Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistët padisin në SPAK Bashkinë për vrasjen e qenve dhe shpërdorimin e fondeve publike

Aktivistët në mbrojtje të kafshëve u mblodhën sot në ditën e katër të protestës kundër vrasjes dhe keqtrajtimit të qenve. Ndryshe nga tre ditët paraardhëse, qytetarët jo vetëm dolën me pankarta por firmosën edhe një kallëzim penal, i cili u dorëzua nga vetë ata në Strukturën e Posaçme Anti Korrpusion (SPAK).

Disa prej tyre kundërshtuan edhe deklaratat e mbrëmshme të kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, i cili në një emision televiziv deklaroi se qentë vaksinohen dhe mirëmbahen.

Terezina Frroku

“Mund të marrësh 50 vaksina me 50 euro, kështu që mos të gënjejë. Na ka gënjyer, na ka mashtruar, kemi kaq vjet, do bëhet kjo, do bëhet ajo, po na i marrin, po na i tërheqin zvarrë, po na i vrasin”, u shpreh për Citizens Channel aktivistja Terezina Frroku.    

Suzana Rama, një tjetër kafshëdashëse, deklaroi se nuk u beson fotove të Veliajt të shfaqura mbrëmë, të cilat ilustronin njerëz të dëmtuar nga qentë.  

Suzana Rama

“Pasoja, dakord janë ato fotografitë e tij. Po shkaku kush është? Ku e di unë që ai fëmijë apo ajo grua nuk e trazoi atë qen”, shpjegon Suzana.

Qytetarët më pas marshuan në këmbë nga qendra e Tiranës në drejtim të institucionit të SPAK, për të dorëzuar kallëzimin penal kundër kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe drejtoreshës së Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.

Denoncimi në SPAK mbështet mbi vrasjen e qenve por edhe shpërdorimin e fondeve publike.

Denoncim i aktivistëve të Animal Rescue Albania

Në Tiranë nuk ka më as qen, as mace, në sasinë që fliten dhe bëhen tenderimet dhe numrat sepse porositen tetë mijë vaksina me 350 shiringa. Si mund të injektohen tetë mijë vaksina me 350 shiringa kur çdo vaksinë do shiringën e saj”, tha Endri Noti për Citizens Channel.

Juristja Adriana Kalaja u shpreh se nga viti 2016 dhe deri në vitin 2020 janë shpenzuar 95 milionë lekë të reja për shërbimin e sterilizimit dhe të gjithë jemi koshientë, përfundoi ajo, se ky shërbim nuk i është ofruar qenve.

Një protestë e radhës është lajmëruar që të mbahet sërish nesër përpara Bashkisë në orën 12.00.                                                                                                                                            

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *