Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistë dhe studentë përsërisin kërkesën për anulim të provimeve online

“U themi jo provimeve online” ishte thirrja që studentë dhe aktivistë të Lëvizjes për Universitetin shfaqën para Rektoratit të Tiranës.

Muaji shkurt është sezoni i zhvillimit të provimeve për çdo universitet, ndërsa për shkak të pandemisë COVID-19, ky proces po zhvillohet online, sikurse gjithë procesi mësimor prej marsit të vitit 2020.

Aktivistët e Lëvizjes për Universitetin e kanë konsideruar të pamundur zhvillimin e provimeve online për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike dhe mungesës së qasjes në internet.

“Ky vendim, si shumë të tjerë është arbitrar dhe nuk merr në konsideratë faktin që neve si student na mungojnë pajisjet e duhura elektronike dhe kemi vështirësi dhe pamundësi për të paguar ofertat e internetit. Në këto kushte, mësimi online ka qenë diskriminues dhe kështu do të jenë edhe provimet”, -u tha në komunikimin para Rektoratit.

Në vijim të thirrjeve të shpeshta përgjatë muajve të parë të vitit 2021 për kthim në universitete dhe zhvillimin e provimeve në auditorë, aktivistët u shprehën se do të vazhdojnë të ngrenë zërin kundër provimeve online, kundër tarifave dhe do të vijojnë të kërkojnë rimbursimin e paketave të internetit.

Provimet online mes rregullave të ndryshueshme brenda muajit

Në ditën e parë të muajit shkurt Rektorati i Tiranës vendosi zhvillimin e provimeve online.

Vendimi i Rektoratit për zhvillimin e provimeve online

Sipas përgjigjes së Rektoratit ndaj një kërkese për informacion që Citizens Chanel dërgoi në fillim të muajit shkurt, platforma e përdorur për zhvillimin e provimeve do të ishte “Microsoft Office 365 Education”.

Të gjithë përdoruesit në platformë janë të regjistruar me të dhënat e tyre dhe disponojnë adresë zyrtare. Gjithashtu aksesi është individual dhe i personalizuar”, -citohej në përgjigjen e Rektoratit.

Pyetjes nëse zhvillimi i provimeve online do të kalonte një fazë akreditimi, Rektorati u përgjigj se nuk përfshihet në akreditim, ndërsa bazohet në Urdhrin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Urdhrin e Ministrisë së Arsimit dhe Vendimin  Senatit Akademik.

Bazuar në nenin 106, pika 2 dhe pika 3, të ligjit nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, akreditimi konsiston në dy procese: Akreditimi instucional dhe akredimiti i programeve mësimore. Ky proces bazohet në Urdhrin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Urdhrin e MASR-  së, Vendimin e Senatit Akademik nr. 20, datë 21.10.2020 dhe Vendimin e Rektoratit të UT-së nr. 1, datë 01.02.2021”,-u përgjigje Rektorati.

10 ditë pas vendimit të Rektoratit për zhvillimin e provimeve online, më 10 shkurt 2021 Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në një komunikim publik adresoi ndaj universiteteve 4 kërkesa:

  1. Në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet online për arsye të specifikave të lëndës sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditorë.
  2. Së dyti, universitetet të shohin mundësinë për ti dhënë të drejtën studentëve, të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo në këtë sezon. Në varësi të mundësisë apo pamundësisë së tyre për arsye që lidhen me pandeminë. Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë.
  3. Së treti, kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë midis provimeve dhe ëpr të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve. Kjo d oti ndihmojë edhe studentët që të kenë edhe më shumë kohë për tu përgatitur në këto provime.
  4. Së katërti, mungesat e studentëve në leksionet apo seminaret online, të mos i penalizojë ata për pjesëmarrjen në provime, duke vlerësuar vështirësitë objektive që mund të kenë pasur një pjesë e studentëve gjatë kësaj periudhe.

Mësimi online në “lupën e kritikave” përgjatë pandemisë

Në muajin mars të këtij viti në Shqipëri bëhet një vit që mësimi në universitete është zhvilluar online. Fillimisht si një domosdoshmëri për shkak të karantinës disa mujore të popullsisë me qëllim parandalimin e pandemisë dhe më pas si vijueshmëri e masave të marra nga Komiteti Teknik.

Përgjatë kësaj periudhe thirrjet për rikthim në universitete kanë qenë të shumta, qoftë nga studentët por edhe nga organizatat që kanë në fokus arsimin.

Thirrja për rikthim në universitete erdhi si pasojë e vështirësive të të nxënit në kushte shtëpie dhe problematikave që mësimi online mbarte.

Duke qenë se studentët nuk po përdornin infrastrukturën shkollore kërkuan në tetor të vitit 2020 përgjysmim të tarifës shkollore. Kjo kërkesë erdhi edhe si pasojë e dëmtimit të ekonomisë familjare nga pandemia dhe mbulimi i kotove shkollore ishte një barrë e rëndë për familjet shqiptare.

Në nëntor të vitit 2020, me pankarta në duar studentët protestuan para Ministrisë së Arsimit, Sporti dhe Rinisë. Ata e konsideruan zhvillimin e mësimit online jo efikas. Ndërsa njoftimin për zhvillimin e mësimit online e morën tre ditë para se të nisnin universitetin, ndërkohë që kishin paguar konviktet apo shtëpitë me qira.

Në anketimet e kryera nga Lëvizja për Universitetin një muaj pas nisjes së mësimit online për vitin akademik 2020-2021, 71% e studentëve nuk ishin dakord me zhvillimin online të mësimit. Ndërsa mësimi online ndikoi jashtëzakonisht në ekonominë e 43.3% të studentëve të pyetur.

Anketimi i Qëndresës Qytetare nxori në pah se 40% e studentëve nuk e kishin ndjekur rregullisht mësimin online. Kjo për shkak të mungesës së qasjes në internet dhe pajisje digjitale. 77.5% e studentëve që kishin ndjekur mësimin online përdorën telefonin për të hyrë online dhe vetëm 20.5% e tyre përdorën laptopin apo kompjuterin.

Studentët, me anë të një peticioni, i nisën Ministrisë së Arsimit në dhjetor 2020, një peticion ku kërkonin miratimin e një pakete falas për studentët ku të përfshiheshin internet dhe mjetet teknologjike me qëllim qasjen në mësimin online.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *