Foto Ilustrim nga Xhemali Moku

“Më pikon zemra, nga ballkoni im shihja Dajtin, e admiroja me ëndje atë mal, tani pothuajse është e pamundur”, tregon për Citizens Channel fotografi Aurel Duka.

Aurel Duka, Fotograf

Pandemia u bë shkak që Aureli ta kishte të pamundur të kthehej në Shqipëri për më shumë se një vit, duke qënë se prej kohësh jeton midis Italisë dhe Amerikës. Ndërtimet që kanë transformuar Tiranën dhe ndryshimi i vetë lagjes ku banon ai, tek shkolla “E kuqe”, ishin pikënisja e një projekti një mujor që ndërmori ai në terren.

“Mora skuterin, mora dronin dhe ja rezultati në videon e publikuar, 90 godina të reja që janë në ndërtim e sipër vetëm brenda Unazës së vogël në Tiranë”, shprehet Duka.

Ai qartëson se janë 85 godina brenda unazës, por përfshiu edhe 5 të tjera të cilat janë karshi apo ngjitur me Unazën. Harta i referohet vetëm pallateve që po ngrihen momentalisht, pra vetëm ndërtimeve aktive.

Ai shpjegon se filimisht nisi punën me piketimin në hartë, pasi ishte e pamundur të kishte një pamje të qartë nga filmimet e Tiranës me dron, të cilat përngjanin me një katrahurë. Duhet të dalësh patjetër në terren, tregon ai, në çdo rrugicë, në çdo lagje, për të prekur transformimin.

“Unë vetë jetoj në kat të pestë dhe duhet të ngre kokën, më dhemb qafa që të shoh katin e fundit të pallateve që janë ngritur përballë meje”, rrëfen Duka.

Konstatimi më interesant sipas tij ishte se gjatë piketimit në hartë, google maps kishte ende harta të pa përditësuara dhe mund të shikoje se çfarë kishte ekzistuar më përpara në një zonë të caktuar. Vila të vjetra, lulishtet tashmë ekzistojnë vetëm online pasi fizikisht janë zëvëndësuar me godinat shumëkatëshe, të ilustruara në videon e publikuar nga vetë ai.

“Sa herë vendos piketimet shikoj hartat e vjetra, çfarë janë pika lavazhesh apo parkime lagjesh është e garantuar që në një të ardhme të afërt do të shndërrohen në pallate”, vijon Aureli.

Konkretisht fotografi ndjen keqardhje për dy objekte që nuk ekzistojnë më dhe në video identifikohen me numrat 18 dhe 54. Një vilë që gjithmonë kur e shikoja, mendoja “ah sikur të banoja këtu”, më jepte ndjesinë e arkitekturës italiane, tregon ai për njërën nga to.

“Edhe si fotograf që jam, nga pikëpamja artistike mund të them se Tirana po merr një zhvillim të keq, i vetmi kufizim që Bashkia i jep ndërtuesve është që të qëndrojnë në kufi me vijat e rrugës”, thotë ai.

Duka dëshiron të mos e lërë me kaq iniciativën e ndërmarrë, por ta ripërditësojë hartën, për ta vazhduar projektin. Madje fotografi tregon se ka menduar të realizojë të njëjtin produkt edhe në zonën ku banon në SHBA për të paralelizuar ndryshimet dhe stilet arkitekturore.

“Tirana nuk është vetëm unaza e vogël”, përfundon Duka.

Betonizimi dhe pastrimi i parave cënon trashgiminë kulturore

The Economist publikoi para pak ditësh një artikull ku shpjegohej lidhja midis pastrimit të parave të pista dhe lulzimit të kullave në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd.

Në Tiranë po ndërtohet disa fish më shumë se sa ka kërkesë për strehim, duke qenë se popullsia është tkurrur dhe emigrimi 5 vitet e fundit (gati 500 mijë banorë kanë emigruar) ka luajtur një rol të madh në uljen e numrit të popullsisë në vend.

Citizens Channel ka publikuar një cikël investigimesh ku pasqyrohet sesi vilat që mbajnë status monument kulture, kategori e parë apo e dytë po degradohen apo prishen për tu zëvendësuar me pallate shumëkatëshe apo kulla.

Në raportin e “Citizens Urban Stories” nga 60 objektet (vila me status mbrojtje) që u morën në studim vetëm gjysma e tyre janë funksionale, ndërsa 7 vila janë monumente të shembura, 11 monumente të braktisura dhe 7 prej tyre jashtë funksionit.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu