duhet të përfshihet në proces dhe detaje të tilla si zonimi i saktë duhet të sqarohen. Në vitin 2023, Parku Kombëtar i lumit të parë të egër të Evropës mund të hapet zyrtarisht.

Foto nga EcoAlbania

“Ky lum meriton kategorinë më të lartë të mbrojtjes dhe jo diga! Çdo gjë më pak se një park kombëtar do të ishte e papërshtatshme për Vjosën. Ky lum i fundit i madh i egër në Evropë ka një rëndësi ndërkombëtare. Tani është radha e ministrit të turizmit dhe mjedisit”, thotë Annette Spangenberg, shefe e projekteve në organizatën EuroNatur.

E gjithë vëmendja ndërkombëtare mbi Vjosën

Leonardo Di Caprio postoi në rrjetet e tij sociale një foto me mbishkrimin “Vjosa No Dams” më 18 Nëntor të 2020, ku shkruante se një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës mund të shpëtohet nga zhvillimet e hidrocentraleve. Aktori riktheu në vëmendje të publikut deklaratën e kryeministrit Rama më 25 Shtator ku njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar.

“Në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Zemra Blu” e përmbylli ai postimin.

Ndërsa vetëm pak ditë më parë edhe këngëtarja me famë ndërkombëtare Ellie Goulding i dedikoi një postim lumenjve të fundit të egër të gadishullit Ballkanik duke vlerësuar përpjekjen e kompanisë Patgaonia për t’i shpëtuar ato.

https://www.instagram.com/p/CK_1RFtji2S/?utm_source=ig_web_copy_link

Nisma e 20 organizatave vjen pas një rezistence të gjatë të aktivistëve dhe një sërë premtimesh të pambajtura përfaqësuesve të qeverisë për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve e për të mbrojtur me ligj ekosistemin e lumit Vjosa.

https://www.facebook.com/citizenschannel/posts/2556918201278593

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *