Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“BIG Sacrifice”, një kokë qengji në rrënojat e Teatrit Kombëtar

“Kurbani i Madh” është instalacioni artistik që bashkon simbolikisht arkitektin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, Bjarke Ingels dhe Kryeministrin Edi Rama. Artisti Ergin Zaloshnja në bashkëpunim me qendrën e artit bashkëkohor “Debatik Center” krijuan një performancë, me vendosjen e posterit të titulluar “BIG Sacrifice” ( Kurbani i Madh) në rrugën e pedonales “Murat Toptani”.

“Në këtë poster paraqitet një kokë qengji, e pjekur, në rrënojat e Teatrit Kombëtar. Titulli merr shkas, fjala “Big” është akronimi i “Bjarke Ingels Group” që praktikisht është arkitekti danez, i cili presupozohet që të ketë bërë projektin e Teatrit të ri Kombëtar, kurse “Sacrifice” është kurbani, që praktikisht ka lidhje me librin e kryeministrit Edi Rama, i publikuar më 10 Nëntor 2011″,-rrëfen Ergin Zaloshnja.

Ergin Zaloshnja

Posteri është pasqyrim i videos me te njëjtin titull, e cila është e ndarë në dy pjesë paralele ku në njërën anë paraqitet hedhja e një koke qengji brenda territorit të rrënuar të Teatrit Kombëtar , ndërsa në tjetrën ekspozohen rrënoja nga ajo çfarë ka mbetur nga TK.

Artisti tregon për Citizens Channel se publikimi i këtij instalacioni nuk vjen në një periudhë rastësore. Filmimet janë bërë para një viti, përkatësisht ditën e Kurban Bajramit, ndërsa ka zgjedhur ta pasqyrojë përgjatë fushatës zgjedhore të këtij viti.

“Më 17 Maj bëhet plotësisht një vit nga shembja e Teatrit Kombëtar dhe siç e shohim akoma nga mbrapa kemi një territor të djerrë, me rrënoja dhe nuk ka asnjë fillim të punimeve për Teatrin e Ri Kombëtar”,- thekson Zaloshnja.

Sipas artistit Teatri Kombëtar është sakrifikuar dhe bërë kurban jo vetëm nga drejtuesit polikë, por edhe nga vetë qytetarët.

“Për hir të së vërtetës TK nuk u bë vetëm kurban nga Kryeministri aktual dhe nga Kryetari i Bashkisë, po u bë Kurban nga pjesa më e madhe dhe dërrmuese e artistëve shqiptarë dhe e popullit të Tiranës, kështu që marr shkas të them që Teatri Kombëtar ishte një kurban i madh i bërë nga vetë populli i Tiranës me heshtjen e tij dhe mospjesëmarrjen për ta mbrojtur”,- argumenton Zaloshnja.

Video instalacioni “BIG Sacrifice”

Sipas tij, institucionet e drejtësisë duhet të kishin nisur hetimet për gjithçka ndodhi në Teatrin Kombëtar një vit më parë.

“SPAK duhej së paku të niste hetimet ndaj një krimi shtetëror dhe ndaj një afere korruptive të përmasave gjigande”,- citon ai.

Duke u ndaluar dhe tek viti i izolimit në të cilin rrodhi ngjarja artisti e sheh pandeminë si shfrytëzim nga ana e udhëheqësve për të shtuar masat dhe heqjen e lirisë së fjalës, të drejtat e njeriut dhe nxitjen drejt një regjimi autokratik.

“Kemi përballë një regjim që nuk ndalet nga asnjë gjë dhe më vjen shumë keq që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Tiranës nuk e kanë kuptuar akoma” ,-përfundon Zaloshnja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *