Shfaqja e video-dokumentarit "Zëra nga lumi"

Në mjediset e qendrës komunitare të grupit ATA në Kamëz, u shfaq dje video – dokumentari “Zëra nga lumi”, i realizuar nga Lorin Terezi. Ky dokumentar risolli rezistencën tre-vjeçare të komuniteti të Zall-Gjoçajt, Mat në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë nga hidrocentralet.

Dhjetëra aktivistë ndoqën në ekranin e madh protestat dhe betejën ligjore të banorëve të Zall Gjoçajt.

Lorin Terezi e ndoqi punimit e tij bashkë me aktivistët. Ai u shpreh se ndjehej si nxënës në pritje të vlerësimit të individëve që gjenin veten në dokumentar, herë me megafon e herë me flamurin kombëtar në duar.

Figura e tyre, me këmbënguljen për të drejtën që i takon, i ka lartësuar ata kundrejt meje dhe mendimi i tyre vlen tek mua më shumë se i çdo profesionisti”, – tha Terezi për Citizens Channel.

Lorin Terezi, autori i video-dokumentarit “Zëra nga lumi”

Ai e konsideron ‘Zëra nga lumi’ si një ndër punimet më me vlerë që ka realizuar.

Teksa dokumentari vazhdimisht harmonizohej me duartrokitjet e të pranishmëve, në ekran shfaqeshin momente të përplasjes me policinë apo pritjet e gjata para dyerve të gjykatës.

Pas mbarimit të tij, fjala iu la të pranishmëve.

Unë vij nga një histori tjetër HEC-esh, nga Gur-Lura por jam mbesa juaj, jam mbesë në Gjoçaj. Të mbrosh shpinë, të mbrosh rrënjët tuaja… unë besoj se është protesta më domethënëse”, – rrëfeu e emocionuar Shyqyrie Murati.

Shyqyria pohon se duhet edukuar familja, komshinjtë, kolegët e punës – e gjithë shoqëria rreth kauzave në mbrojtje të natyrës, çka çon në përulje të qeverisë ndaj komunitetit dhe jo anasjelltas.

Në qoftë se ne jemi të edukuar atëherë detyrimisht ne do të ndërrojmë edhe qeveritë, edhe pushtetin, sa herë që na prekin liritë dhe të drejtat tona”, – mbylli Murati fjalën e saj.

Është e sigurte, çështja në mos në gjykatat shqiptare, në gjykatat ndërkombëtare fitohet sepse e drejta është me komunitetin”, – u shpreh pas Muratit eksperti pyjor Abdulla Diku, teksa inkurajoi banorët ta vijonin rezistencën.

Jeni zona që ka sakrifikuar më shumë, duke marrë pjesë në protesta dhe aktivitete, por ka për të dalë mirë për ju dhe ka për të dalë mirë edhe për shumë e shumë komunitete të tjera që zëri i tyre është mbytur o me korrupsion, o me përçarje”, – përmbylli Diku.

Ambientalisti Sazan Guri komentoi se është besimplotë që kauza e banorëve të Zall-Gjoçaj mund të shërbejë si lokomotivë për komunitetet e tjera që preken nga projektet hidro-energjitike.

Duhet që çdo qelizë, te secili prej nesh, të reflektojë besim që kjo kauzë do fitohet“, – tha Guri.

Gjokola, nga fshati Gjoçaj, nuk ka munguar në asnjë protestë në terren. Ai shprehet se rezistenca nuk ka për t’u ndalur.

Pas tij komentoi Abdi Toçi, 75-vjeçari nga fshati Urxallë, i cili përforcoi fjalët e aktivistëve më sipër.

Uji i Zall-Gjoçaj nuk është lavatriçe e parave të pista por është uji për ta pi e për t’u la populli me të”, – tha Toçi.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu