Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të përmbyturit e përhershëm”; banorët e Shkodrës në përballje me pasojat

Autor: Erisa Kryeziu, Senad Tula | Citizens Channel

Në ditët e fundit të shkurtit 2021, një makinë e lartë e ushtrisë qendron në hyrje të fshatit Obot në Shkodër.

Gra, fëmijë, banorë që kanë kryer blerjet ditore jashtë fshatit ngjiten në automjetin ushtarak me ndihmën e ushtarëve mesditën e të shtunës së 20 shkurtit. Vërshimi i ujërave erdhi 42 ditë më parë dhe situata duket se është qetësuar, uji është mpakur, megjithatë oborret e shtëpive mbeten 40 centimetra nën ujë.

Automjeti i ushtrisë përgjatë rrugës për në fshat, herë ecën mbi asfalt e herë zhytet në ujin e mbetur nga përmbytjet. Një nga banorët e fshatit Obot teksa kthehet për në shtëpinë e tij na rrëfen se si edhe këtë vit befasia e vërshimit të ujit nuk i la mundësi të përgatiten.

Për ujin s’kishim marrë masa, nuk e dimë se kur vjen. Por reshjet bëjnë punën e vet, hidrocentralet punën e vet, kështu që vetëm kur e shohim te shpia. S’ke si merr masa se s’të len me marr masa. Vjen shumë shpejt”,-rrëfen banori i fshatit Obot.

Banor i Obotit, Shkodër

E vetmja mënyrë lëvizjeje që nga muaji janar për ta ka qenë varka, mjet i cili tanimë gjendet në të gjitha familjet e fshatit Obot në Shkodër.

Përmbytja, tregojnë banorët, ka qenë shkatërruese për ekonominë e zonës. Gregor Pemaj, kryeplaku i fshatit Obot shprehet se të gjitha të mbjellat kanë shkuar dëm dhe në fshat ka nevojë të theksuar për bazën ushqimore për bagëtitë.

“Kam banorë që qajnë. Kanë mbjell e s’kanë me ca me mbjell. Fusha mbillet për çdo vit. Unë kam 20 e ca dylym jonxhe. I kam mbjell vjet. Ajo nuk bën ma, me e thy dhe me e mbjell jonxhe mbi jonxhe. Çfarë do specialist në botë me ardh, nuk mbillet jonxhe mbi jonxhe. Ktu ka grurë të mbjellun, ka asull të mbjellur, ka lakra të mbjellna, ka pemë dekorative të mbjelluna, kam sera të mbjellna që kanë harxhu miliona me i mbjell me nga 4,5 dynym. Kam shumë shumë kultura. Baza ushqimore për bagëtitë ka shku në 0“,-rrëfen kryeplaku Pemaj për Citizens Channel.

Gregor Pemaj, kryeplak i fshatit Obot, Shkodër

Megjithëse fshatrat janë nën ujë prej javësh, banorët tregojnë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga institucionet përveç ujit të pijshëm.

“Po, situata është drejt përmirësimit për ujë, por është drejt përkeqësimit për gjendjen ekonomike. 42 ditë bahen me sot që jena të përmbytun. Asnjë ndihmë nga shteti, asnjë ndihmë nga çdo lloj institucionesh. Nuk i thuhet ndihma me të pru një bidon ujë. 800 lekë bën një bidon ujë. Na kena shumë dëme të mëdhaja në bujqësi. Unë për vete flas se kam serat. Dami është ba, erdhi koha me mbjell. Shokët e mi i kanë mbjell e unë skam me ça me i mbjell”, -rrëfen Jak Pemaj për Citizens Channel.

Jak Pemaj, banor i Obotit, Shkodër

Kulturat bujqësore që ai ka mbjellë në tokën e tij kanë shkuar të gjitha dëm.

“Unë kam 4 dynym serë që kanë qenë të mbjelluna: salladë, spinak edhe kam 20 mijë bimë që janë të dëmtume. Kam pas kastravecin dhe domaten të mbjellun e kam pas gati, sot asht dasht me ken në serë. Ajo ka shku dam e gjitha. Janë 20 mijë bimë që kanë shku dam. Janë rreth 3 milionë lekë fidan që është ble vetëm fara”,-tregon Pemaj.

Përmbytjet kanë sjellë dëme të mëdha edhe në njësinë administrative Dajç. Paulin Maçaj, banor i fshatit Shirq, tregon se dëmet kanë qenë kolosale.

Unë admiroj diku te 60 dynym tokë në rastin konkret rreth shtëpisë dhe e gjithë kjo sipërfaqe ka qenë e mbulume me ujë. Këtu ka dëmtime të bimëve dekorative, kam bajagi shumë të mbjellura edhe pemë frytore siç e shihni e kam rrethu krejt sipërfaqen e shtëpisë edhe kam bajagi shumë kur i thonë, se vetëm pemë frutore bëhen 7 dynym tokë”,-tregon Maçaj.

