Tuba që të shërbejnë për marrjen e ujit/ Foto: Entenela Ndrevataj

Qeveria e Malit të Zi vendosi të pezullojë dhënien e lejeve të reja për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël dhe pohoi se do të rishikohen marrëveshjet koncensionare të deritanishme.

Në dhjetor të vitit 2020, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, tha se qeveria e tij do të merrte masa për të mbrojtur mjedisin, si një ndër politikat për ta kthyer Malin e Zi një shtet ekologjik.

Po ashtu, në nëntor të vitit 2020, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës vendosi të shfuqizojë subvencionet për hidrocentralet e vegjël.

Organizatat e angazhuara në mbrojtje të lumenjve në Bosnje dhe Herzegovinë e quajtën këtë vendim një sukses të madh për të gjithë aktivistët që kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve dhe me trupat e tyre, teksa kanë shpjeguar dëmet që shkaktojnë ato.

Rebelime ndaj ndërtimit të hidrocentraleve u ndeshën edhe në Serbi. Në 15 gusht të vitit 2020, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në fshatin Rakita të Serbisë dhe hoqën tubat e hidrocentraleve në lumin Rakitska.

Në prill të vitit 2020, edhe Kosova, nën udhëheqjen e Vetëvendosjes, bëri një hap pas dhe ndaloi vijimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve gjatë pandemisë.

Me anë të një interviste për Citizens Channel, Avni Zogiani, në atë kohë Ministër i Mjedisit dhe Infrastrukturës, pohoi se pezullimi i përkohshëm i punimeve ishte i qëllimtë dhe saktësoi se ajo periudhë do të shërbente për të rivlerësuar lejet e dhëna, pasi ishin evidentuar një serë shkeljesh.

Trazirat politike bënë që të rrëzohej qeveria me në krye Albin Kurtin, por zgjedhjet e ditës së djeshme konfirmuan fitoren e bindshme të Vetëvendosjes me afro 48% të votave.

Hidrocentralet dhe reagimi i komuniteteve në Shqipëri

Në një konferencë për shtyp në korrik të 2019-tës, Kryeministri Edi Rama u shpreh se hidrocentralet me kapacitete të vogla prodhimi janë të padobishme dhe të dëmshme.

Në vitin 2020, Rama mbajti të njëjtin qëndrim: “Ato në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin pikërisht gjakun e organizmit të vendit duke lënë shpeshherë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, duke lënë shpeshherë komunitete pa mundësinë për të punuar tokën si rezultat i tharjes së burimit, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit”.

Pavarësisht deklaratave të njëpasnjëshme, projektet për ndërtimin e hidrocentraleve nuk kanë ndaluar.

Javët e fundit, Vjosa – lumi i fundit i egër në Evropë, ku janë planifikuar të ndërtohen dhjetra hidrocentrale, është rikthyer sërish në vëmendje.

Blendi Klosi, përmes një deklarate kontradiktore, pohoi se Vjosa do të gëzojë një mbrojtje ligjore, duke përmendur dy koncepte: “Park Kombëtar” dhe “Peizazh i mbrojtur”. Referuar ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” në një zonë të shpallur “Peizazh i mbrojtur” mund të ndërtohen hidrocentrale.

Përfaqësues nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare pohuan për Citizens Channel se premtimet e Qeverisë Shqiptare kanë mbetur vetëm në deklarata parazgjedhore. Olsi Nika nga EcoAlbania u shpreh se ata zotërojnë informacion se në fakt nuk do të gëzojë mbrojtje ligjore e gjithë lugina e Vjosës, por vetëm pjesa e sipërme e saj, duke lënë jashtë zonën qëndrore të lumit, ku janë planifikuar hidrocentrali i Poçemit dhe Kalivaçit.

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga ana e Kryeministrit dhe së fundmi, Ministrit të Mjedisit, ende nuk ka një dokument që verifikon se Vjosa do të shpallet Park Kombëtar.

Në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” po ashtu janë miratuar hidrocentrale. Komuniteti është angazhuar prej më shumë se dy vitesh në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë që do të preken nga HEC-et “Sekë” dhe “Zais”.

Ata kanë ngritur tre padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë por asnjë vendim gjykate nuk ka urdhëruar anulimin e dy hidrocentraleve në një zonë të mbrojtur, kategoria e dytë.

Po ashtu, Citizens Channel ka raportuar rreth organizimit kundër hidrocentraleve nga komunitete të tjera si ai i Madheshit në Mat, Skavicë në Dibër, Kukës dhe Mirditë.

Sipas një vëzhgimi të kryer nga Porta Vendore, në Shqipëri janë miratuar 714 leje për ndërtim të hidrocentraleve. 259 prej këtyre kontratave  janë përfundimtare dhe 132 janë marrëveshje paraprake, të cilat janë nënshkruar 20 vitet e fundit

Një tjetër studim i kryer nga Balkanrivers.net informon se Shqipëria ka shkallën më të lartë të zhvillimeve në sektorin e hidrocentraleve. Aktualisht në vend numërohen 692 hidrocentrale, duke përfshirë 179 ekzistuese, 453 të planifikuara për tu ndërtuar dhe 60 hidrocentrale të cilat janë në ndërtim e sipër.

Raporto

Leave a Reply