Raporti “Mushkëri të Gjelbërta”, realizuar nga institute Co-Plan nxjerr në pah shifra shqetësuese të nivelit të ndotjes së ajrit dhe asaj akustike në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Ndërsa Durrësi klasifikohet si qyteti më i ndotur, Tirana, Shkodra dhe Elbasani kanë nivele të grimcave të ndotjes që i kalojnë dukshëm standardet europiane.

Kërkuesi mjedisor Rodion Gjoka rendit aktivitetet industriale të ndërtimit dhe portit, tjetërsimet e ashpra në sipërfaqen natyrore pranë plazhit si edhe ujërat e ndotura si shkaktarët kryesorë që e klasifikojnë Durrësin si qyteti më i ndotur.

“I ftoj të gjithë hulumtuesit apo juristët të verifikojnë nëse ndërhyrjet në infrastrukturë publike janë shoqëruar me leje mjedisore apo jo, a janë zbatuar masat e parashikuara në leje, a është monitoruar, a është raportuar?” shprehet Gjoka për Citizens Channel.

Sipas këtij studimi, në dekadën e fundit Tirana ka humbur 58ha sipërfaqe të gjelbër brenda vijës se verdhe te qytetit, ekuivalent i 82 fushave të futbollit.

“Jetojmë në një qytet që ekonomikisht mund të jetë premtues por nga ana shëndetësore është tepër i pakëshillueshëm”, citohet në raport duke ju referuar kryeqyteti.

Aksi më i ndotur në kryeqytet është Shkolla Teknologjike – Astir – Dogane, i ndjekur nga Kryqëzimi Rrugës së Elbasanit, rrethrotullimi Universitetit Ekonomik dhe zona e Bllokut.

Impakti shëndetësor tek qytetarët, të cilët janë të ekspozuar në këto parametra të përqendrimit të ndotjes në Shqipëri u shkakton atyre një reduktim me rreth 184 dite të jetëgjatësisë sipas publikimit për statusin e cilësisë se Ajrit ne Evropë, nga Agjensia Europiane e Mjedisit.

Ndotja akustike përgjatë 2019 është më e lartë gjatë ditës në Shkodër 66 (dBa) ndërsa gjatë mbrëmjes është më e lartë në Tiranë 57(dBa) në raport me standartin që është 45 (dBa).

Transporti dhe ndërtimi, faktorët kryesorë të ndotjes

Flota e vjetër e automjeteve private, e cila nuk arrin dot te djegë lenden djegëse në menyrë të plotë, është përgjegjëse sipas raportit, për të paktën 2518kton ndotje të shkarkuar ne ajër çdo vit. Automjetet e tonazhit të rëndë, e shërbimeve publike (makinat e  mbetjeve, zjarfikëset, ambulancat etj) dhe transportit publik përbëjnë burimet kryesore të ndotjes nga transporti.

Nga ana tjetër ndërtimi vlerësohet të shkarkojë çdo vit rreth 600kton ndotje, kryesisht në grimca të imta dhe pluhura.

Në fund të raportit janë listuar edhe disa masa propozuese për përmirësimin e situatës aktuale si zbatimi korrekt i ligjit për lejet e mjedisit, fuqizimin e rolit të AKM (Agjensia Kombëtare e Mjedisit) dhe ISHTI (Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial) etj.

Raporto

Leave a Reply