Të dhënat e përpunuara nga Reuters tregojnë se Shqipëria ndodhet në shkallën 91% të pikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Ky rezultat e vendos Shqipërinë në zonën e kuqe, mes 2 shteteve të para në Evropë dhe 15 në botë, ku virusi po përhapet më shumë, duke analizuar historikun e shpërndarjes që nga raportimi i rasteve të para në secilin vend.

Çfarë është piku i infeksionit dhe si llogaritet për Shqipërinë?

Përqindja e pikut e paraqitur në tabelat e Reuters tregon se ku është ky vend në krahasim me kulmin më të lartë të shpërthimit të COVID brenda territorit të tij. Pra, nëse një vend ka raportuar 100 infeksione COVID-19 çdo ditë, por tani po raporton vetëm 25 mesatarisht, atëherë ky vend po raporton 25% të numrit maksimal të infeksioneve ditore. Sipas Reuters, kjo tregon se vendi ka bërë një përmirësim nga kulmi i shpërthimit të virusit, por ende ka një rrugë për të bërë për të përmbajtur plotësisht përhapjen e tij.

Në rastin e Shiqipërisë, vendi ynë shënoi për herë të parë shifrën mbi 1000 raste të reja të prekur me COVID-19 më 3 shkurt 2021, me 1007 raste të reja. Ndërsa shifrën më të lartë deri më tani e ka regjistruar në 9 shkurt 2021, me 1239 raste të reja në ditë të prekur nga virusi.

Burimi: Coronavirus.al/ 9 shkurt 2021

Llogaritja e Reuters krahason mesataren javore të infektimeve (1001 raste) me pikun e infektimeve (1239 në datën 9 shkurt), formulë nga e cila rezulton se Shqipëria është aktualisht në 91% të pikut të infektimit.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të publikuara në Reuters, ka në total 95,726 qytetarë të infektuar nga COVID-19 dhe 1,600 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Situata në Ballkan

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, vendi ynë momentalisht është i vetmi, i cili pasqyrohet në hartë me ngjyrën e kuqe, duke shënuar përqindjen më të lartë të pikut. Vendet e tjera kanë një përqindje më të ulët se vendi ynë, duke nisur nga Mali i Zi me 76% të pikut, Serbia 25% të pikut, Maqedonia e Veriut 27% të pikut, Bosnjë dhe Hercegovina 18% të pikut, Kroacia 8% të pikut, Bullgaria 27% të pikut, Rumania 27% të pikut dhe  Greqia 38% të pikut.

Më pak se 0.1% e popullsisë është vaksinuar

Procesi zyrtar i vaksinimit në vendin tonë nisi më 11 janar. Prej asaj dite kanë marrë dozën e plotë të vaksinës vetëm 558 mjekë, infermierë dhe epidemiologë që shërbejnë në vijën e parë të shërbimit mjekësor.

Në çeljen e vitin 2021 Kryeministri Rama shpalli fushatën “Shqipëria Buzëqesh” ku njoftoi sigurimin e 500 mijë dozave të para të vaksinës Pfizer nga një kontratë e lidhur me vetë kompaninë.

Më 11 janar, qeveria konfirmoi nisjen e vaksinimit të mjekëve të parë shqiptarë, por jo me vaksinën e siguruar me marrëveshjen direkt me kompaninë Pfizer. Vaksina e kompanisë Pfizer ishte donacion nga një shtet i Bashkimit Evropian, të cilin kryeministri Rama nuk preferoi ta bënte publik.

Në 1 shkurt 2021 u pritën 1170 vaksinat e kontratës me kompaninë Pfizer në Rinas, ndërsa më 15 shkurt erdhën edhe 1170 doza të tjera.

Referuar të dhënave të publikuaa nga Reuters, Shqipëria ka administruar të paktën 1,701 doza të vaksinave COVID deri më tani. Duke supozuar se çdo person ka nevojë për 2 doza, janë vaksinuar më pak se 0.1% të popullsisë së vendit.

Gjatë javës së fundit të raportuar, Shqipëria ka administruar mesatarisht rreth 75 doza çdo ditë. Me këtë ritëm do të duhen edhe 7,612 ditë për të administruar doza të mjaftueshme për 10% të popullsisë.

Vendet që kanë administruar më shumë doza vaksine

Sipas Reuters, Gjibraltari udhëheq botën dhe ka administruar mjaftueshëm doza vaksine për 40% të popullsisë së tij, duke supozuar se çdo person ka nevojë për dy doza. Ndërsa vendet që kanë administruar më shumë doza vaksine në vijim janë:

  • Izraeli ka vaksinuar 38% të popullsisë
  • Emiratet e Bashkuara kanë vaksinuar 27% të popullsisë
  • Mbretëria e Bashkuar ka vaksinuar 12.3% të popullsisë
  • Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vaksinuar 8.6 % të popullsisë
  • Bahrain ka vaksinuar 7.8 % të popullsisë
  • Serbia ka vaksinuar 6.8% të popullsisë
  • Kili ka vaksinuar 6.3% të popullsisë
  • Danimarka ka vaksinuar 3.8% të popullsisë
  • Rumania ka vaksinuar 3.2% të popullsisë
  • Zvicra ka vaksinuar 3.2% të popullsisë
  • Turqia ka vaksinuar 3.1% të popullsisë
  • Lituania ka vaksinuar 3.1% të popullsisë
Burimi: Reuters

Nga 240 vende të vëzhguara, 16 vende janë pranë kulmit të infeksionit. Mes tyre renditen:

  • Kuba me 91 % të pikut të infeksionit
  • Shqipëria po ashtu me 91% të pikut të infeksionit
  • Maldives me 92%
  • Kuvajti me 95%
  • Paraguai me 94%
  • Sudani Jugor me 97%
  • Xhamaika në pikun e infeksionit momentalisht

Raporto

Leave a Reply