Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mediat sociale: vija midis përzgjedhjes së materialit dhe censurës po zbehet gjithnjë e më shumë

Liria e fjalës në mediat sociale po i nënshtrohet një sistemi kompleks të administrimit dhe redaktimit të informacionit. Një pjesë e mirë e debatit publik po kontrollohet dhe rregullohet nga korporata private.

Për të diskutuar në lidhje me këtë temë komplekse u zhvillua një intervistë me Jillian C. York, Drejtore për Lirinë Ndërkombëtare të Shprehjes në Fondacionin e Hapësirës së Re Elektronike (Electronic Frontier Foundation – EFF).

Jillian C. York
  1. Çfarë nënkuptojmë me moderim të përmbajtjes në ditët e sotme?

Moderimi i përmbajtjes është një proces i përdorur nga kompanitë e teknologjisë së informacionit për të administruar përmbajtjen mediatike — postime, imazhe, video, etj.,— që përdoruesit postojnë në platformat e tyre. Kjo realizohet nëpërmjet një sërë metodash, që nga punësimi i moderatorëve të përmbajtjes, kontrolli dhe rishikimi i materialeve që raportohen nga përdoruesit për shkelje të rregullave të një platforme, e deri te përdorimi i algoritmeve dhe automatizimit për të kufizuar përhapjen e llojeve të caktuara të përmbajtjes, si pornografia apo terrorizmi.

Po kështu, edhe qeveritë kërkojnë të ndërhyjnë në rrjedhën e informacionit në rrugë zyrtare ose informale (pa kaluar nëpër sistemin e drejtësisë) – dhe kjo kryhet nëpërmjet proceseve të përmendura më lart, por redaktimi i informacionit mund të kryhet edhe nga ekipe të posaçme që analizojnë vendimet dhe dokumentet e lëshuara nga gjykatat apo forcat e zbatimit të ligjit.

  1. A mund të na jepni ndonjë shembull të procedurave të përdorura nga SH.B.A., BE, apo vende të tjera?

Vende të ndryshme i aplikojnë kufizimet në përmbajtje në mënyra të ndryshme. Për shembull, Gjermania ka miratuar një ligj – Për Funksionimin e Rrjeteve (NetzDG) – që i detyron kompanitë që të kufizojnë aksesin në përmbajtje të paligjshme në territorin e vendit brenda 24 orëve nga raportimi i shkeljes.

Në Shtetet e Bashkuara, qeveria ka më pak liri veprimi në marrjen e masave për të kufizuar aksesin në informacion, por një ligj i miratuar në vitin 2018 i quajtur SESTA-FOSTA ka ndikuar në kufizimin e informacionit që përdoruesit mund të hedhin në internet. Ligji ka për qëllim që të ndalojë aktivitetin e trafikimit seksual në internet, por kjo ka detyruar kompani të ndryshme që të kufizojnë gjithnjë e më shumë publikimin e materialeve me përmbajtje seksuale dhe lakuriqësi, nga frika e shkeljes së ligjit.

Në vende të tjera, veçanërisht në shtete më autoritare, ekziston prirja që t’i kërkohet kompanive që të heqin materiale nga faqet e internetit, ose të kufizojnë aksesin në përmbajtje online në nivel lokal.

  1. A mund të na thoni diçka në lidhje me moderimin kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes, ekstremizmin, sulmet dhe ngacmimet personale ose dezinformimin? Ku është kufiri midis moderimit dhe censurës?

Dallimi midis moderimit dhe censurës po zbehet gjithnjë e më shumë. Ndonëse kompanitë amerikane kanë të drejtë, sipas amendamentit të parë të kushtetutës të SH.B.A-së, që të vendosin kufizime mbi lloje të ndryshme të shprehjes si ta gjykojnë të arsyeshme, gjatë viteve të fundit ato kanë kaluar nga promovimi i lirisë së shprehjes në vendosjen e kufizimeve gjithnjë e më shumta mbi atë që njerëzit mund të thonë dhe të bëjnë.

Po kështu, kompanitë amerikane mbrohen nga përgjegjësia ligjore për (pjesën më të madhe) të vendimeve që lidhen me publikimin e informacionit, me një ligj që zakonisht njihet me emrin “Kapitulli 230” ose “CDA 230”. Sidoqoftë, atyre u kërkohet me ligj që të heqin përmbajtje të paligjshme mediatike, siç janë imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve.

Në Shtetet e Bashkuara nuk ka një përkufizim ligjor të “gjuhës së urrejtjes.”  Për pasojë, këto kompani e përcaktojnë vetë se çfarë përbën gjuhë urrejtjeje, ndërsa duket se këto vendime merren në varësi të situatave të caktuara, dhe rregullat ndryshojnë shpesh nga njëri-tjetri. Problemi me moderimin e gjuhës së urrejtjes është se, edhe kur përkufizimet janë të qarta, është jashtëzakonisht e vështirë që të përcaktosh me saktësi shkeljen e normave të shprehjes, ndërsa programet kompjuterike nuk arrijnë dot që të analizojnë nuancat gjuhësore dhe letrare. Për këto arsye, kufizimet mbi gjuhën e urrejtjes mund të rezultojnë edhe në bllokimin apo heqjen e materialeve që nuk përmbajnë shprehje të urrejtjes – veçanërisht kur bëhet fjalë për satirë, komedi dhe replika.

Situata paraqitet disi më ndryshe kur kemi të bëjmë me ekstremizëm, por edhe në këtë rast hasen probleme. Në Shtetet e Bashkuara ka ligje që ndalojnë publikimin e materialeve në platforma nga grupe të huaja që konsiderohen nga Departamenti i Shtetit si organizata terroriste. Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për ekstremizmin e brendshëm nuk ekzistojnë kufizime të tilla, kështu që edhe në këtë rast kompanitë e kanë në dorë vetë që të vendosin se cilat janë grupe ekstremiste.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *