Autor: Lorin Kadiu; Elira Kadriu – Citizens Channel

Zona e 5 Majit, një ndër lagjet informale në Tiranë ku komuniteti jeton mes vështirësive të thella ekonomike do të kthehet në “Tirana Riverside”. Prej muajsh, shfaqje 3D të projektit, hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, janë publikuar në kanalet qeveritare.

Nisur nga fatkeqësia natyrore e 26 Nëntorit 2019, kjo zonë kryesisht informale do të shndërrohet në një hapësirë eksperimantale dhe inovatore, ku do të strehohen jo vetëm familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti.

Ekspertë të fushës së urbanistikës kanë ngritur shqetësimin se qeveria shqiptare po shfrytëzon aktet normative të miratuara në emergjencë për rindërtimin, për të zbatuar projekte të paracaktuar në planin urbanistik “Tirana 2030”.

“Pallatet do tu vijë radha shumë mbrapa. Tirana, Kombinati dhe Paskuqani nuk kanë qenë pjesë e rindërtimit. Planet e Boerit dhe Kazamontit janë pjesë e masterplanit Tirana 2030. Situata e tërmetit po shfrytëzohet në mënyrë të artë nga këta. Shpronësimet që do bëheshin pa rënë tërmeti dhe problematika që do ishte në Kombinat, do ishte shumë e vështirë që ta implementonte këtë plan. Por tërmeti u dha të drejtën që edhe pallatet apo objekte të padëmtuara do shemben. Disa do shpronësohen, disa do marrin sipërfaqe vetë sa kanë sipërfaqe”,- shprehet Arkitekti Astrit Seranaj në një shkrim për PortaVendore.al.

Rindërtim dhe mungesë transparence

Masterplani Tirana Riverside – Foto: Casamonti Architects

Finalizimi i projektit “Tirana Riverside” vjen pas një zinxhiri vendimmarrjesh institucionale, ku dokumentat kryesore nuk janë vënë në dispozicion të publikut.

  • Më datë 16.12.2019 qeveria shpalli aktin normativ për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
  • Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji”, duke caktuar Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese të projektit.
  • Më datë 13 Maj 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Detyruar Vendor për zonën “5 Maji”.

Plani i detyruar vendor, është dokument planifikimi që hartojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet përgjegjëse, si pas rastit, për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore  dhe, kur çmohet e nevojshme, për të garantuar sigurinë e jetës dhe të shëndetit, që përcakton kushtet për zhvillim të detyruar, si dhe zhvillimin e zonave të reja .

Megjithëse kanë kaluar mbi 10 muaj nga miratimi, ky vendim i KKT ende nuk është zbardhur, ashtu si nuk është publikuar as Plan i Detyruar Vendor, i cili në faqen e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, mbetet ende në proces hartimi.

Banorët e “5 Majit” mes informalitetit dhe bllokimit të legalizimeve

Më 28 janar të këtij viti Ministria e Infrastrukturës ka shpallur kërkesën për shpronësim për shkëmbimin e pronës në zonën e re për zhvillim, në njësinë administrative 4 dhe 8, zona 5 maji.

Banorët e zonës rrëfejnë gjatë bisedave me Citizens Channel se ende janë të paqartë për fatin e banesave dhe nuk e dijnë nëse do jenë banorë të lagjes inovatore “Tirana Riverside”.

Në një njoftim publik Ministria lajmëroi se personat që preken nga ky projekt, kanë emrin në tabelën e publikuar dhe personat të cilët preken, por nuk figurojnë në këto lista, jo më vonë se 15 ditë nga publikimi në Fletoren Zyrtare dhe në portalin unik qeveritar për rindërtimin, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentet përkatëse pranë Bashkisë Tiranë. Në total, për zonën e re për zhvillim preken 222 prona private dhe shtetërore.

Nga intervistat me banorët e zonës, Citizens Channel ka konstatuar se shumë prej tyre u është bllokuar procesi i legalizimit edhe pse ata janë interesuar pranë zyrës së hipotekës.

Shkelzen Mihilli

“Nuk e legalizoj dot sepse e ka mbyllur procesin bashkia. Jam interesuar atje në Rinas, ku ka shkuar hipoteka edhe zero, nuk më lejohet asnjë lloj veprimi me bë”,- shpjegon Shkëlzen Mihilli.

Sipas tyre procesi i legalizimit është mbyllur që në 2018 dhe atyre nuk i është dhënë asnjë motivacion i vlefshëm.

“Po të vijë pushteti të thotë, vazhdo, jepi se do të legalizojë shtëpiat unë, vjen bë letrat e para, letrat e dyta dhe në fund fare thotë letrat e treta thotë : “Mos përfshirje në proces legalizimi”, kjo është e pahijshme”, – ka treguar Artan Kruja.

Kushtet e vështira ekonomike kanë sjelle që shumë prej tyre të jetojnë disa familje në një banesë duke i bërë skeptikë për kompensimin që do të marrin apo bonusin e qerasë pasi sipas atyre do të jetë i pamjaftueshëm.

“Unë kam 11 kalamaj. Ku do shkoj unë? Ku ka shtet, ku ka familjarë që do më pranoj mua me 250 mijë lekë në muaj që do më japi bashkia bonus qiraje”,- citon Kruja.

Në lidhje me fillimin e prishjes së banesave njëri prej banorëve, Petrit Hamiti na tregon se sipas tij sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe pas marrjes së votave do të nis edhe nxjerrja e banorëve nga shtëpitë e tyre.

“Kemi frikë me thënë të drejtën për shpinë, kemi shumë frikë”, – përfundon Hamiti.

Raporto

Leave a Reply