Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Përse protestojnë gratë në 8-Marsin e 2021?

Edona Marku, shqiptare nga Maqedonia e Veriut, studion arkitekturë në Tiranë. Si studente shpesh i është dashur të kryejë praktike pune në kompani të ndryshme ndërtimi në Tiranë. Me gjithë kënaqësinë se është përfshirë në punë që ia dikton profesioni i saj i ardhshëm, Edona rrëfen se shpesh është hasur edhe me stereotipe gjinore.

“Erdhën disa furnizime në kantier, disa pllaka dërrase që do të transportoheshin nga një vend në një tjetër. Fillojnë punëtorët të bëjnë transportin dhe unë po ndjehesha pak keq sepse vetëm po vëzhgoja çfarë po bënin. Mendova të përfshihem, në këtë rast të ndihem edhe pjesë e punës. Mora edhe unë disa dërrasa dhe po i vendosja nga ai vend në tjetrin. Derisa reagoi njëri nga punëtorët dhe tha “Goce ca po bën? S’është punë për ty ajo, është punë për ne”. Që aty e ndjen që ok, unë jam ajo vajza e brishtë, delikate që nuk guxoj të prek dërrasa me dorë”,-rrëfen Edona.

Edona Marku, studente e arkitekturës

Të njëjtat sjellje stereotipizuese ajo i ka venë re edhe në familjen e saj, shpesh të imponuara nga mentaliteti farefisnor. E një ndër to është atributi që i jepet prindërve për çdo arritje të vajzave të tyre, megjithëse u përket vajzave.

“Për një arritje timen qoftë në shkollë, në punë shikon që ti ke arritur diçka, suksesin tënd ia adresojnë babait dhe jo ty si vajzë. Është qesharake kur unë si vajzë arrij diçka, arrij një sukses e kam bërë unë me forcat e mia, me punën time, nuk ka bërë asgjë babi për mua, pse duhet t’i marrë meritat prindi im ndërsa unë jam e rritur”,-argumenton Edona.

Emarilda Leti, si një vajzë e rritur vetëm nga nëna e saj, pa praninë e një figure atërore tregon se vështrimi i të tjerëve ndaj saj dhe nënës ishte i dominuar nga ky fakt.

“Çdo veprim i kryer nga ne, ishte sipas shoqërisë pasojё e mungesës sё burrit tё shtëpisë, asnjëherë s’mund tё ishte një zgjedhje e menduar mirë apo personale, por pasojё e sё keqes qё na kishte rёnё pёr hise”,-rrëfen Emarilda.

Emarilda Leti

Pak muaj më herët Emarilda ka krijuar në Kurbin një klub leximi “Smart Feminism” me qëllimin e fuqizimit përmes leximit. Por edhe në këtë aktivitet ajo vë re sfidat e përditshme që hasin vajzat që duan të integrohen në këtë klub.

Sfidat qё hasim pёrditё janё se vajzat s’janë tё lejuara tё ndjekin aktivitetet qё duan. Ёshtё gjithmonё dikush qё monitoron çdo aktivitet të tyrin, dhe ky dikushi pёrkon tё jetё pothuaj gjithmonё njё burrё. Shumё prej tyre s’kanё autonominё ekonomike, pasi ato çka fitojnё me punёt pёrkatёse i pёrdorin pёr interes tё familjes. Shumё prej tyre nuk mund tё fitojnё asnjёherё mjaftueshëm, sepse përgjegjësitë e tyre janё tё shumta”,– ndan me ne shqetësimin Emarilda.

Rigerta Loku Tushaj nuk është e panjohur për publikun shqiptar, si një qytetare e kthyer nga Italia në Shqipëri për ta ndërtuar jetën në vendlindjen e saj, fshatin Prosekë të Mirditës. Si një fermere tanimë, ajo dëshmon pabarazitë e të jetuarit nën petkun e gruas rurale.

Dua të ndalem tek ato gra të cilat më rrethojnë në përditshmërinë time, gratë rurale. Motori i ekonomive rurale që me duart e tyre nuk ushqejnë vetëm familjen e veta  por edhe të gjithëve ne. Në zonat rurale ka një pabarazi të theksuar që në momentin kur lind, mes një djali dhe një vajze. Vajza lind ne shtëpi të huaj, nuk ka te drejtë as mbi pronën e babait e as mbi pronën e burrit, nuk ka asnjë shërbim apo kujdes mjekësor, nuk ka të drejtë të jetë  e pavarur. Gratë në fshat madje as të votojnë nuk shkojnë. Në të gjitha fshatrat e Shqipërisë nuk ka asnjë grua kryetare fshati, kryeplakë. Të gjitha  pabarazitë e vështirësitë ndodhin vetëm se ne e lejojmë”,- shprehet Rigerta.

Rigerta Loku Tushaj

Gratë, të mohuara nga trashëgimia e pronës

Trashëgimia e pronës, tokës bujqësore ka qenë një privilegj, i cili u atribuohej në përgjithësi djemve të familjes. Shprehja “Vajza lind në derë të huaj dhe shkon në derë të vet” në komunikimet familjare personifikon mes të tjerash edhe “të larguarit bosh” nga shtëpia e saj. Megjithë vitet e kaluara, sërish ky fenomen vazhdon të qëndrojë edhe sot për familjet shqiptare.

“Unё vazhdoj jetoj me familjen, por ime mё ka hequr dorё nga trashegimia e saj mё kёrkesё tё sё vёllait. Dhe kjo, ka ardhur aq natyrshёm saqё nuk diskutohet. Ёshtё gjёja mё normale nё botё. Tё pretendosh trashёgimi nё familjen prindёrore ёshtё anormale. Di raste qё e kanё bёrё, dhe u ёshtё dashur tё ndahen nga familja e tyrё pёrgjithmonё pa trashёgimi pёr “herёzinё” qё kanё bёrё”,-rrëfen Emarilda Leti.

Njejtë me Emarildën i qaset edhe Ermelinda këtij fenomeni. Ermelinda punon në një prej fasonerive në kryeqytet dhe rrëfen se edhe se tanimë ka krijuar familjen e saj, ajo nuk ka trashëguar asgjë nga prindërit. Jo sepse nuk kishte ç’të trashëgonte.

“Jo, nuk kam trashëguar gjë, sepse kanë prioritet djemtë. E vetmja gjë që më ka mbet është të mbledh lekë të blej tokë për veten time“,-shprehet Ermelinda.

“Gra, a ka jetë pas pune?”

“Gra, a mendoni se ka jetë pas pune?” ishte parulla që ngjyrosi disa hapësira publike në Tiranë, një parullë kjo e cila përsëritet çdo 8-Mars nga Organizata Politike.

Për Mirela Ruko, aktiviste e Organizatës Politike, kjo është një thirrje më së shumti për gratë punëtore të cilat punojnë me orë të zgjatura dhe më pas u duhet të punojnë edhe në shtëpi kur kthehen.

Për gruan punëtorë nuk e dimë nëse ka jetë pas punës, pasi pas punës e pret një punë tjetër që janë punët shtëpiake dhe ndaj me këtë aksion ne duam që gratë të mendojnë në lidhje me kohën e tyre në lidhje me aktivitetet që bëjnë, në lidhje me veten e tyre dhe mos mendojnë vetëm për të tjerët që në këtë rast është pronari ose familja”,-u shpreh Mirela.

Mirela Ruko, OP

Sipas saj, angazhimi gjithmonë në punë nuk u krijon grave të kenë një jetë sociale dhe zhvillimi të vetes.

Gratë e fasonerive kanë një të përditshme që ripërsëritet gjatë gjithë jetës së tyre për sa kohë që punojnë në fasoneri që është: në mëngjes zgjohen, shkojnë në punë edhe pas punës hipin në autobus për t’u kthyer në shtëpi dhe më pas vazhdojnë me punët e shtëpisë dhe kështu është cdo ditë e tyre, pa asnjë lloj dinamizmi, pa asnjë lloj mundësie tjetër për të parë realitetin ose zhvillimin e vetes, fuqizimin e vetes”,-shton Mirela.

Lumturi Kamberaj, prej 42 vitesh ushtron profesionin e naftëtares në uzinën e Ballshit. Megjithë punën e lodhshme, shpesh përtej orarit, ajo rrëfen se i duhej të kujdesej edhe për punët e shtëpisë pasi kthehej në familje.

Do vinim të lodhura por edhe të përgjumura nga turnet e treta edhe donim nuk donim do bënim edhe gjellën, do bënim edhe punët. Kush kishte ndihmë jo vajza, ishte më e shplodhur, kush nuk kishte….Nga gratë, se burrat normale kishin gratë. Kurse gratë ishin më të lodhura në punë, por edhe në shtëpi duhej të punonin”,-rrëfeu Lumturia për Citizens Channel.

Të njëjtin realitet pasqyron edhe Ermelinda që punon në fasoneri.

“Do ngrihesh shumë herët, do shkosh në punë dhe kur të kthehesh do merresh me punë jo te paguara siç është puna shtëpiake dhe kujdesi ndaj fëmijës”.

Sipas saj puna e grave rifillon kur kthehen në shtëpi.

Një burrë punon 7 orë dhe pastaj rri në shtëpi, nuk është normale sepse edhe gruaja ka punuar. Puna e këtyre burrave mbaron jashtë, ndërsa puna e grave mbaron jashtë dhe rifillon kur vijnë në shtëpinë”,- përfundon Emrelinda.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *