Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrëfime: Personat që humbën punën për shkak të COVID-19 vijojnë të mos marrin asnjë mbështetje

Një vit më parë, mbyllja e shërbimeve dhe transportit publik për shkak të masave të marra për parandalimin e COVID-19 çoi në shtëpi “përgjithmonë” shumë punonjës dhe qytetarë në marrëdhënie pune.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), në tremujorin e katërt të vitit 2020 shkalla e papunësisë në Shqipëri për moshën 15 vjeç e lart është 11.8%. Kjo shifër e krahasuar me vitin 2019 është në rritje me 0.6%.

E me gjithë këtë, referuar shifrave të publikuar nga Instat, në tremujorin e katërt të vitit 2020, numri i të punësuarve në sektorin publik është rritur, interpretuar kjo edhe me situatën zgjedhore në të cilën ndodhet vendi. 8159 më shumë të punësuar në administratën publike në tremujorin e katërt të vitit 2020 krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa punësimet më sektorin privat jo-bujqësor dhe në sektorin bujqësor vihet re ulje e të punësuarve. Përkatësisht, për sektorin privat jo-bujqësor, tremujori i katërt i vitit 2020 ka 4633 më pak të punësuar se ai i vitit 2019. Ndërsa sektori bujqësor ka 13034 më pak të punësuar se e njëjta periudhë e vitit 2019.

Një vit pandemi: Humbje e vendit të punës dhe vështirësi për t’u rikthyer sërish në treg

Prej thuajse dy vitesh, Dajana punonte në një studio arkitekture. E nëse për shumë të tjerë puna përmes kompjuterit ishte vetëm zhvendosje nga zyra në shtëpi pa ndryshuar trendin e punës, për Dajanën ishte humbje e vendit të punës.

Shkëputja filloi në momentin që u izoluam. Në muajin prill nuk shkonim më në zyrë dhe disa punë i kryenim nga shtëpia. Më pas nuk po na jepeshin më punë nga shtëpia dhe po qëndronim pezull në varësi të situatës, nëse do të lëviznim lirshëm apo jo”,- rrëfen Dajana.

Gjatë gjithë periudhës së paqartësisë në lidhje me masat që do të merreshin në vijim dhe se si do të ndikonin për shumë punëdhënës, ajo tregon se nuk pati asnjë komunikim nga studioja për vijimësinë ose jo të saj në punë.

“Largimi nga puna u nënkuptua, duke qenë se nuk pati asnjë komunikim nga pala tjetër. Edhe kur unë interesohesha për vijimin thuhej se do të shikohej situate me pandeminë”,-sqaron Dajana.

Dajana Jolldashi, arkitekte

Për të humbja e një punë në kohë pandemie, teksa i duhej të paguante edhe faturat e vitit të fundit të shkollës ishte një barrë e rëndë ekonomike mes të tjerash.

Mu desh të prisja 4 muaj që të kërkoja diçka tjetër. Katër muaj pa punë në një situatë pandemie dhe aq me tepër për faktin se isha edhe studente, ishin një kohë jo e mirë për mua, qoftë në aspektin psikologjik, por më së shumti në atë ekonomik. Me duhet të rikthehesha te prindërit për ndihmë”,-përfundon ajo.

Sektori i shërbimeve, bar-kafetë, restorantet ishin po ashtu bizneset më të prekura gjatë pandemisë. Edhe pse shpejtësia për tu përshtatur duke e dërguar shërbimin në shtëpi (deliver) ishte e konsiderueshme, sërish shumë persona humbën punën.

Athina Gremi, është një nga ish-punonjëset e një biznesi bar-kafe në kryeqytet. Puna e saj si kamariere u ndërpre fill pas mbylljes së shërbimeve në kryeqytet.

“U largova nga puna për shkak të situatës së krijuar nga korona virusi dhe nuk kishte me hapësirë për vendin e punës si pasojë e orareve dhe klientelës”,-tregon Athina.

Athina kujton se u lajmërua paraprakisht nga zyra e financës për largimin e saj, megjithëse e kishte parandierë si veprim. Ashtu sikurse Dajana, Athina shprehet se largimi nga puna solli përveç ngërçit ekonomik edhe vështirësi për të gjetur një punë tjetër.

“Nga ana ekonomike kjo pandemi ndikoi negativisht sepse pata një periudhe disa mujore pa punë dhe pa të ardhura. Pas largimit nga puna qe shumë e vështirë për të gjetur një vend pune”,-tregon Athina për Citizens Channel.

Sektori i turizmit, ndër më të prekurit 

Referuar një raporti të bërë publik nga Këshilli i Investimeve në Shqipëri turizmi është ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19. 97.6% e të pyeturve për hartimin e raportit u shprehën se COVID-19 ka pasur impakt negativ ose shumë negativ në turizëm. Kompanitë të cilat operojnë në turizëm sipas raportit besojnë se do të përjetojnë ulje më shumë e 20% të të ardhurave vjetore. Ndërsa sfida më e madhe pas një viti pandemie konsiderohet mungesa e klientëve si pasojë e mbylljes së kufijve.

Menduh Zavalani prej 10 vjetësh ushtron profesionin e guidës turistike. Duke zotëruar dy licenca si udhërrëfyes turistik kombëtar dhe udhërrëfyes i specialitetit malor, Menduh nga një arkitekt-urbanist në formim, është kthyer me kohë të plotë në një udhërrëfyes për turistët e huaj dhe vendas.

E me gjithë këtë, prej tetorit të vitit të shkuar ai nuk ka qenë më udhërrëfyes për shkak të pandemisë.

Tetori i vitit 2020 ka qenë hera e fundit (dhe e vetmja e vitit 2020) që kam drejtuar një grup të vogël prej vetëm dy vetash. Pandemia, ndalimi i grumbullimeve dhe shkurajimi i udhëtimeve për shkak të masave kundër përhapjes së Covid-19, kane bërë që turizmi të pësojë një rënie drastike”,-rrëfen Zavalani.

Mendi Zavalani, udhërrëfyes turistik

Menduh tregon për Citizens Channel se viti 2020 për të ka qenë vetëm 4 ditë pune, e sakaq anullimi i guidave të rezervuara erdhën njëra pas tjetrës, shpesh edhe të diktuara nga situata shëndetësore e familjarëve.

“Në mars m’u anulua një grup i madh sportistësh që do t’u beja guidën, për shkak të mbylljes së vendit dhe ndalimit të grumbullimeve. Në prill u anuluan dhe dy grupe të mëdha një javë secili që kishin prenotuar. Dhe midis muajve maj dhe shtator u anuluan të gjitha turet që do të drejtoja me agjencinë që bashkëpunoj më shumë. Në fund të tetorit-fillim nëntorit kisha mundësinë të punoja të paktën një javë për një projekt nder kufitar, për të shënuar shtigjet qe lidhin fshatrat e Dibrës, rreze vargmalit te Korabit. Shtegu quhet “High Scardus”, por nuk munda të bëhesha pjesë, pasi im atë u prek nga Covid-19 dhe duke qenë në kontakt, u detyruam të karantinoheshim”,-rrëfen Menduh Zavalani.

Marsela Zyko, udhërrëfyese prej katër vitesh për të gjitha zonat e Shqipërisë përveç maleve dhe kanioneve, ka përjetuar të njëjtën ndërprerje pune sikurse kolegët e saj.

Marsela Zyko, udhërrëfyese turistike

Hera e fundit që kam ushtruar profesionin tim si guidë ka qenë në gusht. Shkëputja ndodhi për shkak të pandemisë sepse presidenti polak nuk lejoi më që të vinin turistët për shkak të karantinës që u vendos atje”,-rrëfen Marsela.

Edhe sot Marsela vijon të mos e ushtrojë profesionin e saj për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19.

Pas një 2020-te pa asnjë aktivitet, muaji shtator ishte hera e fundit kur Bruno Ismaili mundi të kryejë një guidë turistike. Prej 2014, Bruno u rrëfen udhën turistëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Republikën e Kosovës, duke prekur zonat malore dhe kulturore.

“Hera e fundit ishte vjet në shtator pas gjithë sezonit turistik 2020 që ishte shterpë. Shkëputja ndodhi prej marsit deri në tetor, periudhë kjo e cila mbulon gjithë sezonin turistik në Shqipëri”,-sqaron Bruno.

Bruni Ismaili, udhërrëfyes turistik

Edhe gjatë kësaj guide të zhvilluar vitin që shkoi ai kujton të ketë pasur më pak grupe se zakonisht, ndërsa ndikimi i pandemisë për të është i gjithanshëm.

Vjet kisha vetëm 1 grup turistik ku zakonisht kemi rreth 15-20 të tillë nga 9 deri 14 ditor. Një vit pandemi ka vetëm anë negative, asgjë pozitive ekonomikisht, psikologjikisht…Më keq s’ka ku shkon”,-rrëfen Bruno Ismaili.

“Të përjashtuar” nga paketat ndihmëse të qeverisë 

Qeveria shqiptare hartoi dy paketa financiare për të mbështetur bizneset dhe qytetarët gjatë kohës së izolimit. Ndërsa u vu në lëvizje instrumenti i Garancisë Sovrane me një total prej 26 miliardë lekësh sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Në paketën e parë u ofrua ndihmë financiare për bizneset e vogla që mbyllën aktivitetin e tyre si dhe duke përfshirë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes si dhe personat fizikë tregtarë dhe juridikë të punësuar.

Në paketën e dytë pati një vëmendje për të subvencionuar punonjësit e larguar nga bizneset me të ardhura më shumë se 14 milionë lekë, ashtu sikurse profesionet e lira, farmacitë, tregtia dhe punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.

Referuar një studimi të botuar nga fondacioni Friedrich Ebert, “Bota e Punës në Kohë Pandemie”, paketat e ndihmës nga qeveria kanë përjashtuar një numër të madh punëtorësh ashtu sikurse mbështetja financiare ishte shumë e ulët.

“Të vetëpunësuarit dhe të punësuarit në biznesin e vogël të mbyllur me urdhër qeveritar morën “pagën e luftës” prej 26,000 lekë/muaj për një periudhë tremujore; të papunët dhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike përfituan vlerën e dyfishtë; dhe 10,000 të punësuarit në sektorin e turizmit, 66,000 të punësuarit në biznesin e madh, por që humbën punën dhe 100,000 të punësuarit në biznesin e vogël të prekur nga pandemia morën vetëm një pagesë 40,000 lekë për tre muajt e mbylljes së këtyre njësive ekonomike. Sipas këtij vlerësimi, nëse zbritet nga paketat qeveritare Garancia Sovrane, atëherë fondi i vënë në dispozicion për të mbështetur të punësuarit si edhe grupet që trajtohen me pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike është më i vogli krahasuar me vendet e rajonit”, -thuhet në studim.

Për Arben Kola, aktivist dhe  udhërrëfyes turistik, mbështjetja nga ana e shtetit gjatë pandemisë nuk ka qenë e pranishme.

“Shumë keq, prej Shtatorit të 2020 kam marrë borxh dhe vazhdoj të marr. Nuk jam përfshirë, por as nuk kam marrë asnji qindark nga shteti”,-tregon Beni për Citizens Channel. Viti 2020 për të ka qenë periudha me 96% më pak punë krahasuar me vitin 2019.

Ashtu sikurse Arbeni, edhe Marsela me Brunon rrëfejnë se nuk kanë përfituar nga paketat ndihmëse të qeverisë.

Në aspektin ekonomik shkëputja e punës ndikoj shume keq sepse punova vetëm një muaj e gjysmë. Nuk jam përfshirë ne paketat ndihmese te shtetit, ketë as vete se mora vesh”,-tha Marsela.

Unë personalisht nuk jam përfshirë, por disa kolegë të tjerë po. Se di si është bërë përzgjedhja. Nje nga problematikat te profesionit tone eshte qe as vjet dhe as sivjet nuk kemi as plan, as strategji dhe asnje komunikim nga ministria. Duket sikur jemi të parëndësishëm për Ministrinë e Turizmit”,-u shpreh Bruno.

Edhe arkitektja Dajana Jolldashi tregon se nuk ishte përfituese e paketave ndihmëse. Paketat ndihmëse në fakt nxorën në pah një tjetër aspekt të punës së saj të mëhershme, të qenit e pa siguruar.

Ndryshe nga më sipër, Menduh Zavalani rrëfen se ka qenë përfitues i njërës prej paketave ekonomike të ndara nga qeveria. Megjithatë, ky kontribut ka qenë i pamjaftueshëm.

“Në muajin prill unë përfitova nga paketa e dytë ekonomike prej 40 000 lekësh dhe kaq. Kjo shumë e barabartë me rrogen mesatare të një muaji, mjaftoi për të mbuluar vetëm 5 muaj të siguracioneve personale, plotësisht e pamjaftueshme për një ndihmë të mirëfilltë ndaj demit që shkaktoi pandemia me blerjen e ilaçeve apo anulimin e tureve”,-përfundon Zavalani.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *