Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të drejtat e njeriut në Shqipëri nën lupën e DASH

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar së fundmi raportin “Mbi praktikat e të drejtave të njeriut” për vitin 2020 për Shqipërinë. Në këtë raport analizohen të gjitha fushat që prekin të drejtat e njeriut si trajtimi dhe kushtet në burgje apo paraburgim, korrupsioni, kthimi i pronës, liria e shprehjes dhe e shtypit, personat me aftësi të kufizuar, trajtimi i komuniteteve rome dhe egjiptiane etj.

Mbi rajtimin e të burgosurve apo të shoqëruarve në stacionet policore, DASH thekson se policia dhe rojet e burgut kanë ushtruar dhunë ndaj të burgosurve, kryesisht në stacionet e policisë.

“Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës raportoi se kishte marrë një numër të konsiderueshëm të akuzave për keqtrajtim të të dyshuarve kriminalë nga oficerët e policisë. Shumica e akuzave përfshinin përdorimin e forcës së tepruar në kohën e kapjes ose menjëherë pas kapjes”,-citon raporti.

Ndërkaq, sipas raportit akuzat kishin të bënin po ashtu edhe me keqtrajtimin gjatë transportit ose marrjes në pyetje fillestare të qytetarëve të shoqëruar në komisariate. Keqtrajtimi kishte të bënte me përdorimin e shuplakës, grusheve si dhe përdorimin e prangave tepër të ngushta.

Kushtet e burgut dhe korrupsioni në administratë

Mungesa e përkujdesit shëndetësor, kushtet e këqija fizike nën standardin në burg apo qendra të paraburgimit jashtë Tirane apo qendrave të mëdha urbane ishin po ashtu disa nga problematikat e hasura nga raportuesit.

“Kushtet e burgut dhe qendrës së paraburgimit ndryshonin ndjeshëm nga mosha dhe lloji i institucionit. Të burgosurit u ankuan se autoritetet e burgut linin dritat ndezur në qelitë e tyre tërë ditën; kjo masë kërkohet nga ligji. Objektet e burgjeve në Krujë, Lushnjë, Rrogozhinë, Sarandë, Lezhë dhe Tepelenë u raportuan nga Zyra e Avokatit të Popullit për probleme urgjente të infrastrukturës”,-thuhet në raport.

Po ashtu raporti prek edhe kohën gjatë pandemisë ku vizitat familjare u pezulluan me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

“Autoritetet rritën kohën për thirrjet telefonike të të burgosurve me familjet e tyre dhe instaluan kompjuterë për të mundësuar komunikimin përmes Skype. Avokatët mund të vizitonin klientët e tyre, por u kërkohej të përdornin pajisje mbrojtëse dhe të mbanin distancën fizike. Në 23 Mars, qeveria dha një leje tre-mujore për afro 600 të burgosur, duke i lejuar ata të vuajnë dënimin e tyre në shtëpi”,-shkruan raporti.

Ajo çka nënvizohet mes të tjerash është edhe korrupsioni në këto insitucione.

“Në 2018 ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Arben Cuko, u arrestua me akuza korrupsioni. Në korrik drejtori i burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhi dhe një anëtar tjetër i stafit u arrestuan për lirimin e paautorizuar të një të dënuari. Që nga tetori, çështja e tyre vazhdoi të ishte nën hetim. Gjatë korrikut, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se kishte kryer procedime disiplinore kundër 422 anëtarëve të personelit të burgut dhe kishte pushuar nga puna 33 prej tyre. Gjatë gushtit, drejtoria shkarkoi gjashtë drejtorë burgu dhe katër të tjerë ishin nën hetim”.

Diskriminim ndaj komunitetit rom dhe egjiptian

Një sërë rastesh ku anëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane janë diskriminuar në aspektin e strehimit, punësimit, kujdesit shëndetësor dhe arsimin, janë evidentuar në raport.

Disa shkolla i rezistuan pranimit të studentëve romë dhe ballkano-egjiptianë, veçanërisht nëse studentët dukeshin të varfër. Shumë shkolla që pranuan studentë romë i margjinalizuan në klasë, nganjëherë duke i veçuar fizikisht nga studentët e tjerë. Që nga gushti, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte marrë 12 ankesa për diskriminim për shkak të racës dhe përkatësisë etnike, duke vendosur në favor të ankuesit në dy raste”,-thuhet në raport.

