Foto ilustrim: Google

Afrimi*, prej pesë vitesh tashmë është nëpunës i një prej institucioneve publike në vend. Përpos dëshirës dhe vullnetit për të kontribuar në mbarëvajtjen e punëve në insitucion, ai shpesh haset me parregullsi në forma dhe nivele të ndryshme korrupsioni, për të cilat ka qenë dëshmitar dhe i pafuqishëm për të vepruar. Kjo situatë bëri që ai të mos heshte dhe të qëndronte pa vepruar, edhe pse me kujdesin maksimal për të qenë i pa identifikueshëm.

Prej vitit 2015-2017 qyteti ku unë banoj u përmbyt me pozicione shtetërore të mbuluara nga njerëz me precedent penal. Nuk mund të jetoja në një qytet të tillë dhe zgjidhja ishte ose largimi ose rezistenca. E dija se rezistenca e dukshme do të më bënte keq mua dhe familjes time. Atëhere vendosa të kontriboj përmes betejash të vogla të padukshme dhe në pamje të parë të parëndësishme në mënyrë që të gërryeja nga pak influencën malinje që kishte pushtuar qytetin”, -rrëfen Afrimi.

Ai u vendos në kontakt me disa gazetarë, me premtimin e tyre për mos zbulimin e identitetit, duke i orientuar ata drejt rasteve ku duhej të raportohej për korrupsionin dhe mbarëvajtjen e njëashme të veprimtarisë së një institucioni.

“Kriminaliteti, korrupsioni i pushtetarëve lokalë dhe lidhja e tyre me krimin e organizuar kanë qenë disa nga fushat për të cilat kam orientuar gazetarët për të raportuar”, – saktëson Afrimi.

Megjithatë, kanë qenë jo të pakta rastet kur identiteti i tij është zbuluar nga gazetarët, shpesh duke e vendosur edhe në rrezik.

Disa gazetarë e kanë bërë këtë për interesa të ngushta apo për servilizëm. Reagimi më i përshtatshëm në këto raste është ndërprerja e menjëhershme e kontakteve me ta”, -përfundon ai.

Të sinjalizosh për korrupsionin nga institucioni ku punon

Lufta kundër korrupsionit është një ndër kriteret e Bashkimit Evropian për integrimin e Shqipërisë në BE. Për këtë arsye janë marrë një sërë iniciativash konkrete në këtë drejtim. Në qershor të vitit 2016, Shqipëria miratoi ligjin për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre, një praktikë e cila i jep mundësi çdo nëpunësi të sektorit publik dhe privat të denoncojë afera korruptive në insitucionin ku ai punon.

Por sipas një raporti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, zbatimi i ligjit mbetet akoma i zbehtë. Raporti vëren se ka një numër të ulët të sinjalizimeve, me vetëm rreth 29 raste sinjalizimi dhe 4 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja. Megjithë kohën relativisht të gjatë që prej hyrjes në fuqi të ligjit, në Ministritë e linjës të cilat nuk ka pasur asnjë sinjalizim të brendshëm, përveç një rasti të shënuar në Ministrinë e Drejtësisë në tetor të vitit 2019, kur sinjalizimi është kryer përmes ILDKPKI.

Për juristin Marash Logu, problemi nuk qëndron tek mekanizmat ligjorë apo tek cilësia e ligjit, por më së shumti tek dobësitë në zbatueshmërinë e tij.

Mosnjohja e ligjit, mosbesimi se rasti do të trajtohet me profesionalizëm dhe paanësi dhe frika e punonjësve në sektorin publik apo privat nga hakmarrja janë disa nga sfidat kryesore që po përballet zbatimi i këtij ligji aktualisht. Këto sfida përkthehen më pas drejtpërdrejtë në numrin e ulët të rasteve të raportuara”, -argumenton Logu.

Mënyra më e mirë sipas juristit Logu është edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të denoncuar rastet në të cilat janë dëshmitarë.

Marash Logu, jurist

“Edukimi mbi ligjin për sinjalizimin mund të jetë fare mirë pjesë e kurrikulave mësimore, në mënyrë që brezi i ri të edukohet me përgjegjësinë qytetare për të denoncuar cdo formë korrupsioni, kudo ku ai shfaqet”, -përfundon juristi Logu.

Megjithë angazhimin e tij për të mirën publike, për të denoncuar raste korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin lokal dhe qendror, Afrimi nuk ka dijeni për ekzistencën e një ligji që e mbron atë dhe vullnetin e tij për të denoncuar. Madje nuk di ta identifikojë veten si një sinjalizues i korrupsionit.

ILDKPI në faqen zyrtare ka një seksion të dedikuar për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, duke përfshirë informacione për legjislacionin, aktet nënligjore, rregullore dhe udhëzime si dhe formularë për mënyrën se si mund të sinjalizohet. Ndër to janë edhe regjistrat e kërkesave për mbrojte nga hakmarrja, regjistrat e sinjalizimit të brendshëm apo të jashtëm, megjithatë në asnjë nga regjistrat nuk ka të dhëna konkrete për numrat e kërkesave për sinjalizim apo për mbrojtjen nga hakmarrja.

Sinjalizuesit ende të “pa sinjalizuar” nga gazetarët 

Mbulimi i çështjeve të rëndësishme dhe mjaft të ndjeshme në sferën publike i bën gazetarët dhe sinjalizuesit bashkë, në të mirë të përbashkët të publikut. Megjithatë, referuar raportimit mbi sinjalizimin në Mediat Shqiptare nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, vihet re se kjo praktikë ende nuk funksionon. Sipas raportit, gazetarët kanë një njohje të pakët të ligjit dhe në rastet kur ju është dashur të raportojnë për miratimin e tij, media ka rënë pre e konotacioneve negative si “spiun” apo “ligji për spiunët”.

Edona Haklaj është gazetare pranë televizionit Fax News. E pyetur për njohjen dhe qasjen që ka redaksia ku ajo punon ndaj ligjit për sinjalizuesit, Edona shprehet se është një term i njohur pak.

Edona Haklaj, gazetare

Në redaksinë ku unë punoj por dhe me aq sa kam komunikuar me kolegët në redaksi të tjera, termi sinjalizues mund të njihet shumë pak, dhe bashkëpunimi është për të mos thënë në nivele zero. Ajo cfarë mund ti përafrohet sinjalizuesve janë burimet që mund të kemi në institucione të ndryshme, por jo ekzaktësisht sinjalizues, dhe do e lidhja drejtpërdrejt me frikën që stafet e institucioneve krijojnë ne vendin  e punës, dhe ndoshta dhe tek pasiguria që mund të kenë tek media për bërjen publike të një denoncim, gjë që në një pikë kritike mund të çojë dhe në humbjen e vendit të punës”,-shprehet Haklaj.

Bashkëpunimi me sinjalizuesit nuk ka ndodhur asnjëherë për Edonën, edhe pse ajo i konsideron pjesë të rëndësishme nëse qasja e tyre do të ishte pozitive ndaj medias.

Sado që e njoh si term apo edhe si koncept, nuk më ka ndodhur të bashkëpunoj me sinjalizuesit, ndoshta dhe  për vet frikën që këta të fundit mund të kenë në marrëdhenien me ne, dhe për njohjen e vogël që publiku shqiptar ka për sinjalizuesit”,-përfundon Edona.

Edhe për Geri Emirin, gazetar pranë Amfora.al dhe kontributor në BIRN Albania, praktika e bashkëpunimit me sinjalizuesit nuk ka qenë deri më tani funksionale, duke e parë si një raport të vështirë.

Geri Emiri, gazetar

“Duhet pasur parasysh se media raportin bazë e ka të ndërtuar me burimet, por nëse do i qëndronim strikt përkufizimit të sinjalizuesit, bashkëpunimi me këtë fashë shpesh here është shumë i vështirë. Në sektorin publik punonjësit janë shumë të ngurtë dhe të mbyllur për të folur për punën e tyre. Kur kjo lidhet edhe me afera korruptive dhe raste të ngjashme, që implikojnë drejtuesit, punonjësit e kanë edhe më të vështirë bashkëpunimin dhe rrëfimin e shkeljeve që konstatojnë”, -sqaron Emiri.

Megjithatë bashkëpunimin e të dy hallkave, të gazetarit dhe sinjalizuesit nëse ndodh e sheh si një përshpejtim të denoncimit të rasteve korruptive.

Nëse kjo lidhje do të funksionojë, do të ishte një terapi shumë efektive për kurimin e plagës së korrupsionit që ka prekur shumë institucione në nivel vendor dhe qendror. Kur gazetari bashkëpunon me sinjalizuesin puna përshpejtohet dhe merren informacione që qartësojnë kontekstin dhe shmangin dezinformimin që mund të jetë edhe rrjedhojë që vjen nga mungesa totale e transparencës nga institucionet shtetërore”.

Për gazetarin Merxhan Daçi, bashkëpunimi me sinjalizuesit është ekzistent dhe termi “sinjalizues” është mjaft familjar për redaksinë ku ai punon.

Merxhan Daçi, gazetar

“Nga këta njerëz shpesh marrim ide për tema. Kam pasur raste me sinjalizues nga shëndetësia, arsimi, pushteti vendor. Bashkëpunimin me ta e konsideroj të rëndësisëhm sepse i kontribuon zgjidhjes së disa ceshtjeve në shoqëri, që me ndihmën e medias vihen në qendër të vëmendjes”, -rrëfen Merxhan Daçi

Për Merxhanin termi sinjalizues është më familjar se 4 vite më herët, e krahas kësaj ndërgjegjësimi duhet të jetë edhe më i madh.

Mendoj gazetarët duhet të punojnë më shumë me sinjalizuesit, por edhe punonjësit shtetërorë duhet të ndërgjegjësohen që nuk mund të shkelin një sy për ndodhi joligjore apo të padrejta në vendin e punës dhe kësisoj t’i drejtohen një gazetari apo medieje të besueshme që as nuk e dëmton”, -saktëson Daçi.

Ndryshe nga më sipër, për Osman Stafën, gazetar pranë televizionit News 24, ka dijeni të ligjit dhe termit sinjalizues, megjithatë akoma nuk ka pasur fryte bashkëpunimi mes dy palëve.

Osman Stafa, gazetar

Në redaksinë ku punoj, termin padyshim e njohin, sepse kemi qenë po ne vetë që kemi ndjekur procedurat e ligjit, që jane zhvilluar në atë kohë, apo edhe debatet. Por ama që të diskutohet për bashkëpunim midis redaksisë dhe sinjalizuesve, kjo nuk ndodh. Kjo sepse ky ligj nuk ka funksionuar asnjëherë në dijeninë time”, – shprehet Stafa.

Përpos termave identifikues, ligjit mbrojtës që karakterizon procesin e sinjalizimit, bashkëpunimi me burime brenda insitucioneve është i vazhdueshëm saktëson Osman Stafa.

Bashkëpunimi im vazhdon të jetë akoma me burime të miat nëpër institucione të ndryshme, private apo shtetërore. Bashkëpunimi ynë lind nga besimi që kemi tek njëri-tjetri, por asnjëhere bashkëpunimet e mia me punonjës të administratës publike e private s’kanë qenë, gazetar-sinjalizues”.

Sikurse shumica e gazetarëve të intervistuar u shprehën, njohuritë për sinjalizuesit dhe mënyrës se si funksionojnë platforma të dedikuara për ta janë të cungëta e deri diku inekzistente në redaksitë ku ata punojnë. Si vazhdimësi edhe bashkëpunimi i gazetarëve me sinjalizuesit është i pakët ose mungon. Kjo vjen së pari nga mungesa e informacionit të vetë drejtuesve të redaksive apo nga mungesa e kohës fizike për të siguruar trajnime ndërgjegjësuese për çeshtje të tilla.

Për këtë arsye është e rëndësishme që ky ligj përveçse në letër të kalojë në praktikë. Kjo gjë mund të arrihet përmes futjes së termave të sinjalizuesve dhe sinjalizimit në tërësi që në auditoret e shkollës së gazetarisë, në mënyrë që kur gazetarët e rinj të përfundojnë shkollën dhe të kërkojnë të përfshihen në redaksitë e lajmeve dhe jo vetëm, të kenë njohuri bazë të kësaj forme raportimi.

Nëse për gazetarët që punojnë aktualisht këto terma janë të panjohura, atëherë është e nevojshme që procesi i ndërgjegjesimit të jetë më konkret, më i përfshirë dhe shpërndarë në redaksitë ku ata punojnë. Nëse ky ndërgjegjësim nuk arrihet dot nga vetë redaksitë, atëherë lejimi i organizatave kompetente të kësaj fushe për të kryer ndërgjegjësimin apo shpërndarjen e këtyre njohurive do të ishte mjaft ndihmues për procesin  e njohjes ë ligjit.

Zhvillimi i mediave onlinë viteve të fundit në Shqipëri e rrit edhe më shumë mundësinë e bashkëpunimit mes gazetarëve dhe sinjalizuesve duke zhvilluar platforma të dedikuara për të gjetur njeri -tjetrin me qëllim komunikimin e ndërsjelltë për të raportuar dhe denoncuar rastet korruptive në vend.

*Afrimi është pseudonimi i personazhit të intervistuar, me qëllim ruajten e identitetit të tij.

*Ky artikull është publikuar më herët nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu