Screenshot i marrë nga raporti i Amnesty International

Raporti i Amnesty International për vitin 2020-2021 dokumenton situatën e të drejtave të njeriut në 149 shtete, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ata kanë marrë në shqyrtim një serë fushash që lidhen me të drejtat e njeriut si: dhuna ndaj vajzave dhe grave, liria e medias, refugjatët, azil-kërkuesit dhe emigrantët dhe diskriminimin ndaj komuniteteve të margjinalizuara.

Dhuna ndaj vajzave dhe grave

Sipas këtij raporti, dhuna ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri është shtuar gjatë periudhës së izolimit mars-maj 2020 në Shqipëri, ku thirrjet për ndihmë të viktimave të dhunës në familje u trefishuan.

Të dhënat e bërë publike nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) informojnë se në atë periudhën Linja Kombëtare për Gratë dhe Vajzat ka marrë rreth 2000 telefonata (tre herë më shumë krahasuar me vitin 2019).

Ky raport përmend dhe përdhunimin e vajzës së mitur nga roja i shkollës Abaz Doku, ngjarje e cila ngjalli reagim dhe kulmoi me një marshim paqësor, ku morën pjesë mijëra qytetarë.

Liria e shprehjes

Raporti i përgatitur nga Amnesty International nënvizon tentativën e qeverisë për të çuar përpara paketën ligjore të diskutueshme, “Paketa Anti-Shpifje”.

Autoritetet tërhoqën një ligj të diskutueshëm “Paketën Anti-Shpifje” që kërcënon të lirinë e mediave online”, shkruhet në këtë raport.

Po ashtu, raporti vjetor përmend edhe tentativën për të mbyllur televizionin Ora News.

Në muajin maj 2020, Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, pasi e gjobiti dy herë këtë televizion me një milion lekë të reja, urdhëroi mbylljen e saj me arsyetimin se kanë shkelur udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Refugjatët, azil-kërkuesit dhe migrantët

Raportuesit e Kombeve të Bashkuara shprehën shqetësim dhe Avokati i Popullit gjeti shkelje serioze të të drejtave të njeriut në dëbimin e Harun Çelik në Turqi në datë një janar. Harun Çelik, një mësues turk i lidhur me të ashtuquajturën lëvizje Gylen, kishte kërkuar azil në Shqipëri”, shkruhet në raport.

Sa i përket refugjatëve, Citizens Channel ka raportuar më herët për qëndrimin e tyre në Shqipëri, teksa prisnin të ndiqnin itinerarin: Shqipëri – Mal i Zi- Bosnje Hercegovinë – Kroaci- Slloveni duke pasur pikësynimin përfundimtar, Italinë ose Gjermaninë.

Sipas Pablo Zapatas, përfaqësuesi i UNHCR-së në Shqipëri, rreth 450 refugjatë qëndruan në Shqipëri gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19.

Refugjatët treguan se kushtet në Qendrën Pritëse të Azilkërkuesve në Babrru, nuk janë aspak mikpritëse.

Diskriminimi

Amnesty International shkruan se komuniteti rom dhe egjiptian, i punësuar në tregun informal, u përjashtua nga ndihma ekonomike gjatë periudhës së izolimit, ku shumë aktivitete tregtare pushuan se funksionuari.

Qeveria shqiptare gjatë muajit mars-maj kaloi dy paketa ndihme për individët apo bizneset e prekur ekonomikisht nga virusi.

Paketa e parë, e miratuar në 27 mars, përfshiu tre kategori përfituesish; ata që marrin ndihmë ekonomike, personat që gëzojnë statusin e të papunit dhe të punësuarit/vetëpunësuarit në biznese me xhiron vjetore deri në 14.000.000 lekë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi apeloi që në këtë paketë të përfshihen disa subjekte të tjera në nevojë, duke listuar këtu edhe shitësit ambulantë.

Pavarësisht rekomandimit, as ndihma e dytë financiare, e miratuar në datën 16 prill, nuk përfshiu sektorin informal. Kjo paketë kishte në fokus individët të punësuar aktualisht apo ata janë larguar nga puna si pasojë e Covid-19. Këto subjekte përfituan vlerën prej 40.000 lekësh, e cila merret vetëm një herë si shumë e vetme dhe mbuloi muajt e izolimit.

Komuniteti LGBT+ në Shqipëri

Raporti vijëzon se në Shqipëri, urdhëri i psikologëve ndaloi që të performohet terapia e konvertimit dhe se Ministria e Shëndetësisë ndaloi ndërhyrjen mjekësore te fëmijët e lindur interseks.

Amnesty International përmend se komuniteti LGBTI+ vijon të jetë subjekt i diskriminimit dhe u mohohet e drejta e martesës brenda së njëjtës gjini.

Përdorimi i tepruar i forcës

Aktivistët që protestuan për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë në 17 maj u ndeshën me përdorim joproporcional të forcës policore. Dy gazetarë që mbulonin protestën u sulmuan verbalisht dhe u goditën nga oficerët e policisë; njëri u ndalua përkohësisht”, shkruhet më tej në raportin e Amnesty International.

Në këtë raport përmendet edhe protestat e ndodhur pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, ku dy gazetarë që mbuluan protestën u ndaluan dhe u sulmuan nga policia.

Raporti nënvijëzon kërkesën e Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut për ta kthyer te drejtën e protestës, që vazhdon të jetë e ndaluar prej datës 15 mars, 2020.

Raporto

Leave a Reply