Në një nga rastet komisioneri vendosi kundër bashkisë Fier dhe ndërmarrjes së saj të ujësjellësit dhe kanalizimit për diskriminim të familjeve rome duke urdhëruar bashkinë dhe ndërmarrjen të furnizonin me ujë të rrjedhshëm familjet. Në rastin kur bashkia dhe ndërmarrja nuk u përgjigjën, komisioneri vendosi gjoba

Personat me aftësi të kufizuar

Edhe pse kushtetuta dhe ligjet e miratuara ndalojnë diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuar qofshin ato fizike, intelektuale dhe mendore sërish shumë insitucione publike ose jo kanë diskriminuar për shkak të aftësisë së kufizuar, sqaron raporti.

“Ligji urdhëron që ndërtesat e reja publike të jenë të arritshme për personat me aftësi të kufizuara, por qeveria zbatoi vetëm në mënyrë sporadike ligjin. Që nga gushti, komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi kishte marrë dy ankesa për diskriminim të pretenduar ndaj individëve me aftësi të kufizuara dhe vendosi në favor të ankuesve në pesë raste. Në një rast komisioneri vendosi kundër zyrës lokale të arsimit në Elbasan për refuzimin e punësimit të një mësuesi për shkak të paaftësisë së saj”,-citon raporti.

Liria e shprehjes, përfshirë edhe shtypin

Raporti nënvizon faktin se qeveria shqiptare miratoi paketën e ashtuquajtur paketa anti-shpifje dhe se shumë organizata joqeveritare dhe ndërkombëtare kritikuan ndryshimet duke ngritur një debat publik.

Mes të tjerash raporti nënvizon faktin se ekziston censurë ose vetëcensurë në mediat shqiptare.

“Gazetarët shpesh praktikonin vetëcensurë për të shmangur dhunën dhe ngacmimet. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmendi censurimin dhe vetëcensurën si problemet kryesore për gazetarët. Një sondazh i 800 profesionistëve të medias botuar në 2019 zbuloi se 62 përqind e të anketuarve menduan se kishte ndërhyrje nga individë ose politikë; 60 përqind menduan se kishte ndërhyrje nga pronarët e mediave; 39 përqind menduan se kishte vetëcensurë dhe 31 përqind menduan se kishte korrupsion në media. Rreth 78 për qind e profesionistëve të medias menduan se kishte gazetarë që merreshin me praktika korruptive për të raportuar keq historitë”,-shkruan raporti.

Pandemia po ashtu sipas raportit përkeqësoi vonesat në pagat e reporterëvë në shumë media, në disa raste deri në 10 muaj.

Abuzimi i migrantëve, refugjatëve dhe personave pa shtetësi

Sjellja kundrejt migrantëve nga policia kufitare dhe situata me qendrat pritëse të tyre janë mes të tjerash të pasqyruara në raport si problematika të dalluara.

Zyra e komisionerit të Lartë për Refugjatët (UNHCR) ka raportuar disa raste të policisë kufitare që kthente migrant në greqi pavarësisht qëllimit të tyre për të kërkuar azil. Raporti citon se autoritetet ndaluan 7404 migrantë të parregullt të cilët hynë në vend nga muaji janar deri në gusht në kufirin jugor me Greqinë e ndërsa shumica e tyre që nuk kërkuan azil u deportuan në Greqi brenda 24 orësh.

Migrantët që pretenduan azil u strehuan në mjedisin e hapur për migrantë në Babrru. Shumë nga migrantët e parregullt të vendosur në Babrru u kapën përsëri duke u përpjekur të kalonin në Malin e Zi në vend që të qëndronin në vend për të ndjekur kërkesat e azilit. Qendrat Karrec dhe Babrru u përballën me kufizime të financimit dhe qeveria mbylli qendrën Babrru përkohësisht për të vlerësuar konsumimin e objektit dhe vlerësimin e riparimeve të nevojshme”.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës nga qeveria, kthimi i pronave, kushtet e punës, punësimi i fëmijëve ishin po ashtu disa nga cështjet e pasqyruara në raport.

Në faqen zyrtare në Twitter ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Shqipëri lidhur me raportin e DASH.

Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA për të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë për vitin 2020, vëren përparim të rëndësishëm nga prokurorët në ndjekjen e rasteve të nivelit të ulët të korrupsionit por shqetësime të vazhdueshme mbi korrupsionin e përhapur; pavarësinë e gjyqësorit; kufizime në lirinë e të shprehurit dhe të medias; dhe pandëshkueshmërinë” -shprehet ambasada.

(1/2) The @StateDept‘s 2020 #HumanRightsReport on 🇦🇱 notes significant progress by prosecutors in pursuing low-level public corruption cases, but continuing concerns over pervasive corruption…

— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) March 31, 2021

Për të lexuar më tepër mbi raportin klikoni: Raporti për të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë 2020 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *