Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Tirana po shet bizhuteritë e saj të fundit”, vilat e vjetra po kthehen në stoqe ndërtimi

Autore: Sabina Veizaj | Citizens Channel

Që nga vitit 2015, Tiranës i mungojnë të paktën 13 vila me Status Monument Kulture. Ato janë shembur për tu zëvendësuar me ndërtime shumëkatëshe, duke humbur një pjesë të rëndësishme të memories kolektive dhe trashëgimisë kulturore të qytetit. Kjo humbje, sipas ekspertëve, është shoqëruar me rritje të vrullshme të densitetit të banimit, e cila ka ulur ndjeshëm cilësinë e jetës në Tiranë.

Vetë pronarët trashëgimtarë nuk flasin për atë që po ndodh në Tiranë; skemën e tjetërsimit; që nis me heqjen e statusit, shitjen e pronës me vlerë më të ulët se e tregut, e përfundon me ndërtimin e objekteve shumëkatëshe.

Në një vend ku paga minimale është 26 mijë lekë dhe ajo mesatare 55 mijë lekë e të ardhurat mesatare për frymë  në vitin 2020 (sipas Ministrisë së Financave) u ulën me 12%, familjet nuk mund të riparojnë vilat e trashëguara nga të cilat presin pjesën të gjithë trashëgimtarët. Pikërisht bjerrja kulturore ndër vitet e tranzicionit që vijojmë të jetojmë e ka bjerrur po ashtu vetëdijen për trashëgiminë.

Pasojat e këtij zhvillimi, po i detyrojnë njerëzit të shesin shtëpitë autoktone, Tirana po shet bizhuteritë e saj të fundit, vilat e saj. Brenda qytetit të rrethuar me kulla betoni, fle nën hijen e pallateve e gjithë pasuria reale e Tiranës, ajo e paluajtshme, kulturë e cila ka potencialin t’i rikthejë jetën qytetin, atë normalen, pa kaosin dhe zhurmën e betoniereve.

Zhvillimi urbanistik në sytë e ekspertëve

“Ka kaos dhe e shohim me sy. Mungon urbanistika. Qytetin e mban urbanistika, jo arkitektura”, shpjegon Arkitekti Astrit Seranaj.

Ai e sheh nisjen e problemit tek Plani Rregullues, i cili i ka kaluar Bashkisë së Tiranës të drejtën e tjetërsimit të një pjese të madhe të objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore.

Astrit Seranaj – Arkitekt

“Asnjë bllok banimi nuk është me standarde. Nuk kemi asnjë qytet për rrjedhojë”, shpjegon Seranaj duke shtuar se plani i përgjithshëm vendor i jep të drejtë planeve të pjesshme vendore të ndërtojnë kudo. “Nuk kemi gjurmë objektesh se si do të ndërtohet objekti, por kemi parcelizime mbi të cilat jepen vetëm dy kritere; koeficienti I ndërtimit në këtë zonë është kaq dhe lartësia është kaq”, shton Seranaj.

Ndërsa historiani Auron Tare e vë theksin në intensitetin e tjetërsimit, i cili lehtësohet nga procedurat e përshpejtuara: “Heqja e godinave me status monument kulture në fakt, duhet të shoqërohet me një procedurë të gjatë dhe strikte. Situatra tregon qartësisht që gjithccka është bërë për përfitime të mëdha të të gjithë palëve të interesuara. Sigurisht, Tirana ka humbur dhe po humbet me ritme shumë të shpejta identitetin e saj”.

Ana Gjymshana – Urbaniste

Urbanistja Ana Gjysmhana argumenton se qiellgërvishtësit duhet të respektojnë historinë e jo t’i mbivendosen asaj: “Ndërtimet po ngrihen si kërpudha, godina familjare që shemben, autoktoni që nuk po ruhet.” Gjymshana shton se infrastruktura e Tiranës lejon ndërtimin e ri, por të pozicionuar në një zonë të re.

Ndërsa sipas urbanistit Gent Kaprata fenomeni i ndërtimit në Tiranë i ngjan një kopje stilistike të ndërtesave në vendet ekonomikisht të fuqishme, të cilat zakonisht refuzohen nga qytetarët.  “Po ta shikoni, në shumë qytete perëndimore, ndërtesat me stile të reja, të panjohura për qytetarët, vendosen të larguara nga ‘guacka’ ekzistuese e atij qyteti. Që do të thotë, se në qytete të tjera, ku qytetarët janë qytetarë dhe jo banorë si në Tiranë, arkitektët nuk do ta bënin këtë gabim fatal”.

Gent Kaprata – Urbanist

Ai shton se densifikimi i zonave të vjetra në qendër të Tiranës, po vjen i pa shoqëruar me investime infrastrukturore: “Shtimi i banorëve të rinj në këto njësi të vjetra urbane të qytetit sjell një densitet më të lartë të banorëve në njësinë e sipërfaqes dhe intensitet shumë më të lartë ndërtimi në këto njësi banimi. Çfarë prish të gjitha raportet midis numrit të banorëve dhe treguesve të infrastrukturave që do tu shërbenin këtyre banorëve.  Ndërkohë, investimet në infrastrukturë këto 30 vite, pa hyrë fare në aspektin e korrupsionit të lartë që e ka shoqëruar këtë proces zhvillimor, janë plotësisht inefektive.”

Si shkatërrohen vilat monument kulture dhe ndërtohen objekte shumëkatëshe

Tirana e fotografuar nga ajri. Foto: Isa Myzyraj

Tirana ka filluar ndërtimin e objekteve që konsiderohen të reja në fund të viteve 90-të për të kulmuar në dy periudha: viti 2006-2007 dhe 2018-2020. Të dyja këto periudha, përkojnë me vite elektorale ku sipas ekspertëve janë periudhat më të mira për pastrimin e parave. Po ashtu të dhënat nga institucionet përgjegjëse tregojnë se ndërtimi është sektori më informal i ekonomisë në vend dhe më i preferuari për pastrimin e parave.

Një raport i 2020 nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar që analizon flukset e paligjshme financiare  në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut citon se rreth 500 milion € u pastruan përmes sektorit të pasurive të patundshme në Shqipëri vetëm në 2019.

Ndërtimet e reja nuk janë të lidhura me kërkesën për strehim, (të paktën 5000 apartamente ishin stok në 2019 sipas shoqatës së ndërtueseve). Në Tiranë po ndërtohet disa fish më shumë se sa ka kërkesë për strehim, duke qenë se popullsia është tkurrur dhe emigrimi 5 vitet e fundit (gati 500 mijë banorë kanë emigruar) ka luajtur një rol të madh në uljen e numrit të popullsisë në vend. Ndërtimi i objekteve për strehim po rrit stokun e banesave bosh, duke krijuar efektin ‘ghost town’, ku resurset natyrale janë ezauruar dhe ka ngelur vetëm betoni dhe asfalti.

Harta e vilave të Tiranës – Citizens Urban Stories

Zona e Tiranës së vjetër ajo banesave tradicionale dhe vilave urbane, ka vlerën më të lartë të shitjes së pronës në qytet, duke e kthyer parcelën e godinës monument kulture, në një ‘minierë ari’ për firmat e ndërtimit. Kështu e vetmja ‘pengesë’ reale, është pronari i vilës, i cili i gjendur me një pasuri të trashëguar 100 vjeçare, të shpallur monument kulture, në një ekonomi të pa stabilizuar, bie pre e këtij spekulimi që është krijuar me territorin

“Kjo ka ndodhur tek rruga e ambasadave, pazari i Ri, Rruga e Kavajës, gjithandej. Degradimi i institucioneve ka sjellë në këtë situatë. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryejnë krimin, e lënë objektin të degradojë, japin leje,  në shumicën e rasteve, pronarët legjitim janë ata që e kërkojnë vetë këtë gjë.

Rruga Kont Urani Tiranë

Arkitekti Seranaj shpjegon arsyet pse sipas tij, statusi monument është kthyer në një “barrë” për pronarët:  “Ata vetë nuk duan që objekti i tyre të jetë Monument Kulture. Sepse kanë humbje. Duke e mbajtur në status monument kulture, grabitqarët I bëjnë presion tua marrin më lirë dhe garantojnë që nga monument e heq unë, ti si pronar thua e gjeta shpëtimin dhe e japin me koeficient të ulët edhe se objektet e tjera sepse ato kanë konkurrencë, kurse tek këto shkon I qartë vetëm ai që ka lidhje për të hequr statusin pa asnjë vlerësim dhe nga ana tjetër I është hapur rruga ndërtimit të objekteve me shumë kate.”

Ai zbulon edhe një detaj tjetër që ia faturon shtetit: “Përveç të tjerash në 2015-ën Instituti i Monumenteve të Kulturës e rriti listën e objekteve duke shpallur në mbrojtje paraprake, faza e parë para se të merret kategoria, është e detyruar të merret brenda 6 muajve. Por kjo nuk ka ndodhur; as me Teatrin Kombëtar.”

Numri i lejeve të ndërtimit, referuar të dhënave të INSTAT është shumëfishuar vitet e fundit. Vetëm në tre-mujorin e katërt të vitit 2020 u miratuan 306 leje ndërtimi, shifër që është 36% më e lartë se të gjitha lejet e miratura në 12 muajt  e vitit 2017.

Megjithëse një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 17 vite për të blerë një apartament modest, e aktualisht për shkak të ekonomisë së dobët nuk ka kërkesë të bollshme për blerje apartamentesh, lejet e ndërtimit vijojnë të jepen me shumicë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *