12 banorë dhe aktivistë të angazhuar në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj në Mat paditën sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) Ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, Kryetarin e Bashkisë së Matit Agron Malaj, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej.

Bashkë me përfaqësuesit e institucioneve të mësipërme, janë paditur dhe shoqëria “Seka Hydropower” Sh.p.k, Halit Kamberi, specialist për hartimin e raporteve të ndikimit në mjedis dhe Edison Konomi, me detyrë Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Ne kemi dorëzuar një kallëzim penal për zyrtarët e lartë shtetërorë, si dhe shoqërinë “Seka Hydropower” të cilët në bashkëpunim midis tyre kanë konsumuar disa vepra penale, përfshirë shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh deri tek vepra e dhunimit të varreve”, – tha avokati i banorëve, Tauland Asllanaj.

Asllanaj konstaton se deklaratat e institucioneve zyrtare bien në kontradiktë me situatën në terren, ku po ndërtohet diga brenda Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës“.

“Rasti më flagrant është një shkresë e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Z. Saimir Dedej, i cili zyrtarisht na ka pohuar neve që brenda Parkut nuk ka asnjë mjet të firmës, nuk ka asnjë punëtor dhe e kanë situatën në monitorim. Nga informacionet që ne kemi rezulton që mbi dy kilometra në brendësi të Parkut Kombëtar është ndërtuar vepër e marrjes, një vepër tërësisht me beton”.

Përgjigja institucionale për ndërtimet brenda parkut/ Foto: Erisa Kryeziu

Paralelisht, u zhvillua dhe një takim në platformën Zoom, i cili u transmetua në një faqe të murit përballë SPAK-ut, ku aktivistë, ekspertë dhe individë të tjerë që e kanë ndjekur kauzën për mbrojtjen e lumenjve ndanë këndvështrimet rreth kësaj çështjeje.

Të pranishëm për të dorëzuar kallëzimin ishin dhe aktivistët dhe banorët që preken nga dy hidrocentralet “Sekë” dhe “Zais”.

Këto institucione, disa nga këto, po shkelin ligjet në flagrancë. Sepse ligji thotë që në Park Kombëtar nuk lejohen të bahen punime, kur këto vazhdojnë dhe po shkatërrojnë parkun kombëtar”, – tha Adem Xhokola.

Dhimitër Koleci, nga fshati Melth, i angazhuar prej më shumë se dy vitesh në mbrojtje të Zall-Gjoçaj, u shpreh se pret drejtësi nga SPAK-u.

Ne sot, banorët që prekemi nga marrja e ujërave të dy lumenjve nga hidrocentralet, pas shumë betejave gjyqësore, administrative në shkallën e dytë, i drejtohemi SPAK-ut që të kërkojmë të drejtën tonë dhe të merret parasysh kërkesa për të vënë para përgjegjësisë ata që kanë shkelur ligjin”.

Hasan Pasha, 72 vjeç, nga zona e Gjoçajve, artikulon se është një turp i madh gjithë çfarë po ndodh në një zonë të mbrojtur.

Atje është një mjedis jo i Ballkanit, por i Evropës. Është një Park Kombëtar shumë i bukur. Janë ujëvarat më të mrekullueshme në Shqipëri dhe në vendet e Evropës. Është një turp i madh që po i bëhet këtij vendi”.

Raporto

Leave a Reply