Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Drejtuesi i Patagonia i bashkohet zërave për mbrojtjen e Vjosës dhe betejës kundër digave në Ballkan

Kompania amerikane Patagonia, prej afro gjashtë vitesh është përfshirë në mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë, lumin Vjosë në Shqipëri.

Teksa në Amerikë, nga viti 2015, nisi një fushatë për shembjen e digave dhe ‘çlirimin’ e lumenjve, ata ranë në kontakt me kauzën e ngritur për ta shpëtuar Vjosën nga ndërtimi i më shumë se 30 hidrocentrale, diga të planifikuara për të zënë vend në zonën qëndrore të rrjedhës dhe në degëzimet e saj.

Ryan Gellert, drejtuesi i Patagonia-s, në një intervistë për Citizens Channel kujton se vite më parë ka pasur mundësinë ta vizitojë luginën e Vjosës dhe të qëndrojë disa ditë aty.

E konsideroj veten me fat pasi kam pasur mundësinë të punoj, të jetoj dhe të udhëtoj në shumë vende të botës dhe e kam vizituar një herë Vjosën. Kalova disa ditë atje ku bëra kamping, rafting dhe kayaking. Është me të vërtetë një ndër vendet më të bukura dhe të veçanta që kam parë në botë”, – u shpreh për Citizens Channel Gellert.

Ai beson se dizenjimi i Vjosës si Park Kombëtar është mbrojtja e duhur ligjore për një ekosistem me vlera të rralla në Evropë dhe botë, ndërkohë që i ofron Shqipërisë mundësi zhvillimi.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që Vjosa të klasifikohet si Park Kombëtar pasi ofron mbrojtjen më të mirë për lumin dhe biodiversitetin. Unë mendoj se Shqipëria dhe komunitetet lokale mund të përfitojnë nga ekoturizmi”.

Pse Park Kombëtar dhe jo diga?

Unë mendoj se është keqkuptuar, mendoj se hidrocentralet janë një teknologji e vjetëruar në të cilin njerëzit shpresonin shumë. Shumë prej vendeve të botës po largohen nga ndërtimi i hidrocentraleve”, – tha në vijim Ryan Gellert.

Ndërtimi i hidrocentralit të Kalivaçit dhe Poçemit në zemër të lumit Vjosë mund të sjellë dëme të gjthanshme, sipas drejtuesit të Patagonia.

E kemi parë në pjesë të tjera të botës se çfarë ndodh kur vendosen këto projekte të rëndësishme hidroenergjitike në mes të ekosistemeve të paprekura. Ajo që shihni është ndikimi në gjithçka që mbrohet dhe varet nga këto ekosisteme natyrore për të mbijetuar. Këto padyshim që janë gjëra si peshku, zogjtë”.

Ryan Gellert, drejtues i kompanisë amerikane Patagonia

Jo vetëm kafshët, edhe komuniteti lokal ndikohet, vijon më tej Gellert.

Mendoj se në fakt komunitet humbasin atdheun, vendin ku kanë jetuar prej brezash, vendet ku u prehen të afërmit, ku kanë ndërtuar shtëpitë. Unë mendoj se kulturalisht, lumenjtë i kanë përcaktuar komunitetet për breza të tërë, në mos prej shekujsh. Shumë zona, përfshirë ato përgjatë lumit Vjosa, janë në rrezik”.

Shpallja e lumit Vjosë Park Kombëtar, është një mënyrë për të reflektuar rreth gabimeve të së shkuarës, shpjegon Gellert.

Kjo është një mundësi për të bërë më pak keq, kjo është një mundësi për të bërë diçka fantastike”.

Nëse lugina e Vjosës nuk merr mbrojtjen ligjore “Park Kombëtar”, ku sipas ligjit mbrohet nga ndërtime si hidrocentralet apo projekte të tjera madhore, Gellert beson se do të “vërshojnë” vepra të shumta mbi atë lumë.

Çdo gjë më pak sesa mbrojtja “Park Kombëtar” do të na bëjë që ta gjejmë veten duke thënë: ‘Le ta mbrojmë këtë pjesën e vogël të Vjosës por le të ndërtojmë edhe aeroport, le ta mbrojmë edhe këtë pjesë të vogël por ndoshta mund edhe të bëjmë një hidrocentral të vogël’”.

“Shkëlqimi dhe rënia e digave nëpër botë”

Në Amerikë, shpjegon Gellert, disa prej lumenjve janë çliruar nga digat pasi janë hequr këto të fundit duke i lënë lumenjtë të rrjedhin të lirë. Këto lëvizje janë ndërmarrë pasi digat pengojnë lëvizjen e peshqve dhe e specieve të tjera, dëmtojnë cilësinë e ujit dhe shkatërrojnë regjimin e rrjedhës së lumit.

Po ashtu, kur digat vjetërohen dhe prishen, ato mund të kthehen në rrezik për sigurinë publike.

69 diga janë hequr nga lumenjtë në Amerikë në vitin 2020, 90 janë hequr në vitin 2019, 82 diga në vitin 2018, 86 në 2017-tën ndërsa viti 2016 shënoi shëmbjen e 72 digave.

Ne po e kuptojmë ndikimin e vendimeve tona dhe në të vërtetë kemi filluar t’i heqim digat. Digat janë të shtrenjta për t’u ndërtuar, madje edhe më të kushtueshme për t’u hequr. Të kthehesh mbrapsht dhe të heqësh digat, sjell një ndikim të jashtëzakonshëm në botën natyrore dhe financiarisht është një katastrofë”, – tha në vijim Gellert për Citizens Channel.

Sa i përket Shqipërisë, Gellert beson se mund të shfrytëzohet fare mirë energjia diellore.

Komunikimi i cungët me autoritetet shqiptare

Prej asaj periudhe, Ryan Gellert tregon se vazhdimisht kanë tentuar në shumë mënyra për të kontaktuar me autoritetet në Shqipëri, por komunikimi nuk ka qenë shpesh i frytshëm.

Ne kurrë nuk e kemi ndjerë po punojmë në partneritet të plotë me Qeverinë Shqiptare”, – u shpreh drejtuesi i Patagonia-s i cili së bashku me organizatën kombëtare EcoAlbania dhe ato ndërkombëtare si EuroNatur, RiverWatch kanë nisur fushatën botërore #VjosaNationalParkNow (Vjosa Park Kombëtar Tani).

Ka pasur periudha si kjo e vitit të shkuar ku Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti thanë që duhet ta mbrojmë lumin, por mendoj se ajo çfarë ka qenë sfidë për ne ishte ‘lundrimi’ në atë çfarë politikanët shqiptarë kanë thënë dhe ajo çfarë ata vërtetë kanë bërë”.

Për këtë arsye, Ryan Gellert i drejtohet politikanëve shqiptarë dhe qytetarëve të përdorin mundësitë dhe pozitat e tyre për ta mbrojtur lumin Vjosë nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe ta kthejnë atë në një zonë të mbrojtur, si një pasuri jo vetëm e Shqipërisë.

Drejtuar njerëzve në Shqipëri, ju keni një mundësi, tani, për të mbrojtur një nga xhevahiret e Evropës dhe jeni kaq të bekuar që keni atë dhe mundësinë për ta mbrojtur. Është imediate, tani, zgjedhjet janë muajin tjetër. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur”, – përfundoi Ryan Gellert.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *