Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Çfarë humbasim nëse ndërtohet aeroporti i Vlorës?

Organizatat “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) dhe “Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri” (INCA Albania) u mblodhën këtë të premte për të kundërshtuar edhe një herë planin e ndërtimit të aeroportit në Vlorë.

Tenderi për ndërtimin e këtij aeroporti u hap në vitin 2019 dhe në muajin mars të këtij viti u shpall fituese e koncensionit një konsorcium mes “Mabetex Group” në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, kompanisë turke “Yda Group” dhe “2A Group sh.p.k”.

Ata pritet të ndërtojnë dhe ta mirëmbajnë për 35 vjet këtë aeroport, të pozicionuar në fshatin Akërni, pranë Lagunës së Nartës.

Projekti do të zërë vend brenda zonës me status “Peizazh i mbrojtur”, kategori e pestë, që strehon çdo vit mbi 10 mijë shpendë. Disa prej këtyre shpendëve shtegëtojnë më pas deri në Afrikë.

Kategoria “Peizazh i Mbrojtur”, bazuar në ligjin 81/2017, lejon ndërtime me anë të një lejeje të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).

Ligji 81/2017 – Pika nr.4

“Veprimtaritë, që ndryshojnë përdorimin e territorit si ndërtimet, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane, si dhe veprimtari të ngjashme me këto, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon të kryejë veprimtarinë është pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit”.

Sipas ambientalistëve, në rastin e ndërtimit të një aeroporti, zhurmat konstante do të ndikojnë në trembjen e shpendëve, të cilët do të detyrohen të shtegtojnë në zona të tjera.

Mund ta imagjinoni vetë, nëse brenda një ditë ngrihen 30 avionë, zhurmat do shqetësojnë dhe detyrimisht shpendët që folezojnë nuk do e gjejnë qetësinë për të folezuar dhe do detyrohen të shkojnë në zona të tjera që tashmë mund të kenë arritur kapacitetin e tyre ekologjik”, – shpjegon për Citizens Channel Zydjon Vorpsi, ekspert shpendësh.

Zydjon Vorpsi, ekspert shpendësh

Shtegtimi i këtyre shpendëve në zona të mbipopullura mund të çojë në konfliktimin e tyre dhe rrjedhimisht, disa prej këtyre shpendëve nuk do të mbijetojnë.

Humbja e zonave natyrore është një gabim që ka ndodhur më përpara, por nuk mund të vazhdojë të ndodhë, pasi kjo çon në zhdukjen e trashëgimisë natyrore duke ulur popullatat e shpendëve apo faunës së egër”, – vijon më tej Vorpsi.

Një tjetër rrezik i këtij aeroporti, sipas ekspertëve, lidhet me aksidentet nga përplasja e shpendëve.

Ka raste studimi të provuara shkencërisht që në zona të tilla ka rrezik shumë të lartë aksidentesh, me shpendët e mëdhenj qafëgjate që përplasen me avionin ose motorët e avionit”, – artikulon Zydjon Vorpsi.

Ndërtimi i aeroportit, shkelje e konventave ndërkombëtare për mjedisin

IUCN (International Union for Conservation of Nature), në një material të publikuar pak ditë më parë, thekson se projekti është në kundërshtim me direktivat ndërkombëtare.

Bazuar në standardet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe në kuadrin legjislativ për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe zonave me vlera të larta natyrore, ndërtimi i këtij aeroporti do të kishte një ndikim shkatërrues në ekosistemin e Vjose-Nartë”.

Përveç thirrjes për rishikim të projektit nga autoritetet shqiptare, IUCN thekson se një investim i kësaj natyre është një kërcënim për shpendët që gjallojnë Vjosë-Nartën.

Ndërtimi i këtij lloji të infrastrukturës kërcënon integritetin ekologjik të kësaj zone për shkak të tjetërsimit të habitateve gjatë fazës së investimeve dhe shqetësimeve të vazhdueshme gjatë fazës operacionale”.

Gabriel Schwaderer nga organizata ndërkombëtare EuroNatur u shpreh se Vjosa nuk rrezikohet vetëm nga hidrocentralet, por edhe nga aeroporti.

#Vjosa river is not only threatened by hydro dam projects, but also by a planned international airport in the centre of the protected Vjosa/Narta ecosystem. The envi groups in #Albania as @ppnea @ECOALBANIA1 need solidarity @patagonia @LeoDiCaprio https://t.co/xOiHQyoBUX

— Gabriel Schwaderer (@G_Schwaderer) March 13, 2021

Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i PPNEA-së, thotë se zhvillimi i një projekti kaq të madh bie ndesh me arsyetimin e mbrojtjes ligjore të Vjosë-Nartës.

Zona e mbrojtur nga ça do mbrohet? Nuk do mbrohet nga ndonjë invazion alien, do mbrohet pikërisht nga investime të tilla. Nëse ndodh në Vjosë – Nartë, pastaj hapet një lojë për të gjitha zonat e tjera të mbrojtura të Shqipërisë”, – shpjegon për Citizens Channel Trajçe.

Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i PPNEA-së

Ky arsyetim mbështetet dhe nga Zydjon Vorpsi, i cili shpjegon se betonizimi i tokës do pamundësojë thithjen e ujit gjatë përmbysjeve.

Efekti i thithës nuk do jetë më, prurjet e Vjosës do të jenë më të dëmshme, ndoshta nxjerr justifikim që Vjosa të kufizohet në prurjet e saj, mund të nxjerrë precedent për hidrocentrale”.

Nga ana tjetër, Trajçe sqaron se mund të përzgjidhen territore të tjera që nuk sjellin kosto të tilla në mjedis.

Është bërë një studim vizibiliteti, i cili praktikisht është i gabuar, pasi e merr këtë lokacion si të mirëqenë, nuk merr disa lokacione dhe të bëjë një vlerësim të barabartë midis tyre. Lokacione të tjera mendojmë që ka boll për t’u konsideruar”.

Devoll Hoxha është një prej banorëve të asaj zone. Fillimisht, Hoxha pohoi se mendimi fillestar i tij ishte se ky ndërtim do të sillte punësim të banorëve.

Devoll Hoxha, banor

Thonë do punësohemi po kur u konsultova me njerëzit ata thoshin punëtorët do i bien vetë, do i bie turku nuk e di kush do e ndërtojë. Ne asnjë lloj përfitimi nuk kemi, ne roje jemi, e shumta punësime 300 mijë lekë, me mik roje natën, jo ditën”, – rrëfeu ai për Citizens Channel.

Hoxha u shpreh se është njohur me projektin vetëm përmes televizorit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *