Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kryesimi i OSBE nga Shqipëria u shoqërua me presion ndaj medias dhe sulme të vëzhdueshme ndaj gazetarëve

Raporti “Vlerësimi i të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës teksa Shqipëria kryeson OSBE-në”, përpiluar nga një rrjet organizatash të shoqërisë civile në Shqipëri, ka analizuar performancën e shtetit shqiptar përgjatë vitit 2020 në gjashtë fusha, duke përfshirë dhe lirinë e medias.

Analiza e të dhënave cilësore dhe sasiore të mbledhura tregon se liria e medias gjatë kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria, ka qenë nën presion nga sulmet e vazhdueshme, fizike dhe verbale, ndaj gazetarëve dhe medias online”, shkruhet në raport.

Intimidimi i gazetarëve sipas raportit  është shoqëruar me veprime konkrete, ku media është përballur me: “Përndjekje nga policia me akuza për shpërndarje paniku, mbyllje të faqeve të internetit dhe medias online, përpjekjet e qeverisë për të zgjeruar kompetencat e Këshillit të Etikës dhe të Autoritetit të Mediave Audiovizive për kontrollin e përmbajtjes së medias online, si dhe rënien e të ardhurave”.

Centralizimi i informacionit mbi pandeminë është një kritikë e reflektuar jo vetëm në këtë raport por edhe nga eskpertët e komunikimit dhe medias, duke përfshirë Qendrën Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit.

Komunikimet zyrtare nuk mund të jenë të vetmet kanale informimi për pandeminë, pasi kjo do të çonte në censurë dhe në shtypjen e shqetësimeve legjitime. Gazetarët, media, profesionistët e fushës së mjekësisë, aktivistët e shoqërisë civile dhe publiku në përgjithësi duhet të jenë në gjendje të kritikojnë autoritetet”, shkruhet më tej në raport.

Aksesi në informacion ka pasur sfidat e veta. Referuar raportit në fjalë, organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët kanë pasur vështirësi në marrjen e informacioneve në interes të publikut nga institucione si Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik.

Ky raport nënvizon se gazetarët kanë qenë gjithashtu shënjestër e sulmeve verbale dhe mediat janë sanksionuar me masa administrative. Inspektorati Shëndetësor Shtetëror (ISHSH) gjobiti dy herë Ora News dhe kërkoi mbylljen e aktivitetit të saj.

ISHSH, shkruhet në vijim të materialit, ka aplikuar standarde të dyfishta sa i përket gjobitjes së mediave të tjera që po ashtu kanë thyer aktin normativ.

Dy javë më herët, ISHSH kishte konstatuar të njëjtën problematikë – për prezencë të më shumë se dy personave në studio televizive në programet “Open” në televizionin Top Channel dhe “Klanifornia” në televizionin Klan, po ka vendosur për mosaplikimin e gjobave”.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në Shqipëri, Harlem Desir reagoi në lidhje me kërkesën për ta mbyllur Ora News, duke kërkuar që të mos të ndërpritet sinjali i këtij televizioni.

Duke iu kthyer dy ligjeve që synojnë të rregullojnë mjedisin e medias online në Shqipëri, përkatësisht ai 97/2013 “Për media audiovizive” dhe ligji nr. 9918 të vitit 2008, “Për komunikimet elektronike”, prezantuar ndryshe dhe si “Paketa Anti-Shpifje”, raporti vijëzon:

Qeveria shqiptare duhet të tërhiqet nga përpjekjet për ta vënë përmbajtjen e medias online nën kontroll të enteve administrative, pa garanci për pavarësinë dhe paanësinë e tyre”, si praktikë që bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Rekomandime të tjera

  1. Çdo legjislacion për median duhet të hartohet në mënyrë transparente, në konsultimme gazetarët, shoqërinë civile dhe palë të tjera të interesuara;
  2. Kryeministri dhe çdo politikan tjetër duhet të ndalojnë gjuhën fyese dhe njollosëse ndaj gazetarëve dhe medias online;
  3. Policia e Shtetit duhet të ndalojë referimet ndaj gazetarëve dhe mediave për shpërndarje paniku që frymëzohen nga deklarata politike të kryeministrit ose të çfarëdo politikani tjetër;
  4. Qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin në konsideratë rekomandimin e Komisionit të Venecias dhe mos të miratojë projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” sipas draftit të votuar në dhjetor 2019;
  5. Bazuar në rekomandimin e Komisionit të Venecias, shoqëria civile duhet të punojë për forcimin e një enti vetrregullues të pavarur që përfshin të gjithë palët e interesuara nga komuniteti i medias;
  6. Organizatat e shoqërisë civile në vend duhet të vazhdojnë të monitorojnë shkeljet e lirisë së medias dhe sulmet ndaj gazetarëve;
  7. Gazetarët dhe shoqëria civile duhet t’i forcojnë përpjekjet për të forcuar solidaritetin me punonjësit e medias që bëhen shënjestra sulmesh diskriminuese.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *