Autor: Arlis Alikaj | Citizens Channel | Librazhd

Në prill të 2021, banorët e 10-fshatrave të krahinës së Çermenikës së bashku me disa prej kryepleqve u mblodhën në fshatin Marinaj të Librazhdit për të protestuar pasojat e ndërtimit të hidrocentraleve në zonë.

Në mullirin që bluajmë grurin dhe misrin mungon uji, na kanë hequr bukën e gojës. Këtu kanë bluar prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit tanë. Ka vlera shpirtërore e kulutore për ne. Kurrë nuk ia kanë hequr kurrë ujin këtij mulliri deri më sot!’’, tregon Nazmi Kurti, mullixhi prej brezash në zonën e Çermenikës.

Nazmi Kurti, mullixhi nga Çermenika

Stina e verës është shumë afër dhe kjo do të thotë thatësirë për bujqit e fshatrave Gurakuq, Rinas, Ballgjin, Floq, Orenjë, Zdranjsh, Kuturman, Marinaj dhe deri atë të Shmil të Elbasanit që e përdorin këtë mulli. Madje edhe nga Librazhdi ka shumë qytetarë, të cilët e përgatisin bukën vetë e që u drejtohen mullinjve si mënyrë më ekonomike. Duket se këtë herë për shkak të ndërtimit të HEC-eve në Çermenikë dhe përreth, sigurimi i bukës do të jetë një sfidë.

Librazhdi dhe fshatrat përreth kanë shumë pak për të mos thënë aspak mundësi punësimi. Të vetmet mundësi për të gjeneruar para dhe përkrahur familjet e tyre nga fshatarët është bujqësia, e cila është e lidhur ngushtë me ujin. Librazhdi është qyteti që administron parkun kombëtar Shebenik Jabllanicë, dhe HEC-et rrezikojnë shumë parkun dhe popullatën e tij.

Monitorimi i fundit i kryer nga ambientalistët tregon se numri i HEC-eve është më i madh se ai i burimeve ujore dhe jashtë kapaciteteve për t’u përballuar. Një raportim i nismës ‘Vëzhguesi Rural’ në vitin 2019, tregoi se në zonë kishte rreth 130 kontrata koncensionare për hidrocentrale, të kryera shpesh pa konsultim me publikun apo në fshehtësi të plotë.

Avniu, një banor i Çermenikës thotë se nuk mbetur përrua pa u zaptuar. ”Na ka ngel vetëm çekiçi të bluajmë miellin tani. O të na marrin shpirtin dhe neve, o të na hapin mullirin siç ka qënë më përpara. Uji për ne është shumë i rëndësishëm”, thotë ai.

Kujtimi gjatë protesës të zhvilluar në prill, me thasët e miellit të pa bluar

Kujtimi, një tjetër banor i zonës, tregon se për të gjithë zonën e Çermenikës, mulliri është baza e jetesës. Puset dhe kanalet vaditëse që ai ka, janë tharë si pasojë e HEC-it. Ai shton se fëmijët e tij janë të pashpresë dhe se kjo situatë ka ngjallur pesimizëm në zonë për tu larguar e lënë fshatin.

Zanafilla e problemit, ‘Ndryshe u tha, ndryshe u bë’

Nazmi Kurti, mullixhiu më i vjetër i zones, ka dy mullinj që i shërbejnë një komuniteti të gjërë. Prej më shumë se 3 muajsh mullinjtë nuk kanë qenë në gjendje pune duke bllokuar 10 fshatra të zonës dhe qytetin e Librazhdit që bluan aty.

Mulli me ujë në zonën e Cermenikës

Ai tregon se është devijuar nga ajo çfarë u tha paraprakisht dhe ndërtuesit e Hec-it, por dhe pushteti nuk e mbajtën fjalën.

Përpara 2 vjetësh filluan të bëheshin hidrocentralet. Përfaqësues nga koncesionari erdhën dhe më thanë që ti nuk do kesh probleme. Ujin do ta sjellim ne tek tuba kryesore që të mos përdorësh më kanal dhe do ta sjellim me komandim që kur të kesh nevojë ta përdorësh, kur të mos kesh nevojë ta mbyllësh. Pas 4 muajsh pasi më thanë këtë gjë, ma kthyen dhe më thanë se do ta bëjmë me çimento dhe me digë”, tregon ai.

Ai shton se tek diga e ndërtuar ka vetëm 46 centimetra rrjedhë uji për mjedisin, ndërsa te mullinjtë e tij uji vjen i pa mjaftueshëm: “Ndonjëherë thahet rrugës dhe ata kanë abuzuar me punimet. Kanë kthyer rrjedhën e ujit duke nxjerrë mullinjtë e mi jashtë loje. Këta janë mullinjtë e vetëm për gjithë këto fshatra. Na kanë prerë ujin, na kanë prerë bukën e gojës”.

HEC-i që po lë mullinjtë pa ujin e mjaftueshëm për t’u bluar ndodhet në Çermenikë të Librazhdit. Banorët janë hedhur në protestë qysh në fillimin e ndërtimit të këtij Heci, 2 vite më parë ku thonin se po dëmton ekosistemin e zonës dhe se ky HEC ishte bërë pa konsultime publike.

Shoqata lokale mjedisore apo dhe institucione vendore janë shprehur të pafuqishme kundrejt fshehtësisë së ndërtimit të HEC Cermenika nga B&K IMPORT INC.

I njëjti shqetësim është ngritur dhe nga misioni i OSBE në Shqipëri, përmes Grupit Këshillimore të Shoqërisë Civile Kundër Krimit Mjedisor. Gjatë një takimi në mars të këtij viti, ky grup adresoi problemin e fshehtësisë së kontratave koncensionare, ku mungojnë vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe transparenca e procedurës.

Banorët ‘ping-pong’ pa zgjidhje nga institucionet vendore

Hajri Gjura nga fshati Orenjë thotë se pjesëtarë nga komuniteti i janë drejtuar bashkisë Librazhd, por pa përgjigje për problemet e tyre.

‘Nuk kemi ku t’i japim ujë për të pirë bagëtive. Ne nuk jemi as problematikë si fshatarë, nuk kemi bllokuar as rrugë dhe asgjë’.

Një tjetër fshatar nga fshati Kuturman i mbledhur në protesë tha se problemet e fshatarëve filluan me ndërtimin e Heceve. ‘Nuk kemi kanale vaditëse, shton më tej një zëri gjatë protestës disa fshatarë. Sipas njërit prej banorëve u investua dhe 300 milionë lekë të predispozuar për rehabilitimin e infrastrukturës nga Bashkia Librazhd dikur. ‘Kjo ishte vetëm në shërbim të centralit. U tha komplet një fshat. Fshatarë jemi dhe e blejmë misrin. Madje po fillojnë nga puna dhe centrale të tjera”, përfundoi banori.

Citizens Channel u interesua në bashkinë Librazhd ku na u tha se këto leje janë në diskordancë pushtetesh dhe janë dhënë përpara vitit 2013, si dhe kontrolli zbatimit të lejeve nga HEC-et nuk është kompetencë e bashkisë por e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT.

Organizatat Mjedisore, ndërtimi hidrocentraleve pa studiuar pasojat e së ardhmes

Harta e malësisë së Cermenikës

Eksperti mjedisit nga Klubi Ekologjik Elbasan, Ahmet Mehmeti tha se këto janë veprime flagrante nga njerëz që nuk njohin ligjet mjedisore dhe shkatërrojnë të ardhmen e gjithë Shqipërisë.

“Pasojat ekonomike të këtyre Heceve për komunitetin vendas janë të pakthyeshme. Bëhet fjalë për ndërtime hidro-energjitike që në plan të parë tregon se është energji e pastër dhe në rrugë të mbarë. Pra, po ndërtohen hidrocentrale në vende që plotësojnë kushtet dhe kanë të ardhura. Mirëpo gjithmonë kur ndërtohen një hidrocentral duhen pasur parasysh dhe pasojat shoqërore, ekonomike, kulturore e traditore të veprës në komunitetin ku po ndërtohet. Këto HEC-e nuk janë konusltuar e publiku nuk është pyetur“, thotë Ahmeti.

Ahmet Mehmeti – Ekspert Mjedisor

Gjithashtu Enxhi Albrahimi, inxhiniere mjedisi nga Qendra Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, organizatë mjedisore në Librazhd, shton se më përpara flitej për dëmtimin e florës dhe faunës, por tani po dëmtohen njerëzit dhe jetesa e tyre. Ndërsa Leonard Alliu, aktivist mjedisor tek Nisma Për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin, shton se megjithëse janë bërë forume dhe aktivitete lobuese kur vjen puna tek bërja e parave askush nuk të pyet. Shumë të rinj studentë, duan të largohen nga këto fshatra dhe mos të kthehen më. Por puna është se nuk kanë ku të shkojnë pasi duket sikur tradhëtojnë traditat dhe nuk e braktisin dot familjen e tyre, tha Leonardi.

Kontratat koncensionare të Hidrocentraleve iu nënshtruan një procesi skanimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE). MIE skanoi 54 kontrata duke revokuar 8 prej tyre, ndërsa nuk ka bërë publike emrat e kompanive të përfshira me arsyetimin se kërkon të shmangë cenimin e reputacionit të tyre.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu