Ilustrim Grafik: Xhemali Moku

Autor: Denis Tahiri

Aeroporti i Vlorës, i parashikuar të niste brenda vitit 2018, vijon ende të mbetet një premtim, ndërsa në vendin e parashikuar për ndërtimin e tij, asgjë nuk ka ndryshuar. Në fillim të vitit 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të njoftonte se një konsorcium prej tre kompanish turke, kishte paraqitur ofertën për ndërtimin e këtij aeroporti. Oferta nuk u firmos, duke hapur kështu një garë ndërkombëtarë. Ndërkohë ende sot, premtimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës vijojnë të shpallen vazhdueshëm kreu i qeverisë.

Foto: Prezantimi në 3D i aeroportit të planifikuar në Vlorë

“Saga e premtimeve për Aeroportin e Vlorës”

Më 17 Janar të 2018, kryeministri Rama në një status në Facebook do të shkruante “Kemi kërkesën zyrtare për aeroportin kombëtar të Vlorës. Deri në qershor hapja e kantierit. Shqipëria që duam.”, por ky premtim ra më 23 qershor të 2018, kohë kur kryeministri do të premtonte nga Vlora se “Në muajt në vijim do të fillonte ndërtimi i aeroportit”, duke shtuar se ky aeroport do të jetë shumë konkurrues me atë të Tiranës.

Po kështu në një shtator 2018, Kryeministri Rama nga Radhima e Vlorës do të fliste për negociatat për ndërtimin e aeroportit. “Ndryshe nga çfarë u propagandua, nuk ishte një pazar i mbyllur por është një negociatë e vështirë sepse duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit, jemi besimplotë se do të mbyllim negociatën dhe do të fillojmë edhe punën për ndërtimin e aeroportit dhe aty do të fillojë një sfidë tjetër për Vlorën”. Nga ana tjetër në 10 nëntor të 2018, ai do të shprehej: “S’di ta them kur, por brenda këtij mandati do ta bëjmë Vlorën me aeroport”.

Sërish në shtator të 2019 nga Vlora, kreu i qeverisë do të fliste për një marrëveshje për ndërtimin e aeroportit në qytetin bregdetar. “Deri para pak vitesh, ky aeroport ishte një ëndërr, ëndërr shumë e hershme dhe një premtim i përsëritur në fushata elektorale, por askush nuk e besonte se Vlora do ta ketë aeroportin ndërkombëtar. Nuk kishte investitor, as kompani të interesuara dhe përpjekja e parë u bë si rezultat i një gatishmërie të qeverisë turke, jo për arsye komerciale, por për të na dhënë një dorë për ta ndërtuar këtë aeroport dhe ne arritën të bënim një marrëveshje.

Aeroporti do të përmendjen nga numri një i qeverisë edhe gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarë të Vlorës. “Kemi patur një process sfilitës me të parin, aeroportin, për shkak të pandemisë, stërzgjatjes së garës që u pezullua, u hap dhe u ripezullua dhe tani shpresojmë të kemi një fitues”.

Gjatë këtyre katër viteve premtimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës kanë qenë të ndryshme, por fakti mbetet që në realitet, ky aeroport vijon të jetë vetëm në 3D, ndërsa në vendin e përcaktuar për tu ndërtuar në Vlorë, fusha mbete e njëjtë ashtu si ka qenë edhe para nisjes së premtimeve për ndërtimin e aeroportit.

Territori parashikohet ndërtimi i aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë – Nartë

Një aeroport që shkatërron një ekosistem?

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës pranë zonës së mbrojtur Vjosë- Nartë është kundërshtuar nga shumë organizata mjedisore, të cilat kanë dalë edhe me një deklaratë të përbashkët, duke e vënë theksin te dëmet që mund të shkaktohen. “Një investim i tillë do të shkaktoj zhvillime të pakontrolluara dhe dëme të pakthyeshme të vlerave dhe burimeve natyrore të kësaj zone”, thuhej në deklaratën e përbashkët të 37 organizatave mjedisore ku vihej theksi te dëmet e pariparueshme që mund të ndodhin në ekosistemin e strehës së shumë llojeve të zogjve.

Laguna e Nartës dhe zonat rreth saj, përbëjnë një sipërfaqe prej 19 mijë hektarësh, ç’ka e bën zonën më të madhe dhe të rëndësishme për ekosistemit e ligatinave jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë zonën e Mesdheut, e njohur si një zonë kyçe e biodiversitetit ku janë vënë re mbi 200 lloje shpendësh, si pelikani e flamengo.

Për Olsi Nikën, ekspert mjedisor dhe drejtues si organizatës mjedisore “Eco Albania”, ndërtimi i këtij aeroporti brenda peizazhit Vlorë- Nartë, “është në shkelje të ligjit dhe në shkelje të parimit të vet zonave të mbrojtura”. Për këtë ai rendit disa arsye.

Olsi Nika, ekspert mjedisi
Foto: Citizens Channel

“Peizazhet e mbrojtura si është ky i Vlorë- Nartës, mbron vlerat peizazhore, që do të thotë ndërthurjen e peizazheve të ndryshme që janë kodrinat, lagunat, deti, bregdeti, dhe pylli me pisha e dunat ranore. Tani nëse ti ndërton një aeroport peizazhi prishet, kjo është ndërhyrja e parë që nuk lejohet”, shprehet ai, duke shtuar se ky aeroport prish balancat e integritetit ekologjik te cilat janë shumë delikate në sistemi tranzitore si janë lagunat.

Një tjetër problem që Nika ngre është ai i ndërprerjes së rrugës së emigrimit të shpendëve në Adriatik.

“Pjesa e lagunës së nartës, ose peizazhit të mbrojtur Vlorë – Nartë është pjesë e asaj që ne e quajmë, “Adriatik Fly way” ose rruga e migrimit të shpendëve përgjatë adriatikut. Ndërtimi i një aeroporti me ulje- ngritje avionësh, sigurisht nuk mund të ulet bashkë flamengoja dhe pelikani me një avion. Kjo do të sjelli zhdukjen e një pjese të konsiderueshme të shpendëve”, thotë kreu i “Eco Albania”, duke shtuar se edhe gjatë ndërtimit të aeroportit si dhe operimit të tij, do të ketë ndërprerje të  habitateve nga ndërtimi i rrugëve dhe pistave.

Organizatat mjedisore janë shprehur kundër ndërtimit të këtij aeroporti në Vjosë- Nartë, duke thënë se ndërtime të tilla në këtë zonë bien ndesh me konventat që ka nënshkruar vendi ynë. Duke ngritur alarmin se ndërtimi dhe vendosja në funksion i aeroportit në këtë zonë mund të ketë pasoja shumë të rënda jo vetëm për mjedisin por edhe për përdoruesit e avionëve për shkak të përplasjeve me një numër të madh shpendësh. Koalicioni i Organizatave të Mbrojtjes së Natyrës i është drejtuar edhe kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar anulimin e ndërtimit të aeroportit.

Një letër nga Europa: Mos ndërtoni në Vjosë- Nartë

Reagimet për ndalimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në Vjosë- Nartë, ishin të shumta edhe në Europë. Fondacioni EuroNatur, deklaroi se ndërtimi i aeroportit do të shkaktonte “dëme të pakthyeshme”.

Gabriel Schwaderer, drejtues i EuroNatur, i dërgoi një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, në të cilën shprehej se “ndërtimi i një aeroporti ndërkombëtar në këtë vend ndodhje të ndjeshme do të sillte një dëmtim të pakthyeshëm të  ekosistemit të Vjosë- Nartës dhe madje në të gjithë bregdetin e Adriatikut”.

Schwaderer bëri thirrje edhe për një vlerësim të impaktit të mjedisit sipas standardeve ndërkombëtare, duke shtuar se ky vlerësim do të dilte në përfundimin se aeroporti është i papërshtatshëm me ruajtjen e ekosistemit të Vjosë- Nartë.

Deri më tani, pavarësisht thirrjeve të shumta nga organizatat ambientaliste në Shqipëri, ekspertët mjedisor, por edhe ekspert e organizata të huaja, qeveria, është e vendosur për të vijuar me ndërtimin e këtij aeroporti, edhe pse gara për të nxjerrë kompani fituese për ta ndërtuar është hapur dhe pezulluar disa herë.

Në një komunikim me Ministrinë e Infrastrukturës, bëhet e ditur se është mbyllur gara e hapur në dhjetor të 2020 për ndërtimin e aeroportit dhe janë marrë dy oferta.

Vjet para nisjes së pandemisë ishim gati për të shpallur fituesin por nuk arritëm ta bënim për 20 ditë, pasi kompanitë e mëdha u tërhoqën se nuk e dinin se si do shkonte situata”, bëhet e ditur nga Ministria e Infrastrukturës

Nga ana tjetër për sa i përket ndërtimit të këtij aeroporti ndërkombëtarë pranë zonës së Vjosë- Nartës, nga Ministria e Infrastrukturës thonë se nuk ka asnjë ndryshim, ndërtimi do të vijojë aty ku është parashikuar, pasi për momentin nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe rrjedhimisht asnjë arsye për të ndaluar.

Raporto

Leave a Reply