Paulin Maçaj, banor i Shirqit, Shkodër

Përmbytjet kanë lënë pas edhe detyrimin për pastrimin e mbetjeve.

“Edhe dihet dëmet që sjellin në çdo gjë, vështirësitë edhe pastrimi i atyre gjërave që bijnë ujërat se me thënë të drejtën pastrimi është ajo që ne na lë. çdo gjë vlerësohet po inertet që vijnë edhe pastrimet që vijnë vetëm në kohë të ujit e vënë se në cfarë vendi të ndyrë jetojmë”,-sqaron Paulin Maçaj.

Dëmshpërblimet, lufta e përhershme e pas përmbytjeve 

Pothuajse çdo dy vjet, lajmet për përmbytjet nga Shkodra janë të përhershme në ekranet e televizioneve shqiptare apo në hapësirën online së fundmi. Vërshimi i lumenjve Drin dhe Bunë apo edhe i liqenit të Shkodrës ka sjellë dëmë kolosale për banorët e fshatrave përreth Shkodrës.

Më gjithë shpeshtësinë e përmbytjeve, banorët rrëfejnë për Citizens Channel se mbështetja pas përmbytjes nuk ka qenë konstante.

“2010, 2011, 2013, 2018 dhe 2021. Këto përmbytjet e fundit kanë qenë më të rënda sesa në 2010, sepse në 2010 ia ka lehtësu i fije barrën fshatarëve. Furnizimet kanë qenë dopio prej shtetit, çdo ministër ka ardh këtu, i Bujqësisë, ministri i Brendshëm. Kurse në 2013, 2018 dhe 2021 skena pa asnjë ministër, as të Brendshëm, as të Bujqësisë, përveç kryeministrit që ka ardh këtu”,-rrëfen kryeplaku i fshatit Obot.

Përmbytja e këtij viti konsiderohet më e rëndë se ajo e vitit 2018 nga banorët. Megjithatë ata tregojnë se janë të pashpresë nëse do të marrin dëmshpërblime për këtë vit, duke qenë se akoma nuk kanë marrë dëmshpërblimet e vitit 2018.

Obot, Shkodër 20 shkurt 2021. Foto: Erisa Kryeziu

“Vetëm një herë kena marr dëmshpërblime. Herët e tjera nuk kena marr as në 2018 e as edhe sot. Kena një shpresë, faleminers prej kryeministrit. Na e ka lëshu një fjalë që do ta kem parasysh Obotin, është i përmutun e ka damin prej nesh. Ta presim. Ishalla”– rrëfen Jak Pemaj.

Edhe për Paulin Maçaj, banorin e fshatit Shirq, pas vitit 2010 nuk ka pasur asnjë dëmshpërblim nga shteti. Ai rrëfen se shpesh ka mobilizuar banorët e tjerë të zonës ku jeton në protesta për të kërkuar mbështetjen nga shteti, e megjithatë deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Por neve nga 2010 dhe sot qe flas me ty kemi pas 7 përmbytje. Mbrapa nuk na erdhi as edhe nji vlerësim, as edhe nje komision vlerësimi. Të them të drejtën ka qenë shumë zhgënjyese. Përmbytje na fatkeqësitë natyrore ndodhin në mbarë botën, Unë jam i bindur që kur nuk je i siguruar nuk ke arsye të kërkosh dëmshpërblim. Por në rastin konkret ne jemi diçka ndryshe. Ne përmbytemi nga hidrocentralet, përmbytemi nga digat, përmbytemi nga një vend që ka përfitim”,-tregon Maçaj.

Përfaqësuesi i njësisë administrative Ana e Malit në bashkinë Shkodër, Arben Ceni u shpreh për Citizens Channel se dëmet për përmbytjen e këtij viti do të nisin përgjatë kësaj jave të tretë të shkurtit, në zonat të cilat kanë akoma prani të ujit.

Do të fillojmë në fshatin ku nuk kemi shumë probleme. Mund ta fillojmë ose në fshatit Muriqan ose në fshatin Oblik. Por tani mund të futemi edhe në fshatin Obot. E mira është të fillojmë sa më shpejt, pasi edhe ka pak prezencë uji, por dallohen edhe dëmet. Evidentimi është faza e dytë, që bëhet nga bashkia Shkodër, dueht të zgjasë rreth 15 ditë”,- u shpreh Arben Ceni, drejtues i njësisë administrative Ana e malit.

Ai bën thirrje për dëmshpërblim të banorëve, ndërsa merr përgjegjësinë institucionale që u takon për përkthimin e dëmeve në shifra.

“Bashkia Shkodër ka për detyrë të bëjë evidentimin ashtu sic e ka bërë në vitin 2018. Ne do ti bëjmë faturën qeverisë, do t’ia dërgojmë në tavolinë si Kryeministrisë ashtu edhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Bujqësisë, por edhe në Prefekturën e Shkodrës. Ne bëjmë thirrje se duhet të dëmshpërblehen këto banorë sepse është e pafalshme në qoftë se nuk do të bëhet, sepse nuk po e quajmë vetëm anën ekonomike, por edhe ana psikologjike është shumë e rënduar e banorëve sepse po bëhen 50 ditë dhe të jesh në këtë regjim të ujit dhe pa vëmendjen e askujt është gjynah, është e pafalshme”,-përfundon Ceni.

Arben Ceni, administrator i njësisë administrative Ana e Malit

Gjatë kësaj periudhe Bashkia Shkodër ka kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore por që është refuzuar nga qeveria. Kjo përplasje mes institucioneve ka ndodhur edhe në vitin 2018, duke bërë që banorët e zonave të përmbytura mos të dëmshpërblehen.

Përse përmbytet Shkodra? 

Referuar të dhënave nga monitorimi i përditshëm që bashkia Shkodër kryen në terren, niveli i ujit ka rënë, ndërsa sipërfaqja e tokave të përmbytura është pakësuar. Në monitorimin e datës 24 shkurt 2021, në bashkinë Shkodër në total ndodhen 940 Ha sipërfaqe e përmbytur. Nga këto 350 Ha në njësinë administrative të Anës së Malit, 330 Ha në njësinë administrative Dajç dhe 260 Ha në njësinë administrative Rrethina.

Në rastin e Shkodrës, sipas ekspertëve këto përmbytje të përsëritura vijnë si pasojë e dukurive natyrore, por edhe njerëzore. Për inxhinierin Ridvan Gjeçaj janë tre arsye kryesore që ndikojnë në përmbytje.

Intensiteti i lartë i ndodhjes së përmbytjeve në zonën e Nën Shkodrës lidhet së pari me faktin se kemi të bëjmë me qarkullimin e rrjedhës së dy lumenjve Buna dhe Drin, në një shtrat të vetëm, ai shekullor i lumit Buna. Së dyti me ndryshimet klimaterike, në lidhje me regjimin e reshjeve, intensitet i lartë reshjesh në një kohë të shkurtër. Së treti keq menaxhimi i kaskadës dhe shkatërrimi i natyrës në tërësinë e pellgut ujëmbledhës Drin-Buna-liqeni i Shkodrës”,-sqaron inxhinier Gjeçaj.

Banorët e fshatit Obot u shprehën për Citizens Channel se përmbytjet vijnë edhe si pasojë e mungesës së argjinaturave mbrojtëse. Mirëpo inxhiner Gjeçaj argumenton se argjinimi i mëtejshëm është i pamundur.

“Kur është projektuar kaskada e Drinit, janë përcaktuar edhe zonat e invazionit ujor në rast shkarkimesh dhe mbi këtë bazë dhe në marrëveshje me ish-Jugosllavinë, duke qenë lum i përbashkët, janë përcaktuar edhe vendet e argjinimit të brigjeve të lumit Buna, duke lenë zonat e invazionit të lira. Zona e Obotit favorizohet negativisht dhe nga situata e ulët gjeodezike. Argjinimi i mëtejshëm i brigjeve është i pamundur në logjikën hidroteknike”,-sqaron Ridvan Gjeçaj.

Ridvan Gjeçaj, inxhinier Burimi i fotos: Star Plus tv

Sipas tij përmbytjet kanë pasur zanafilla të ndryshme përgjatë këtyre viteve.

“Përmbytjet nuk ndodhin gjithmonë prej shkarkimeve në kaskadë. Në vitin 2010-2011 ka pasur rol kryesor shkarkimi i kaskadës, në vitin 2021 përmbytja është dominuar nga prurjet e lumit Buna dhe liqeni i Shkodrës”.

Me qëllim parandalimin e përmbytjeve në Shkodër, Ridvna Gjeçaj sugjeron një zgjidhje afatgjatë nga ana e qeverisë dhe menaxhim nga pushteti lokal.

“Nga ana e qeverisë duhet të mendohet zgjidhje afatgjatë, që më e mira gjetja e një rruge alternative të shkarkimit të ujërave të tepërta të lumit Drin në det, ndërsa pushteti lokal duhet të menaxhojë post-përmbytjet, evakuimet e njerëzve dhe gjësë së gjallë, furnizimet me ujë e mjete të tjera jetike. Infrastruktura për largimin e ujërave të përmbytjes që përbëhet nga sistemi i kanaleve kulluese, por që përfundojnë në zonën kënetore të Murtemzës, që shkarkimin e ka të varur nga situata alto metrike e detit(batica,zbatica)“,-përfundon Gjeçaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *