Pamje nga ekspozita "Synime"/ Galeria Kombëtare e Arteve

Sot është dita e fundit e ekspozitës “Synime”, e cila sjell dhjetëra vepra nga artiste gra të Shqipërisë dhe Kosovës të periudhave të ndryshme kohore.

Pas një muaji në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ekspozitë do të zhvendoset në Kosovë.

“Synime” ka në fokus vajzat dhe gratë artiste dhe marrëdhënien e tyre me fushën e artit, publiken dhe privaten.

Pritshmëritë shoqërore ndaj artisteve, për të dhënë kontribute brenda hapësirës familjare krahas sferës publike, zënë vend në shumë prej veprave të sjella në këtë ekspozite.

Ekziston një disbalancë mes përfaqësimit të grave dhe burrave në fushën e artit. Kjo natyrisht që ka të bëjë me percepisonin që kulturalisht është ndërtuar mbi gruan dhe i cili lidhet më shumë me sferën private”, – thotë për Citizens Channel Erëmirë Krasniqi.

Krasniqi dhe Adela Demetja janë dy kuratoret e kësaj ekspozite.

Edhe përmes lakuriqësisë, shumë prej veprave artistike të sjella në këtë ekspozitë synojnë të lëvrojnë marrëdhënien e gruas me vetë fizikun e saj.

Shumë nga punët e prezantuara merren me diskurset të cilat definojnë apo ndërhyjnë në mënyrën se si gratë perceptojnë funksionin shoqëror të trupit të tyre. Shumë vijnë si reagim, shumë prej tyre gjejnë rehati në të, dhe shumë prej tyre e çlirojnë nga perceptimet që e largojnë gruan nga vetja për shkak të diskursit tjetërsues dhe çpronësues karshi trupit të saj”, – tregon Erëmirë Krasniqi.

Shpalosja e veprave artistike kanë edhe si qëllim të nxisin diskurse feministe dhe t’i japin zë kontributeve të grave në shoqëri.

Erëmirë Krasniqi, kuratore e ekspozitës “Synime”

Në këtë situatë, mes harresës dhe kujtesës, historia zyrtare dhe kjo e historisë së artit nuk i kujton dhe dokumenton arritjet e grave në art apo shoqëri. Gratë artiste në shumë mënyra janë marrë me histori, kanë pozicionuar vetën si prodhuese të gjuhës vizuale që narrativizon historinë e përbashkët, kujtesën kolektive apo atë personale”, – citon Krasniqi.

Kjo ekspozitë manifeston pozicionin e gruas në shoqëri, si një pozicion tejet politik. “Synimi” synon ndryshimin e marrëdhënies së vajzave dhe grave me shoqërinë.

Nga gratë nuk pritet të përfaqësojnë komunitetin e gjerë, ato as nuk përgatiten nga shoqëria të marrin pozita të larta as në institucione publike, dhe këto janë pritjet e vërteta që shoqëritë tona në Kosovë dhe Shqipëri kanë për gratë”, – rrëfen Erëmirë Krasniqi.

Njohja e kontributit të grave në fushën e artit, vijon Krasniqi, është i rëndësishëm për disa arsye.

Roli i grave në art është i rëndësishëm pasi që përmes punës së tyre ato do të zgjerojnë sensoriumin kulturor, por edhe të kujtesës. Është me rëndësi që ato të vazhdojnë të krijojnë që gratë që vijnë dhe i bashkëngjiten kësaj fushe të kenë referenca më të largëta dhe perceptim më të pasur mbi gruan dhe krijimtarinë e tyre”, – përfundon ajo.

Raporto

Leave a Reply