Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Plani Vendor zëvendëson me pallate vilat e “rrugës së mimozave” në Tiranë

Autore: Blerina Goce | Citizens Channel | Tiranë

Janë shtëpi që dëshmojnë Tiranën e dikurshme ‘evropiane’, shumë prej të cilave, edhe pse kanë qenë monument kulture, nuk i kanë shpëtuar shkatërrimit.

Rruga “Kont Urani”, e njohur dikur edhe si rruga e Mimozave është një nga ato zona të kryeqytetit, ndërtimet e hershme të së cilës po prishen ditë pas dite në emër “të zhvillimit”.

Vila “Farka” është një banesë dykatëshe prej qerpiçi në rrugën “Kont Urani”. Pronari i kësaj vile, Skënderi, edhe pse jeton në Tiranë, rreth 20 vite më parë vendosi të largohet nga shtëpia, ku është lindur dhe është rritur.

Sot vila është gati e braktisur dhe ngjan se i përket një kohe të shkuar. E rrethuar me biznese dhe me një pallat 10-katësh, vila nuk ka as hyrje të vetën dhe atje mund të futesh vetëm duke kaluar përmes një dyqani ngjitur me të.

“Rastësisht, këtë vit, shtëpia dy-katëshe e imja, ku tani nuk banoj, mbush 100 vjeç. E ruajmë dhe riparojmë sa mundemi, por është e vjetëruar”, – shprehet për Citizens Channel, pronari i vilës, Skënder Farka.

Skënder Farka, pronar i vilës Farka, që qëndron pas tij

Farka thotë se “shtëpia, ashtu si shumë të tjera të kësaj natyre, nuk kanë status monument kulture dhe nuk mbrohen nga shteti.”

Ai flet për një projekt francez, i cili sipas tij do të vihet në zbatim në këtë zonë të Tiranës dhe që parashikon ngritjen e katër qendrave të vjetra në qendër të Tiranës, një prej të cilave në këtë zonë, e që do të rrinë në mesin e qendrës së re të madhe të Tiranës.

Plani francez

Pavarësisht këtij plani, në buzë të rrugës do të prishet një rresht i tërë shtëpish.

“Do të prishet gjithë rreshti i shtëpive, sepse do të zgjerohet rruga, që del nga Ministria e Brendshme në rrugën e Kavajës. Para një viti janë firmosur dokumentet nga banorët, për t’u shembur. Do të prishet godina e ish-Radios, ndërtesa ngjitur, që ka qenë shtëpi publike dhe ajo që ka qenë hotel, të trija pronë e familjes Kallçiu.”

Si u mor vendimi për heqjen e statusit të banesave?

Ndërhyrjet e para me objekte të tipit pallat, sipas informacionit gjeo-hapësinor janë bërë përpara vitit 2002, ku një objekt shumëkatësh është ndërtuar në veri-lindje të zonës, me dalje në rrugën Mihal Duri.

Në vitin 2015, një prej vilave të shpallura në mbrojtje paraprake me urdhër Ministror me kodin (III-24) është shembur dhe në vend të saj po ndërtohet një pallat shumëkatësh.

Nga rruga Mihal Duri, një vilë 2 katesh, që ushtronte aktivitet tregtar si bar-kafe, gjithashtu u shemb pranverën e kaluar, për t’i hapur vend një objekti shumëkatësh të tipit pallat banimi.

Sipas Planit të Detajuar Vendor të zonës së miratuar brenda trekëndëshit të bllokut me vila midis rrugës Kont Urani dhe Mihal Duri, njësia strukturore TR/369, pëson rindërtim ose rizhvillim në gjashtë nënnjësi të shënuara në hartë më numra (1-6); ristrukturim dhe mbushje urbane (R1-R3) si edhe Konservim në tre njësi K1, K2 dhe K3.

Godina e shënuar në hartën e monumenteve të kulturës me kodin II-149, është parashikuar sipas kësaj PDV-je të zbardhur, se aty do të ndërtohet një pallat 8 katesh.

Pjesë nga PDV e zonës në rrugën Kont Urani

Nga informacioni i marrë në rrugë zyrtare rezulton se kjo godinë e shpallur monument kulture i kategorisë së dytë në vitin 2015, me urdhër ministri, ndërsa në vitin 2020, e ka humbur statusin e mbrojtjes ligjore. Me anë të këtij urdhri, institucioni i Ministrisë së Kulturës, deklaron “humbjen e interesit për pasurinë kulturore Monument Kulture Kategori e Dytë.”

Lexo më shumë: Skeda teknike e Vilës II-149 në platformën Citizens Urban Stories

Sipas arkitektes Doriana Musai, “Ky konstatim i ministrit vjen jo i bazuar në akte ligjore, sikundër pritet që vendimet me pasoja në territor të jenë, por duke u nisur nga kërkesa e subjektit privat, i cili kërkon të hiqet mbrojtja ligjore mbi pasurinë, duke e shoqëruar këtë kërkesë më një realacion të kryer nga një restaurator.”

Bazuar në këtë PDV, nënnjësia strukturore në hartë me numrin 6, do të jetë gjithashtu pjesë e rizhvillimit.

Nga ana perëndimore e rrugës Kont Urani, gjithashtu kemi një PDV të miratuar. Ajo që vihet re është fakti se në këtë PDV gjendet një objekt i shpallur monument kulture në mbrojtje paraprake, në vitin 2015.

Objekti në fjalë gjendet pranë një vile, e cila ka marrë statusin monument kulture kategori e dytë me urdhrin nr. 267 të po të njëjtës datë e listuar me numrin 34, status të cilin e ka humbur 2 vjet më pas me urdhrin e Ministrit të Kulturës.

Harta e Objekteve Monument Kulture në dy anët e rrugës Kont Urani

Për arkitektin Saimir Kristo, në rastin konkret nuk është respektuar zëri i specialistëve, ndërsa plani i fundit urbanistik i qytetit nuk përcakton një strategji konkrete, ku të vendosen hapësirat prioritare për zhvillim dhe hapësirat prioritare për t’u ruajtur në qytet.

“Çdo lloj plani apo zhvillimi urban duhet të jetë i aftë të përcaktojë dhe të zhvillojë me hapat e duhur të gjithë momentet dhe detajet se si një zonë në zhvillim apo në mbrojtje duhet trajtuar. Monumentet që flasim janë të kategorisë II. Proceset ndoshta janë disktuar në nivel formal burokratik apo sipas afateve të përcaktuara, por nuk janë bërë transparente.”

Sipas Kristos, kur objekti hiqet nga lista e monumenteve është sikur të fshish nga lista e qytetit një person.

“Në këtë rast duhet të dimë shumë mirë pse ka ardhur kjo? Nga përvoja më e mirë evropiane, edhe për objekte në gjendje shumë të rëndë, prapë i është gjetur një zgjidhje restaurimi. Nëse duam të mishërojmë vlerat evropiane duhet të mendojmë si t’i ruajmë këto vlera dhe jo t’i shkatërrojmë apo t’i zëvendësojmë me gjëra të reja.”

Historiku i lagjes, përballë “presionit” të ndërtimeve të reja

Dikur një ndër zonat më karakteristike të Tiranës, sot hyrja e rrugës “Kont Urani” nga rruga e Kavajës prezantohet me dy qofteri.

“Qofterinë ngjitur me ish-Radio Tiranën e kanë pasur dy vëllezër para 10 vjetëve, tani e kanë marrë disa të tjerë. Përballë saj është vila “Nepravishta” dhe edhe aty është bërë qofteri”, tregon Skënder Farka. 

E vërteta është se mes dëshirës për të ruajtur traditën dhe të shkuarën përballë ritmeve të ndërtimit dhe fitimit, jo pak herë ka triumfuar e dyta.

Vila “Nepravishta” sot ka funksionin e një qofterie

Vetë banorët bien dakord që shtëpitë e tyre të shemben apo bëhen vetë nismëtarë të diçkaje të tillë, për të përfituar ekonomikisht.

“Pranë shtëpisë sonë ka qenë një banesë si kjo imja, e vjetër. Ajo, nga kushërinjtë e mi u shemb dhe u ndërtua një pallat 10-katësh. Tani së fundi, përballë janë ndërtuar edhe nja dy pallate 10-katësh të rinj, diku prapa xhamisë.”

Farka pohon se edhe atij vetë, vëllezërve dhe kushërinjve të tij iu është kërkuar prishja e shtëpive, në mënyrë që të ndërtohen pallate. Ai lë të kuptohet se në një të ardhme i pëlqen ideja e ndërtimit të diçkaje të re.

“Na kanë kërkuar që t’i bënim pallate shtëpitë, por nuk jemi gati për ta miratuar, sepse aty akoma banojnë vëllezërit, kushërinjtë tanë. Nuk jemi gati, jo vetëm për t’i ruajtur këto, por mos bëjmë ndonjë ndërtim të nxituar. Nuk duam të ndërtojmë me plan lokal. Duhet të ketë një plan për të gjithë zonën, na pëlqen kjo gjë. Nuk duam që të dalim si çibanë, por që të jetë e kombinuar dhe me të tjerët, që i kemi përballë rrugës. Kemi qejf për një kompleks më të madh  dhe ka mendime për këtë punë, ka projekte.”

Vila Farka është një nga shtëpitë e para dykatëshe në Tiranë e ndërtuar në zonën, që dikur u quajt Tirana e Re, sepse “midis rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit deri në ato momente nuk kishte pasur fare shtëpi.”

Studiuesi i banesave të vjetra, Emin Riza pohon se: “Pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave janë monumente kulture të kategorisë së dytë, që për një vend si Shqipëria kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe tregojnë shkallën e zhvillimit të shoqërisë në shekullin XIX-XX, por fatkeqësisht këto ndërtime nuk po ruhen.”

“Këto ndërtesa, monumente kulture të kategorisë II, duhet të ruhen për kompozimin vëllimor dhe nuk lejohet që t’i bëhen shtesa volumit ekzistues dhe as trajtim të pamjes së jashtme.”, – pohon Riza.

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *