Një raport i publikuar pak ditë më parë nga “Civil Rights Defenders”, analizon ndikimin e pandemisë në Shqipëri në fushat e të drejtave të njeriut, përfshirjen civile, proceset demokratike dhe lirinë e medias.

Pas zbulimit të rasteve të para në fillim të muajit mars në vitin 2020, Qeveria Shqiptare ndaloi një serë aktivitetesh përmes Aktit Normative të datës 15.03.2020, ndër to edhe të drejtën e tubimit. Shkelja e këtij akti shoqërohej me gjobitje prej 50 milion lekë të vjetra.

Pavarësisht ndalimit me ligj, u zhvilluan disa protesta, ku shumica u shpërndanë me dhunë nga policia.

Raporti i përgatitur nga ekspertja Irena Dule, sjell në vëmendje shembjen e Teatrit Kombëtar në datë 17 maj, në orën 4.30 të mëngjesit duke argumentuar se masat shtrënguese u përdoren si mekanizëm për të çuar në fund shembjen e godinës historike.

Prishja e teatrit u bë në një kohë kur protestat u ndaluan, në një kohë të papërshtatshme në mëngjes herët, mbështetur nga mbi një mijë oficerë policie, ndërsa artistë dhe aktivistë ishin brenda ndërtesës, duke përfituar nga fakti që njerëzit nuk ishin në gjendje ose kishin frikë të marrin pjesë në protesta”.

Nga ana tjetër, Akti Normativ ndaloi dhe aktivitete të tjera, si ato sportive, kulturore, konferencat, grumbullimet masive në vende të mbyllura dhe të hapura si dhe koncertet, tubime dhe dëgjesa publike.

Raporti tregon si politikanët në Shqipëri i kanë shkelur këto rregulla, duke sjellë në vëmendje tubimet që ka bërë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në inaugurimin e parkut “Rinia” apo zhvillimin e koncerteve pranë Liqenit artificial.

Publikimi hedh dritë mbi ndalimin dhe shpërndarjen e shumë protestave të cilat ishin kritike ndaj qeverisë dhe lejimin e disa tubimeve të tjera që nuk kishin target institucione të caktuara shtetërore.

Është e qartë që organet publike përdorën masat kufizuese për të shtypur në mënyrë përzgjedhëse ato protesta që synonin kundërshtimin e shtetit. Në këtë mënyrë, duket se ligji u kthye në një mekanizëm kontrolli, sesa në një mekanizëm që synon të mbrojë interesat e qytetarëve”.

Por, krahas ndalimit të protestave, punimet e projekteve të Partneritetit – Publik – Privat vijuan normalisht.

Shtypja e protestave duhet të ishte shoqëruar me një pezullim të aktivitetit të partneritetit publik-privat, të cilat ishin më parë të kontestuara ose të diskutueshme, për të ruajtur një ekuilibër të drejtë midis zhvillimit dhe të drejtës së publikut për të mbrojtur interesat e tyre”.

Liria e medias

Akti Normativ ndaloi dhe grumbullimin e më shumë se tre personave në studio televizive, ku dhe lajmëroi gjobitjen me 10 milion lekë të vjetra për shkelësit e këtij urdhri. Në rast përsëritje, akti parashikon bllokimin e pjesshëm ose të plotë të transmetimit.

RTV Ora u gjobit dy herë dhe u urdhërua ndërprerja e transmetimit.

Vendosja e tillë e dy gjobave në shumën e dhënë, brenda një kohe kaq të shkurtër (në dy ditë rresht), konsiston në këtë rast në një shkelje të lirisë së shprehjes”, shkruhet në vijim në raport.

Shkelja e lirisë së shtypit u vu re edhe gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Kufizime u vendosën edhe për gazetarët, të cilëve nuk u lejohej të afroheshin në vendin e ngjarjes dhe ata që ishin të pranishëm ishin subjekt i dhunës. I tillë ishte rasti i gazetarit M.Z., i cili u gjobit dhe u dhunua nga oficerët e policisë teksa e shoqëruan në stacionin e policisë”, shkruhet në raport.

E drejta e aksesit në informacionet publike ishte një tjetër problem i ngritu nga ky raport.

Gjatë gjendjes së katastrofës natyrore, institucionet më aktive, siç janë Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet vartëse të saj, nuk e respektuan të drejtën e informimit. Gazetarët investigues konfirmojnë se vazhdimisht kanë kërkuar informacion nga këto institucione, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje në shumicën e rasteve”.

Raporto

Leave a Reply