Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Lapsi.al fiton në SPAK, gjykata shfuqizon vendimin për sekuestro të serverëve

Gjykata e Apelit në SPAK ka shfuqizuar vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e serverit, telefonave dhe kompjuterëve të gazetarëve të medias online “lapsi.al”. Ky vendim vjen dy javë pas atij të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Gjykata vendosi t’i tregojë Qeverisë së Shqipërisë, nën Rregullin 39, se autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit nr. 131, dt. 18 prill të Gjykatës së Shkallës të Parë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për sekuestrimin e pajisjeve që shërbejnë për ruajtjen e të dhënave dhe informacioneve, kompjuterët apo pajisjet e tjera elektronike që i përkasin aplikantit”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

Më 11 prill 2021 Lapsi.al bëri publike ekzistencën e një database të zotëruar nga Partia Socialiste ku ndodheshin të dhënat personale të 910 mijë votuesve në Tiranë, mes tyre edhe preferencat politike.

Mbledhja e të dhënave personale u konsiderua nga organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut si e paligjshme, ndërsa ngritën shqetësim për cenim të privatësisë dhe fshehtësisë së votës.

Pas publikimit të Lapsi.al, gjyqtarja Iliriana Olldashi miratoi kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të sekuestruar pajisjet e punës, kompjuterët, serverët dhe celularët e medias.

Adresimi i kësaj çështjeje nga Lapsi.al drejt Gjykatës Evropiane solli reagimin e menjëhershëm të saj, pasi sekuestrimi i materialeve është konsideruar me rrezik të lartë, u shpreh pak kohë më parë për Citizens Channel, avokati Dorian Matlija.

Në rastin tonë u quajt ekstrem fakti që një gjykatë vendase, vendos të sekuestrojë të gjitha materialet që ka një gazetë, duke rrezikuar burimin e gazetarit, sekretet profesionale që ka gazetari, duke rrezikuar edhe jetën private të gazetarit”.

Reagimet për sekuestrimin e serverit të Lapsi.al erdhën edhe nga organizatat ndërkombëtare që punojnë për të drejtat e gazetarëve.

“Autoritetet shqiptare duhet të heqin dorë menjëherë nga hetimi për Lapsi.al dhe të sigurojnë që të gjithë gazetarët mund të mbrojnë burimet e tyre konfidenciale”, -u shpreh Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me qendër në Nju Jork.

Gulnoza Said, koordinatore e programit të CPJ për Evropën dhe Azinë Qendrore, në Nju Jork theksoi se është me rëndësi jetike që gazetarët të jenë në gjendje të mbrojnë burimet e tyre konfidenciale dhe autoritetet shqiptare duhet të respektojnë këtë shtyllë të një shtypi të lirë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *