Burimi: Foto nga video e publikuar nga ministri Niko Peleshi në faqen e tij Facebook

Për situatën në të cilën ndodhen sot kontrollorët e trafikut ajror në Shqipëri ka reaguar edhe Unioni i Sindikatave Evropiane të kontrollorëve të Trafikut Ajror.

Në Shqipëri, pesë kontrollorë të trafikut ajror (ATCO) janë pushuar nga puna për shkak të stresit të rëndë me të cilin kanë jetuar gjatë vitit të kaluar, përkeqësuar nga ulja e njëanshme e pagave deri në 70%, shkarkimi i tyre ndodhi pasi ata deklaruan paaftësi të përkohshme për shkak të këtyre streseve në përputhje me skemën e kompetencës së ATCO-së shqiptare”,-thuhet në reagimin e ATCEUC.

Ata e kanë paralelizuar situatën e kontrollorëve të trafikut ajror shqiptar me atë të kontrollorëve polakë, duke shërbyer ky reagim për të dyja palët me qëllim zgjidhjen e situatës përmes dialogut dhe jo përmes qasjeve totalitare.

“ATCEUC dënon injorimin absolut të PANSA (kompania polake) dhe Albcontrol në lidhje me bazat e një dialogu të shëndetshëm shoqëror. Ato të dyja i vendosin punonjësit e tyre nën stres të jashtëzakonshëm që dëmton sigurinë e operacioneve të tyre. Për temat e sigurisë, është e natyrshme të kesh mendime të ndryshme brenda sektorit evropian të ATM-ve. Problemet mund të zgjidhen vetëm përmes një dialogu real dhe kuptimplotë dhe kurrë përmes qasjeve totalitare”,--citon më tej deklarata.

Unioni Evropian i Kontrollorëve ka kërkuar kthimin në punë të kontrollorëve të pushuar nga puna dhe vendosjen e dialogut mes qeverisë dhe kompanisë.

Aeroporti Nënë Tereza në ruajtje nga forcat e armatosura 

Pas dështimit të negociatave mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me kompaninë “Albcontrol” për rikthimin në punë të 65 kontrollorëve të trafikut ajror në aeroportin e Rinasit, ministrja Belinda Balluku njoftoi se policia e shtetit do t’i nxjerrë nga godina pasi kanë shkelur ligjin. Ajo bëri të ditur se në ruajtjen e ndërtesës do të vendosen në dispozicion forcat e armatosura.

Është humbur besimi ndaj disave prej jush dhe nga momenti që bëtë këtë veprim mund të kryeni edhe aksione të tjera shumë më të rrezikshme për hapësirën shqiptare dhe për popullin shqiptar. Për këtë arsye nga ky moment, ndërtesa do të merret në ruajtje nga forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe nga ky moment policia e shtetit do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë të cilët kanë vendosur të mos jenë më kontrollorë”,– u shpreh ministrja Balluku para mediave.

Menjëherë pas deklaratës së ministres Balluku, në faqen zyrtare online të Ministrit të Mbrojtes Niko Peleshi u publikuan pamje të makinave të ushtrisë në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza”.

“Aeroporti i Rinasit Nënë Tereza është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. Strukturat tona të Forcave të Armatosura, si pjesë integrale e aeroportit, kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanise së aviacionit civil Albcontrol sha.“,-u shpreh ministri.

Protesta e 65 kontrollorëve të trafikut ajror të kompanisë Albcontrol solli paraditen e sotme bllokimin e qarkullimit ajror në aeroportin e Rinasit. Ky pezullim i punës erdhi për shkak të kërkesës së kontrollorëve për të ndërprerë shkarkimin e dy prej kolegëve të tyre dhe rikthim të pagave që merrnin para pandemisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ka drejtuar Albcontrol për vitet 2013-2018 në një konferencë për shtyp e konsideroi “grusht shteti”.

Kjo situatë mori karakter politik teksa pati një sërë reagimesh nga përfaqësues politikë.  Pezullimi i punës nga kontrollorët e trafikut ajror duke marrë karekterin e grevës bën që kjo greve të jetë ndër grevat e para në sektorin publik përgjatë dy dekadave të fundit.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu