Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pasiguria politike trazon rrjedhën e Vjosës; Aktivistët kërkojnë zotim nga partitë përpara zgjedhjeve

Kompania ndërkombëtare Patagonia ka prodhuar një film të shkurtër rreth lumit të fundit të Egër në Evropë, titulluar “Vjosa përgjithmonë” ku kërkohet që njerëz nga e gjitha bota të bashkohen në fushatën ndërkombëtare për ta shpallur të gjithë rrjedhën e saj në Shqipëri Park Kombëtar.

Filmi është pasues i fushatës se nisur “Vjosa National Park Now” (Vjosa, Park Kombëtar tani) dhe i angazhimit disavjeçar të aktivistëve dhe shkencëtarëve shqiptarë e të huaj, për ta ruajtur këtë lumë.

Përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri, qytetarët, aktivistët dhe ambientalistët po kërkojnë mbështetje politike për krijimin e parkut të parë kombëtar të një lumi të egër në Evropë, për ta mbrojtur atë përgjithmonë”, deklaroi sot organizata mjedisore EcoAlbania.

Filmi i shkurtër sjell disa sekuenca me premtimet e njëpasnjëshme të Kryeministrit Edi Rama se qeveria e tij do të shpallte Vjosën Park Kombëtar e do ta mbronte atë nga “ndërtimet barbare të hidrocentraleve”.

Premtimi i Ramës u përsërit pesë vitë me vonë përmes një postimi në Twitter, teksa pohoi se pjesa e sipërme e Vjosës është shpallur Park Kombëtar dhe po punohet me pjesën e poshtme të saj, për ta integruar me të.

Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!

— Edi Rama (@ediramaal) September 25, 2020

Deklaratat e Kryeministrit Rama nuk janë mbështetur nga asnjë dokument zyrtar rreth mbrojtjes ligjore së këtij lumi. Kjo deklaratë u përsërit dhe nga Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi rreth një muaj më parë.

Klosi pohoi që do ta shpallin lumin Vjosë zonë të mbrojtur, duke përdorur dy koncepte rreth statusit: “Park kombëtar”, kategoria e dytë dhe “Peizazh i mbrojtur”, kategoria e pestë. Në një “Peizazh të mbrojtur” mund të ndërtosh përmes një leje të marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).

Citizens Channel iu drejtua përmes një kërkesë për informacion institucioneve si Ministria e Mjedisit rreth statusit të Vjosës, por ata u përgjigjen se vendimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit do të zbardhet në vijim.

Përgjigje institucionale rreth statusit ligjor të Vjosës

Mungesa e dokumenteve që vërtetojnë se Vjosa është shpallur Park Kombëtar ka nxitur dyshimet tek ativistët se deklaratat janë thjesht premtime elektorale.

Sidoqoftë, që nga ajo kohë, qytetarët dhe aktivistët lokalë janë alarmuar gjithnjë e më shumë se, prapa dyerve të mbyllura, po bëhen kompromise dhe në fakt, lumi është në rrezik të vazhdueshëm”, thuhet më tej në deklaratën e EcoAlbania.

Organizatat ndërkombëtare si RiverWatch dhe EuroNatur u bëjnë thirrje politikanëve në Shqipëri që ta kenë shpalljen e Vjosës Park Kombëtar si përparësi kryesore për çdo parti fituese.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha u shpreh se nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet e ardhshme, ai do t’i japë prioritet prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve.

Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës dhe do të gazifikojmë zonat industriale. #ShqipëriaFITON pic.twitter.com/xmBHB7mcVZ

— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) February 24, 2021

Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës“, theksoi Basha.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *