Fshati Vrithë

Fshati Vrithë ndodhet 24 km larg nga Kopliku, qendra e Malësisë së Madhe dhe është në zemër të Parkut Natyror Shkrel i njohur ndryshe si porta hyrëse e Alpeve Shqiptare.

Edhe pse gjendet vetëm 41 kilometra larg nga qyteti i Shkodrës dhe pjesë integrale e resortit natyror të Razmës, banorët e këtij fshati ankohen për mungesë të ujit të pijshëm.

Marie Kuqaj

“Po të them shqip, s’kemi ujë, fshati Vrith – Razëm s’ka ujë, tash 30 vjet”, – tregon Marie Kuqaj një nga banoret e fshatit.

Në faqen zyrtare “Smile Albania”, nismë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për promovimin e Shqipërisë turistike, jep të dhëna se çfarë vlen të vizitohet në këtë fshat turistik, si mund të argëtohesh, ndërkohë që banorët tregojnë se shërbimet bazike për jetesën mungojnë.

“Depozita uji” nga shiu

Parlind Gocaj tregon për Citizens Channel se para viteve 90′ ka pasur një çezëm publike në fshat dhe furnizimin me ujë merrej nga krahu tjetër, nga lugina e Vokshit, por kishte ujë të pijshëm përgjatë 12 muajve.

“Pothuajse secili e ka zgjidh problemin me rezervuarët e mëdhenj që i mbushim gjatë dimrit nëpërmjet catiave dhe e përdorin edhe gjatë verës”, – thotë Parlindi, mësues në shkollën nëntë vjeçare në Koplik.

Edhe Shaqe Kuqaj na rrëfen se për larjen e rrobave përdor ujin e rezervateve, i mbledhur nga shiu.

“Për rroba kemi rezervatet, e mbledhim me shi, kur na bjen shi, kur s’na bjen na duhet të shkojmë nëpër puse të largëta, me la rrobat”,- shpjegon ajo.

Mosha e thyer e banorëve të mbetur në fshat  dhe pamundësitë ekonomike ja vështirësojnë edhe më tepër sigurimin e ujit të pijshëm.

Shaqe Kuqaj

“Kur s’kemi ujë e blejmë, ose shkojmë e marrim lart, një orë rrugë lart. Po nuk kemi mundësi se kemi mbetur të gjithë pleqtë, s’ka kush na e bjen”,- përfundon Shaqe Kuqaj.

Pse nuk ka ujë Vrithi?

Banorët pretendojnë se uji ndërpritet nga resortet dhe hotelet turistike në Razëm, e në këtë mënyrë banorët e Vrithit mbeten pa ujë.

Parlind Gocaj konstaton se sezoni më problematik është vera dhe nga maji në tetor ka mungesë totale uji.

“Kanë bë ndëryrje të paligjshme, disa shpia kanë, ndërsa një lagje tjetër psh nuk ka as cezëm publike. Është shumë keq rrjeti, nuk kanë ndërhyrë sepse është abuzuar shumë me sistemin e ujit”,- përmbledh Gocaj.

Inspektime për mungesën e ujit, pas kërkesë për informacion

Pas ankesave nga banorët e zonës Citizens Channel kontaktoi me përfaqësues të Bashkisë së Malësisë së Madhe të cilët u përgjigjën se kanë nisur një inspektim, duke konstatuar se çdo grupim shtëpiash ka çezma publike me ujë të nevojshëm për konsum.

Përfaqësuesit e bashkisë pretendojnë se ankesat kanë ardhur si reagim i “ndonjë qytetari nga fshati Vrithë”, menjëherë pasi punonjësit e drejtorisë së ujësjellësit I kanë kërkuar të paguajnë ujin e pijshëm.

Megjithë përgjigjen, mbetet e paqartë nëse banorët supozohet të paguajnë ujin e çezmave publike apo atë që ju vjen në shtëpi, për të cilin ata rrëfejnë se ka mungesa të theksuara.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu