Aksion me graffiti përballë Ministrisë së Arsimit/Foto: Entenela Ndrevataj

Edukatë seksuale në shkolla tani” ishte banderola që u shpalos sot në mjediset e hotel “Plazza”, teksa përfaqësues të Ministrisë së Arsimit zhvillonin konsultim me shoqërinë civile për “Draft-strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026“.

Klaudina Kuçi mori fjalën pasi përfaqësues të Ministrisë së Arsimit përfunduan së prezantuari arritjet që lanë pas dhe synimet për pesë vitet e ardhshme, teksa Nebih Bushaj shpalosi banderolën.

Shpalosja e banderolës “Edukatë seksuale në shkolla tani” gjatë konsultimeve për “Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2016”

Ju folët dhe ne në asnjë moment nuk ju dëgjuam të ceknit rastet e fundit të përdhunimeve. Dje në fakt ishte 1 Qershori dhe vajzat që janë përdhunuar së fundmi ishin fëmijë. Ju si përfaqësues të arsimit keni për detyrë që shkollat t’i keni vatra të sigurisë”, – tha gjatë fjalës së saj Kuçi.

Aktivistët kërkuan angazhim institucional në parandalimin e dhunës të të gjitha formave, përfshirë atë seksuale.

Klaudina Kuçi, aktiviste

Ky aksion u parapri nga veprimtaria e djeshme me grafiti ne muret e Ministrisë së Arsimit nga aktivistet feministe, ku përmes një komunikate të shpërndarë sot në rrjete sociale, nga ky institucion kërkohet:

  1. Përfshirja e Edukatës Seksuale në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, të reformuar sipas standardeve feministe gjinore dhe të udhëhequr nga eksperte/ë të fushës së Çështjeve Gjinore;
  2. Çelja e departamentit të Studimeve Gjinore në universitetet publike, duke nisur me Universitetin e Tiranës, përkatësisht, Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë;
  3. Shndërrimi i mjedisit të shkollës në një hapësirë të sigurtë për fëmijët, sidomos vajzat, gratë dhe individët LGBTQ+;
  4. Ulja e tarifave në universitet e kësisoj, lehtësimin e qasjes në ndjekje të edukimit veçanërisht, vajzave dhe grave.

Çështjet gjinore në “Draft-strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026″.

Drafti i publikuar në faqen e Ministrisë së Arsimit tregon se ka pabarazi të theksuar mes djemve dhe vajzave sa i përket ndjekjes së arsimit parauniversitar.

“Pjesëmarrja bruto e djemve është 99.3%, ndërsa e vajzave 91.7%”, shkuhet në draft-strategjinë.

Ministria e Arsimit parashikon hartimin e kurrikualave/orëve mësimore të edukimit gjinor, por nuk specifikohet në cilin cikël të edukimit do të përfshihen ato.

Nxënësit do të marrin informacion mbi barazinë gjinore, stereotipat gjinorë, dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje nëpërmjet kurrikulës/orëve mësimore”, shtjellohet në draft-strategjinë.

Sa i përket dhunës me bazë gjinore, institucioni arsimor parashikon zhvillimin e trajnimeve për mësues, drejtues të shkollave, punonjësve sociale/psikologëve të shkollave dhe autorëve të teksteve mbi tematikat gjinore për të zvogëluar diskriminimin dhe ulur dhunën me bazë gjinore.

Një psikolog për 700 nxënës

Në vitin shkollor 2018/19 në shkollat shqiptare punonin 577 psikologë dhe punonjës socialë, informon Ministria e Arsimit.

Drafti i shtruar sot për konsultim pohon se gjatë pesë viteve të ardhshme do të ketë një punonjës social/psikolog për 700 nxënës, dy punonjës socialë/psikologë për shkollat mbi 700 nxënës.

Në rastet kur një shkollë ka më pak se 500 nxënës, drafti parashikon punësimin e një punonjësi social/psikologu që do të mbulojë disa shkolla.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu