Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shembja e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” kthen vëmendjen te shkatërrimi i monumenteve të kulturës

Paraditen e së shtunës, më 20 mars 2020, nisi shembja e godinave të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Ky veprim u paralajmërua më herët si “rehabilitim”, në fillim të muajit mars nga Kryeministri Rama përmes një video të shpërndarë në rrjetin social Facebook.

“Mirëmëngjes, dhe me fillimin e investimit të shumëpritur për zgjerimin dhe rindërtimin e plotë të maternitetit të vjetër të Tiranës pas dëmtimeve nga tërmeti, teksa janë duke u ndërtuar nga themelet edhe 3 maternitete të tjera në vend, ju uroj një ditë të mbarë”,-citon Rama në statusin e tij.

(Video e marrë nga Kryeministri Rama – Faqja e të cilit në “Facebook” ka bllokuar ri-shpërndarjen e videove në hapësira të tjera)

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale është autoriteti kontraktor i projektit, ndërsa projektues është Instituti i Ndërtimit.

Projekti parashikon rikonstruksionin e godinave dhe ndërtimin e një godine të re 3 katëshe. Të gjitha këto me një fond prej afër 560 milion lekë me TVSh.

Në garë kanë marrë pjesë 9 kompani, 8 prej të cilave janë skualifikuar për mos plotësim kriteresh. Referuar të dhënave të marra në regjistrin e prokurimeve publike, firma fituese kontraktuese nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale është BOE “Agi Kons” Shpk dhe “BE-IS” Shpk, me të cilën është lidhur kontratë më 27 nëntor 2020.

Megjithëse në kontratë projekti konsiderohet si rikonstruksion i godinave, në realitet godinat të cilat përbënin edhe fasadën e maternitetit janë shembur. Kjo ka sjellë reagim të arkitektëve dhe urbanistëve sipas së cilëve, godina ka një rëndësi kulturore dhe identitare të qytetit.

Referuar listës së monumenteve të kulturës të Qarkut Tiranë, të bërë publike nga Insituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, materniteti “Mbretëresha Geraldinë” gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së II-të me një vendim nr.122 të datës 5.03.2007.

Sipas ligjit nr.27/2018 për “ Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, godina që gëzon statusin “Monument Kulture” i kategorisë II, është ndërtim me vlera të spikatura kryesisht për pamjen e tij të jashtme, i cili ruhet në vëllime dhe përbërje arkitektonike të këtyre pamjeve të jashtme.

Reagimet për shembjen e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” 

Arkitektja dhe urbanistja Doriana Musai dënoi aktin e shembjes së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” duke e konsideruar si vrasje me dashje e monumenteve te kulturës.

Universiteti Polis me fokus në degët e arkitekturës dhe inxhinierisë  si dhe Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë shprehën keqardhjen për mënyrën se si po kryhet ndërhyrja e rikonstruksionit në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

“Kjo ndërtesë historike – ashtu si Parku, Stadiumi, Teatri dhe shumë vila të viteve 20/30të – përfshihet në fondin e objekteve me status special dhe/ose monument kulture, dhe i përkasin një periudhe mjaft interesante të modernizimit të kryeqytetit”,-thuhet në deklaratën e AUA-së dhe Universitetit Polis

Reparti i parë i Materniteti në Tiranë është inaguruar më 7 maj 1937 pranë spitalit civil “Zogu I”.

Për të mësuar më shumë rreth statusit të tanishëm që gëzon kjo godinë, nëse do të ndërtohet duke ruajtur pjesën e mbrojtur dhe raportin vlerësues pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019 nga Komiteti i Ndërtimit, Citizens Channel ka nisur disa kërkesa për informacion drejt insitutcioneve përgjegjëse, për të cilat është në pritje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *