Foto: Erisa Kryeziu

Dhjetëra banorë, qytetarë e aktivistë protestuan të dielën kundër ndërtimit të HEC-it në fshatin Thirrë të Mirditës. Ndërtimi i këtij HEC-i prek dy fshatra, atë të Thirrës e Sangut banorët e të cilave tregojnë se ky projekt mund t’i lërë pa ujë.

Ata denoncuan gjithë procesin e marrjes së lejes nga kompania ndërtuese e HEC-it, pasi sipas tyre kishin proceduar me firma të falsifikuara.

“Unë jam ndër pjesëtarët e parë që më është falsifikuar firma, në një kohë që unë rri banoj këtu. Falsifiku nga ata që e kanë drejtu, pushteti lokal, me koncensionarin që kanë bërë marrëveshje, se ne nuk na ka thirr kush, të paktën unë jam ditë për ditë këtu, banoj këtu, jam banor i këtushëm”,-u shpreh njëri nga banorët e Thirrës, pjesëmarrës në protestë.

Banor i Thirrës, Mirditë

Ata rrëfejnë se më herët iu është thënë se hidrocentrali do të ndërtohet më poshtë zonës së tyre, duke mos i prekur drejtpërdrejt në veprimtarinë e tyre bujqësore dhe agrikulturore.

“Është bërë tinëz mbledhja, siç janë verifiku letrat, një vendim është në mars në këshill të bashkisë, tjetri ka ardh dëgjesa është bërë formale te shkolla e Thirrës, me 7-8 vetë edhe disa të tjerë i kanë rrejt. Kanë thënë do bëhet hidrocentrali poshtë tunelit dhe andej nuk ju prek ju. Edhe ata që kanë firmos, një pjesë e madhe janë tërheq”,-tha më tej banori i Thirrës.

“Thirra thëret, bashkohuni krejt”,Ne duam ujë ata duan lek” ishin refrenet që shoqëruan protestuesit në rrugën që përshkuan drejt kantierit të ndërtimit.

Megjithë thirrjet e banorëve ndaj institucioneve shtetërore për të reaguar, nuk kanë pasur asnjë përgjigje. Ndërsa e shohin përparimin e punimeve si qëllim për t’u justifikuar në gjykatë.

“Banorët kanë që në muajin gusht i vitit 2020 që janë ngritur për këtë problem serioz. Ju po favorizoni kompaninë private, kompania private vazhdon punimet, vazhdon të hedhë beton për të realizuar 50% të punimeve që të justifikohet nesër në gjykatë që të thojë po ne kemi investuar kaq përqind të punimeve dhe të fitojnë gjyqin. Por 100% sikur të investojnë ata, nuk do të lejohen, në Thirrë do largohen”. 

Ndërsa punimet vazhdojnë pa ndërprerje, banorët rrëfejnë rëndësinë që ka uji, tashmë i futur në tuba.

“S’kemi me se me ujit, s’kemi një pikë ujë. Ne s’kemi pas ujë as me pi, ecim një sahat udhë me mbush ujë me e bajt në shpi. S’e kemi një pikë ujë”,-rrëfeu Ruta Bajraktari, banore e fshatit Sang.

“Çdo gjë në kët shpin toke i është përcaktuar diagnoza. Edhe ne do t’ja përcaktojmë se s’bën. Do t’ja përcaktojmë diagnozën se s’bën se sado i molisun njeriu në vetvete ai do të eleminohet. Kemi shku atje ku s’ban.  Unë 80 vjet i bëra, me këtë ujë jetoj, dem baba dem, me këtë ujë jetoj Këtë kam të gjallët e shpirtit familjarisht, dem baba dem”,-u shpreh njëjtë edhe një nga banorët më në moshë të zonës.

 

Lëvizja Vetëvendosje dhe banorët e Zall Gjoçaj në mbështetje të Thirrës

Përvec banorëve të fshatrave Thirrë e Sang, në protestë morën pjesë edhe dhejtëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të ardhur nga Kosova por edhe përfaqësues të qendrës në Shqipëri. Mes tyre edhe kandidati për Qarkun e Lezhës, Iliaz Shehu, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me të ardhmen e lumenjve në Shqipëri.

Iliaz Shehu, kandidat i Qarkut Lezhë

Ne jemi këtu për të mos i lënë banorët e fshatit Thirrë dhe Sang vetëm sepse kjo është një ceshtje që tashëm e njohim, është një problem jo vetëm I fshatit Thirrë, është një problem në të gjithë Shqipërinë. Këtë problem e kemi hasur sa në lumin Vjosa, por jo vetëm. Nëpër çdo lumë e përrua po ndërtohet nga një HEC, me politika komplet arbitrare dhe në shpinë të banorëve. Prandaj ne si Lëvizje Vetëvendosje dhe si aktivistë politikë gjendemi këtu në mbështetje të këtyre banorëve por edhe në mbështetje të një kauze të përbashkët”,-tha Iliaz Shehu, kandidat i Qarkut Lezhë. 

Prej tre vitesh banorët e Zall Gjocaj protestëojnë për ndërtimin e hidrocentralit në Parkun Kombëtar Zall Gjocaj. Këtë të dielë ata udhëtuan nga fshati i tyre për t’ju ardhur në mbshtetje banorëve të Thirrës e Sangës. Ata ndanë gjithë kalvarin që kishin përshrkuar këto tre vite për të ruajtur ujin e tyre.

Ne kemi ardhur të mbështesim këtë masakër që po i bëhet këtij vendi, këtyre banorëve të Thirrës. Kjo masakër që po bëhet këtu te ju vazhdon edhe te ne, ka tre vjet që vazhdon atje. Ne kemi vazhduar në të gjitha format, kemi protestuar në çdo institucion para institucioneve të shtetit shqiptar. Kemi protestuar disa herë, me qindra herë në vendin ku bëhen punimet. Kemi çuar çështjen në organet gjyqësore të shtetit shqiptar. Kemi bërë mbi dhjetë seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative Tiranë“,-u shpreh Ademi.

Për Alta Kolecin, aktiviste e angazhuar në protestë për mbrotjen e Parkut Kombëta Zall Gjoçaj banorët nuk duhet të ndalojnë së kërkuari të drejtat e tyre.

“Unë mbështes nismën që kanë marrë banorët e Thirrës dhe ju bëj thirrje që këto të mos ndalojnë, janë në të drejtën e tyre. Duhet ta mbrojnë me gjithë shpirt vendin e tyre, pasuritë e tyre. Jo vetëm të Thirrës por të gjithë vendit që ka probleme me HEC-et. Ne kemi tre vjet që protestojmë për Zall Gjocaj dhe ne nuk ndalohemi, Ne i mbështesim të gjithë aktivistët, të gjithë protestat që janë në mbrojtje të natyrës”,-u shpreh për Citizens Channel, Alta Koleci.

Policia shoqëron 33 protestues dhe arreston 4 prej tyre 

Në nisje të protestës dhe organizimit të banorëve e aktivistëve kishtë mobilizim të dhjetra forcave policore. Në kthim nga vendi ku po ndërtohet HEC-i protetuesit tentuan të bllokojnë për disa minuta rrugën e Kombin si simbolikë e rezistencës së tyre. Kjo solli përplasje me policinë e pranishme, teksa qarkullimi në njërën anë të rrugës u bllokua.

Pas disa minutash banorët dhe aktivistët u shpërndanë. Në ikje të tyre, policia arrestoi aktivistët dhe banorët duke ngritur post-blloqe teksa ata udhëtonin me makinë.

33 protestues u shoqëruan në komisariatin e Lezhës, mes tyre 20 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, gazetarin e televizionit Fax Neës Preng Gjikola dhe banorë të zonës. Aktivistë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën para komisariatit të Lezhës për të kërkuar lirimin e shokëve të tyre.

Foto: Erisa Kryeziu

Ditën e sotme, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë bëri me dije arrestimin e katër prej protestuesve, tre aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, banues në Kosovë dhe organizatorin e protestës. Ndërsa 30 persona u kallëzuan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve”,-thuhet në deklaratë e policisë.

Kompania që po ndërton HEC-in në Thirrë të Mirditës, me një vendim të 26 qershorit 2019 ka marrë licencën për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu