Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shënim: “Rruga drejt emancipimit është e larë me gjakun e grave”

Në natën e ndërrimit të viteve, pas një viti të pazakonte pandemie, qytetarët e Tiranës dëgjuan edhe një herë për një skenë të përsëritur ndër vite: dy gra mbetën të vrara nga partneri i cili refuzoi ndarjen nga njëra prej viktimave. Skena ndodhi në praninë e një fëmije të mitur.

Viktimat quheshin Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, dy motra që u ekzekutuan me breshëri plumbash nga Përparim Tela.

Dje, një tjetër burrë shqiptar i mori jetën ish-gruas së tij, në mes të ditës. Ajo quhej Liljana Buzo. Liljana – raportojnë mediat, tentoi të fshihej në Tiranë, duke mohuar edhe gjeneralitetet e saj por sërish nuk arriti të shpëtonte. Koço Buzo, me të cilin ajo kishte nisur procedurat e divorcit, e priste jashtë gjykatës së Elbasanit dhe e vrau me kallashnikov.

Ai qëlloi disa herë mbi trupin e saj dhe aksidentalisht plagosi dy persona të tjera, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, informon Policia e Shtetit.

Emri i Liljanës më kujton një tjetër grua që nuk jeton më. Në vitin 2016, një tjetër Liljanë gjeti vdekjen nga duart e bashkëshortit, e hedhur nga dritarja e tualetit të katit të katërt. Ajo ndante hapësirën e shtëpisë me Ferdinand Rukon, edhe pse kishte urdhër mbrojtjeje nga gjykata.

Ndërkohë që vitet ndërrojnë numra, vrasjet e grave kthehen sërish në statistikë. 2021 mban bilancin e gjashtë grave te vrara.

Zhaneta Metani, Kristina Bardhi, Liljana Buzo, Dorina Alla, Fëllënza Shirja dhe Irvana Hyka u vranë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre.

Grupimi feminist në Tiranë, pas vrasjes së Irvana Hykës me 31 goditje thike nga bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj në muajin mars të këtij viti, shtatzënë me fëmijën e tretë, organizoi një manifestim simbolik përballë Kryeministrisë, teksa mbanin në duar pankartat “Asnjë grua tjetër”.

Dhuna nuk është çështje private

Vrasja e grave nuk është fenomen sporadik. Statistikat e vitit 2020 tregojnë një bilanc prej shtatë vrasjesh në familje, gjashtë prej të cilave ishin gra.

Gjatë vitit të shkuar, Policia e Shtetit ka evidentuar 4701 raste të dhunës në familje, ku 3497 të dëmtuar janë vajza dhe gra. Pavarësisht marrjes së urdhrit të mbrojtjes, policia informon se është shkelur masa në 138 raste.

Viti 2019 po ashtu hyri përgjakshëm, teksa në vetëm katër muajt e parë të atij viti u shënuan tetë viktima gra. Në 2018-tën ishin 16 vajza dhe gra të vrara.

Pavarësisht kambanave të shumta të alarmit dhe vrasjeve makabre, komuniteti në të shumtat e rasteve deklaron se nuk ishte në dijeni të dinamikës së marrëdhënieve në familje dhe “se ishin çift i rregullt”.

Duke i konsideruar si çështje private, komuniteti tenton të mënjanohet edhe pse në të shumtat e rasteve është dëshmitar i dhunës në marrëdhëniet familjare.

Në apatinë e përgjithshme, janë dhe faktorë të tjerë që ndikojë, siç është në shumë raste fajësimi i viktimës, besimi se “askush nuk të rreh kot” ose “kush të rreh të do”, se familja është e shenjtë dhe askush i jashtëm nuk duhet të ndërhyjë. Të tjerë faktorë lidhen me mosbesimin te organet e drejtësisë.

Ligji “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”

Ligji i cili adresoi për herë të parë dhunën në familja në tërësinë e plotë të saj u krijua në vitin 2006.

Për masat ndaj dhunës në marrëdhënie familjare” formësoi një bazë ligjore duke krijuar mekanizmin e urdhrit të mbrojtjes dhe atë të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Në vitin 2018, ky ligj pësoi disa ndryshime dhe u shtua një mekanizëm i ri, “Urdhri i për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme”.

Ky urdhër lëshohet për 48 orë nga policia dhe në rast se agresori shkel udhëzimet e policisë ai dënohet sepse ka shkelur ligjin.

Konceptet e tjera:

  1. Urdhri i menjëhershëm plotësohet nga Policia, lëshohet nga Gjykata dhe zgjat 20 ditë, deri në vendimin përfundimtar për ta zgjatur më tej ose për ta pushuar atë. Risia konsiston në dhënien e një ndihmese financiare prej 3000 lekësh për viktimën e cila ka marrë këtë urdhër.
  2. Pas 20 ditësh, nëse kjo masë mbrojtëse zgjatet, bëhet urdhër mbrojtjeje dhe mund të shkojë deri në 1 vit. Gjatë kësaj kohe, viktimës i garantohet çdo muaj mbrojtja ligjore dhe ndihmesa monetare prej 3000 lekësh në muaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *