Ilustrim grafik: Xhemali Moku

Autor: Klevis Paloka | Citizens Channel

Në qershor të vitit 2015, Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) shtoi një numër rekord ndërtesash në fondin e monumenteve të kulturës në Tiranë. Institucioni që sot mban emrin Instituti i Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), përmes urdhrit Nr. 1068, 2015 i dha statusin e mbrojtjes paraprake 361 objekteve të kryeqytetit.

Nëse mendohet se ky vendim do e shtonte fondin ekzistues monumenteve me 200%, duke mbrojtur rreth 660 objekte, në fakt ka ndodhur e kundërta.

Në studimin “Citizens Urban Stories” që ka analizuar gjendjen e vilave monument kulture në Tiranë, tregohet se ky fond në fakt u zvogëlua me 20%. 35 objekte e kanë humbur statusin gjatë periudhës 2015-2021, një pjesë e madhe prej tyre të shpallura rishtazi në vitin 2015.

Një prej objekteve që gëzon statusin “Objekt në mbrojtje paraprake” është edhe vila VIII-42 në rrugën e Dibrës, e cila njihet si “Vila Goldi”. Kjo vilë është ndërtuar në vitin 1926 dhe tani një pjesë e saj shërben si bar-kafe.

Sipas pronarit aktual, Refik Halili, i cili e ka blerë në vitin 1997, kjo vilë ka një histori të veçantë pasi këtu ka jetuar, Marigoja, vajza e cila njihet si ajo që ka qepur flamurin për shpalljen e pavarësisë, ndërsa tregon që dikur në kohën e komunizmit kjo vilë ka shërbyer si rajon policie, më pas si shkolle dhe çerdhe deri kur pronarit të saj, avokatit të njohur Kosta Flloqi, iu kthye sërish si pronë.

Foto: Vila Goldi

Objekti është një ndër qindra që gëzon statusin “Mbrojtje Paraprake”, ndërsa Halili rrëfen se asnjë institucion shtetëror nuk është interesuar për të bërë një vlerësim të dytë, i cili do t’i jepte përfundimisht statusin e mbrojtjes, apo t’ia hiqte atë.

Refik Halili

Nuk ka ardhur asnjë nga IKTK për të bërë ndonjë verifikim ose inspektim për rëndësinë e veçantë që ka kjo vilë dhe nuk kemi pasur asnjë ndihmë financiare nga shteti për mirëmbajtjen e kësaj vile e cila vazhdon akoma të jetë në listën e monumenteve me mbrojtje paraprake”, shprehet Halili.

61-vjeçari tregon gjithashtu se do ta vazhdojë ta mirëmbajë këtë vilë/monument kulture pasi e konsideron si fëmijën e tretë dhe do ta mirëmbajë pavarësisht çdo kostoje që do të ketë edhe për tu rikonstruktuar sipas projektit që është ndërtuar që në vitin 1926. Ai nuk pret institucionet shtetërore për të bërë një ndërhyrje nëse e konsideron të nevojshme për rregullimin dhe mirëmbajtjen e vilës.

Ligji 9048 date 7.4.2003 Neni 3 përcakton se “Objekt në mbrojtje paraprake” është pasuria kulturore, materiale, në pritje për t’u shpallur monument kulture nga organi përgjegjës.

Sipas arkitektit Saimir Kristo, Vila Gold duhet futur në listën përfundimtare të monumenteve të kulturës pasi është një nga objektet arkitektonike simbol të rrugës së Dibrës.

Kjo banesë është një nga objektet arkitektonike “simbol” të “Rrugës së Dibrës” dhe patjeter duhet të vlerësohet për impaktin që i ka dhënë jo vetëm asaj rruge historike, një nga më të rëndësishmet për themelimin e këtij qyteti që prej 4 shekujsh, por dhe impaktin që kë dhënë dhe jep për krijimin e identitetit të “Rrugës së Dibrës në veçanti”, shprehet Kristo duke thënë se kjo vilë duhet bërë pjesë e listës së objekteve të mbrojtura.

Ndërsa urbanisti Artan Kacani shprehet se dëmtimi që i vjen këtyre vilave/banesave është për shkak se anashkalohen interesat kushtetues.

Artan Kacani – Specialist i Planifikimit Urban

Në mungesë të një mbrojtje të interesave kushtetues qyteti bie “viktimë” e Vizioneve Strategjike të njëanshme, përjashtuese për pjesën më të madhe të shoqërisë – përfshirë si banorët, si tregtarët lokal, e cila më pas çon edhe në humbjen e “përkatësisë territori” dhe një gjendje “mpirje” emocionesh dhe veprimesh”, shprehet ai.

“Zero lekë për vilat monument kulture”

Citizens Channel u interesua pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) për të mësuar sasinë e fondeve publike për mirëmbajtjen e këtyre vilave/banesa me status monument kulture.

IKTK sqaron se nuk është akorduar asnjë fond për mirëmbajtjen e vilave monument kulture në pesë vitet e fundit:  thuhet së këtij institucioni nuk i është akorduar asnjë fond në lidhje me këto banesa për 5 vitet e fundit dhe se nuk ka një plan të miratuar një plan për 5 vitet e ardhshme ndërsa përgjegjësinë ua lë pronarëve ose poseduesve të këtyre pasurive kulturore.

Për periudhën 2016-2021, IKTK-së nuk i janë akorduar fonde publike për mirëmbajtjen e vilave/banesave me status monument kulture në qytetin e Tiranës, të shpallura në vitin 2015.  

“Shpenzimet e mirëmbajtjes mbeten barrë e pronarëve”

Të pyetur nëse institucioni ka në plan të hartojë një strategji të miratuar për pesë vitet e ardhshme, IKTK ja lë përgjegjësinë pronarit.

Në lidhje me planin për restaurimin e vilave/banesave për 5 vitet e ardhshme, Ju informojmë se IKTK nuk ka ende një plan të miratuar 5-vjeçar. Bazuar në Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, Neni 22, pronari dhe/ose poseduesi i pasurisë kulturore ka detyrimin për ruajtjen dhe mbajtjen në gjendje të mirë pasurinë kulturore duke respektuar dispozitat e këtij ligji”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Në fakt ligji 27/2018 i jep IKTK një sërë kompetencash, që lidhen me evidentimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe konservimin e monumenteve.

“Statusi monument, sjell humbjen e statusit”

Harta e plotë e vilave Monument Kulture – vëzhguar nga Citizens Urban Stories

Ndërsa në një interesim të dytë se çfarë ndodh me pronarët ose poseduesit e këtyre pasurive kulturore dhe se kur kanë qenë inspektimet e fundit të bëra nga ky Institut në përgjigjen zyrtare thuhet se monumentet e kulturës së kategorisë I dhe të II janë përditësuar gjatë periudhës 2015-2018.

Sakaq në përgjigje thuhet se gjatë 5 viteve të fundit janë administruar 15 kërkesa për mungesë të interesit kulturor dhe 11 projekte për ndërhyrje.

“Mbështetur në dokumentacionin e depozituar pranë IKTK, janë administruar 15 kërkesa për deklarimin e mungesës të interesit kulturor nga ana e pronarëve të objekteve, për arsye të ndryshme, ndërsa lidhur më kërkesat për ndërhyrje në objekte pasuri kulturore tip vila në qytetin e Tiranës janë miratuar 11 projekte me vendim KKR dhe KKTKM”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Për sa i përket pjesës kur një pronar bën deklarimin e mungesës së interesit kulturor, IKTK tregon se nuk ka ende akte ligjorë për rregullimin e kësaj pjesë.

“Lidhur me deklarimin e mungesës së interesit kulturor, nuk disponohen ende akte ligjore, nënligjore, rregullore apo dokumenta që përcaktojnë kushtet kur objekti nuk përmbush kriteret e ekzistencës së interesit kulturor”, thuhet në përgjigjen e dytë të IKTK-së duke theksuar se kërkesat për deklarimin e mungesës së interesit kulturor shqyrtohen nga Këshilli Teknik dhe Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Sa i përket shkatërrimit që u ka ndodhur shumë monumenteve të kulturës apo edhe vilave të cilësuar si monumente kulture, arkitekti Kristo e cilëson si humbje të një pjesë të rëndësishme të historisë së Tiranës.

Saimir Kristo, Arkitekt

Nëse analizojmë numrin e banesave historike të qytetit pothuajse 40% e atyre banesave tashmë nuk ekzistojnë më. Ky është një alarm i cili shënon për të gjithë në mënyrën se si lejojmë të shkatërrohen këto monumente të historisë tonë por dhe të tjetërsimit të memorjes kolektive në qytet. Tirana po humbet, nëse nuk themi që tashmë ka humbur një pjesë të rëndësishme të historisë saj, duke dhënë një nga shembujt më të këqinj në nivel ndërkombëtar të mënyrës se si vlerësohet historia e nje qytet”, e mbyll pedagogu Kristo.

Sipas ekspertit të planifikimit urban Artan Kacani rreziku më i madh që u vjen këtyre vilave qëndron tek modeli i lejeve ‘mbi parcelë” dhe thekson se lejet ndërtimore janë parë si model i vjeljes së të ardhurave por jo të garantimit të standardeve urbanistike.

Zhvillimi në parcelë është i dëmshëm sepse nuk është në sinkronizim më banorët përreth, prish indikatorët e ajrimit dhe diellëzimit dhe rrit çmimet spekullative në qytet – shtëpi me pamje nga deti apo nga sheshi të cilët më pas po me mënyrën e zhvillimit mbi parcelë do të zërë atë të parin. Pra lejet ndërtimore janë parë si një model i vjeljes së të ardhurave por jo të garantimit të standardeve urbanistike, apo edhe kushtetuese të barazisë territoriale dhe shumë ligjeve te tjera mbi informimin, formimin dhe transparencën ligjore”, e mbyll shpjegimin ai.

*Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Citizens Urban Stories” që mbështetet nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu