Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fasadë luksoze mbi mjerimin e familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian

Mbështetur në një prej barakave që ndodhet në zonën e Yzberishtit, banderola në formë 3D-je që shkruante “Royal Hills Yberisht” ishte vetëm një sekuencë e aksionit ironik të djeshëm, ndërmarrë nga anëtarë dhe aktivistë të komunitetit rom dhe egjiptian, për të vënë në lojë paradoksin e propagandës dhe realitetit të vështirë ku ata ndodhen.

Përmes një fjalimi të bërë, aktivistët zgjodhën t’i kërkojnë falje qeveritarëve dhe pushtetarëve, që nga mbledhja e materialeve të riciklueshme kishin ngritur “godina luksoze”, e kësisoj, të vetëdenoncohen.

Të nderuar Pushtetarë! Ju faleminderit që jeni sot të pranishëm në lagjen tonë mbretërore për të soditur pasuritë që ne i kemi vënë gjatë punës sonë si mbledhës të kanoçeve dhe shisheve plastike.

Na bën habi fakti që asnjë punë tjetër nuk iu bën juve kaq të pasur sa na ka bërë ne puna jonë. Ne ndihemi keq për gjendjen tuaj dhe mënyra më e mirë për të pastruar ndërgjegjen është të vetëdenoncohemi”, -lexoi aktivistja Jeta Pere, përballë dhjetëra banorësh të asaj zone.

Vetëdenoncimi do të vinte sepse kishin ngritur “pasuri marramendëse” përmes triciklave, që u kishin vënë sipër mbishkrimin “Jaguar”.

Triçiklat “Jaguar”, pjesë e aksionit në Yzberisht/ Foto: Entenela Ndrevataj

Jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë pis qytetin duke e pastruar nga kanoçet dhe paguret, kemi ndotur ambientin me mjetet tona motorike madje kemi rrezikuar edhe jetën e qytetarëve me këto të fundit me shpejtësinë marramendëse prej gjysmë gomari fuqi, duke shkaktuar edhe ndotje akustike me thirrjet ‘Hajde hekra, bateri makine, kush ka për të shitur?’”.

Pas fjalimit ironik, pjesëmarrësit u ftuan të firmosin në një peticion të improvizuar dy kërkesa që lidhen me pasjen e një strehimi dinjitoz dhe sigurimin e një vendi pune.

Bashkë me anëtarët e komunitetit firmosëm në mënyrë simbolike një kërkesë që i drejtohet institucioneve dhe që ka dy kërkesa shumë themelore siç është strehim i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për to dhe punësim dinjitoz”, – nënvijëzoi Pere për Citizens Channel.

Plehrat, pronë e Bashkisë Tiranë

Luljeta Zyberi prej tetë vitesh fiton jetesën me anë të mbledhjes së materialeve të riciklueshme.

Ajo ishte e pranishme në event bashkë me karrocën e saj. Ndryshe nga ditët e tjera, Luljeta nuk mbante shishe dhe kanoçe, por një pankartë që shkruante “Unë jam kriminele sepse ricikloj”.

Luljeta Zyberi, ricikluese

Zyberi pohon se pikërisht ky aktivitet e ka vënë vazhdimisht përballë policisë bashkiake.

Nuk jemi të qetë sepse policët s’na lejnë, me frikë punojmë. Dal që në mëngjes deri nga ora 12-1, na lejnë që i mbushim mirë e mirë atë thesin pastaj na i marrin. Si t’ia bëjmë ne? Kjo është puna e jonë, me këto po jetojmë”.

Zgjidhja e kësaj situate, sipas aktivistes Pere, do të ishte krijimi i skemave lehtësuese.

Nëse ne hedhim sytë dhe shohim që këto persona e kanë aktivitet kryesor të mbajnë familjet e tyre me këtë punë, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Le të krijojnë skema, politika efektive, t’i integrojnë në strukturat e tyre mundësi punësimi të tjera”, – vijon më tej ajo.

Jeta Pere, aktiviste

Përveç frikës së vazhdueshme, Luljeta Zyberi tregon se edhe është ofenduar nga policia bashkiake.

Vallaj, nja dy herë më kanë shajt policët. S’ka pse të më ofendojë mua se unë as kam vjedh, as kam vra, as kam ther. Unë dal, po kap ato mbeturinat që i hedhin njerëzit, ça s’po kapim me këto dur. Ça s’po kapim”.

Ashtu sikurse edhe banorët e tjerë të asaj zone, Zyberi kërkon punë dhe një shtëpi të jetueshme.

Unë i bëj thirrje shtetit që të vijë të ma rregullojnë shtëpinë sepse jam ku thërret qameti. Çfarë po bie jashtë, po bie brenda. Të më gjejë një punë kështu si i thojnë, në gjelbërim, në rrugë këto që fshijnë, një punë, atë e bëj”, – përfundon ajo.

Kushtet e vështira infrastrukturore kontribuojnë edhe më tej në diskriminim, shpjegon aktivistja Pere.

Kushtet e jetesës janë të lidhura shumë edhe me ecurinë që ka vetë personi, familja. Për shembull, imagjino një fëmijë që jeton në barakë, do shkojë në shkollë, sa diskriminim do ketë për mënyrën e të veshurit, për higjienën”.

Vështirësite ekonomike dhe pabarazia sociale u manifestua edhe gjatë pandemisë dhe kalimit të shumë praktikave online.

Shumë fëmijë nga komuniteti rom dhe egjiptian ishin pa akses në teknologji apo në mësimin online kështu që ata më shumë se shumë fëmijë të tjerë kanë krijuar boshllëk dhe mungesë të gjatë në mësim”, – përmbyll Jeta Pere.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *