Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Standarde të dyfishta”, Kuvendi largon gazetarët nga aktiviteti i deputetëve

Me një vendim të datës 2 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren për marrëdhënien me median, duke ju mohuar gazetarëve hyrjen në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.

Gazetarët, bashkë me grupin e xhirimit, me hyrjen në fuqi të rregullores së re nuk do të frekuentojnë më ambientet e Kryesisë së Kuvendit apo çdo seancë të komisioneve parlamentare, duke i konsumuar pamjet të servirura vetëm nga transmetimi i vetë kuvendit.

Neni 12 i “Rregullores Për Akreditimin e Masmedies” përcakton se gazetarët do të mund të qëndrojnë në sallën e gazetarëve që ndodhen në katin e parë të godinës dhe në ambientin e caktuar për gazetarët në Sallën e Seancave Plenare, kur ato janë të hapura.

Për gazetaren Esiona Konomi, e cila ka raportuar në vijimësi nga Kuvendi, miratimi i kësaj rregulloreje shmang procesin e llogaridhënies të institucioneve.

Ky është një vendim që i shkon përshtat vetëm politikanëve të cilët duan t’i shmangen procesit të llogaridhënies. Kuvendi vendos që të mos lejojë median të hyjë, të ndjekë ngjarjet dhe t’i dokumentojë ato. Në këtë mënyrë, ky institucion shkon nën shembullin e qeverisë, bashkisë Tiranë, apo edhe partive opozitare, që prodhojnë pamje filmike ku transmetohet ajo që palët duan të shohin në ekran”, -shprehet Konomi për Citizens Channel.

Esiona Konomi, gazetare pranë medias “ABC News”

Sipas gazetares Konomi, mos lejimi i gazetarëve brenda ambienteve te kuvendit dhe në mbledhjet e komisioneve cënon gazetarinë dhe çon në zgjatim të marrëdhënieve publike të institucionit të kuvendit.

Në universitet kam mësuar se “Lajm është vetëm ajo çfarë palët e përfshira nuk duan të thuhet, gjithçka tjetër, është marrëdhënie publike”. Deri përpara pandemisë, ne kemi pasur mundësinë në Kuvend, që duke qenë aty me kamerat tona të gjejmë ministrat, deputetë apo drejtorë institucionesh, të cilëve ju drejtonim pyetje për të cilat ata kishin refuzuar të përgjigjeshin apo nuk donin të prononcoheshim. Nëse ne nuk do ta bëjmë këtë në vazhdim, do të shndërrohemi thjesht në zgjatime të shëmtuara dhe jo profesionale të zyrave të shtypit të aktorëve politikë në vend”.

Për Koloreto Çukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias ky vendim i kuvendit bie ndesh me funksionin e lirisë së informimit dhe demokracisë.

“Mbyllja e gazetarëve në një dhomë që punimet e Kuvendit t’i ndjekin nga TV është qesharake. Qesharake, sepse po të ishte për të ndjekur zhvillimet në TV, mund ta bënin dhe nga kafeneja pa pasur nevojë për “rregullore” nga Kuvendi. Por mediat nuk mund e nuk duhet të bëjnë raportim kafeneje, po duhet të jenë aty ku ngjarja ndodh. Gazetarët janë aty si përfaqësues të publikut, në emër të tonë e për të na informuar ne. Heqja e kësaj lirie është praktikisht heqje e lirisë për informim të publikut. Përndryshe, le ta mbajmë të tërë TV hapur tek ERTV, se nuk kanë ç’na duhet “sy” të tjerë për të marrë vesh të vërtetën”,-argumenton Çukali.

Sipas nenit 17 të rregullores së re të miratuar nga Kuvendi më 2 qershor të këtij viti të vetmet medie që gëzojnë status të veçantë janë Televizioni Publik Shqiptar (RTSH) dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Gazetarët dhe kameramanët e RTSH dhe ATSH mund të lëvizin lirshëm ndryshe nga kolegët e mediave të tjera në galerinë e sipërme të sallës së Seancave Plenare, në lozhat e katit të parë nga ana e jugut, brenda sallës së seancave plenare si dhe në ambientet e caktuara në godinën e Kryesisë së Kuvendit.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias e shikon këtë dallim mes gazetarëve dhe mediave ku punojnë si një formë diskriminimi.

Krijimi i diskriminimit, mes gazetarëve me badge të institucioneve të kontrolluara nga qeveria si RTSH e ATSH (versionet zyrtare të ERTV) dhe të cilët lejohet të kenë akses më të zgjeruar në hapësirat e Kuvendit, me gazetarët të mediave të tjera, është një tjetër dhunim në dëm të lirisë së informimit”, –përfundon Koloreto Çukalli.

Me të njëjtin shqetësim e përcjell vendimin e Kuvendit edhe gazetarja e A2, Arestina Skënderi, e cila raporton për çështjet politike në vend.

“Rregullorja e re për akreditimin e gazetareve mendoj që është një qasje e gabuar ndaj medias së lirë e të pavarur, e cila na çon vite mbrapa në aspektin e të drejtës së informimit dhe transparencës së një organi të rëndësishëm kushtetues siç është kuvendit”-shprehet Skënderi për Citizens Channel.

Ndërsa vë në dukje mungesën e konsultimit publik apo njohjen paraprake të gazetarëve me draft-propozimin.

“Kjo rregullore ka anashkaluar ligjin për konsultimin publik, ku asnjë përfaqësues i medias nuk është njohur me draftin e më pas me vendimin, për më tepër është vendosur nga deputetët që nuk do të jenë në kuvend në legjislaturën e shtatorit. Thirrja ime dhe e kolegëve të tjerë që mbulojnë politikën dhe parlamentin është tërheqja e menjëhershme e këtij akti që e çon lirinë e medias vite mbrapa dhe fillimin e diskutimeve me përfaqësuesit e medias për një rregullore të re transparente dhe gjithëpërfshirëse”,-tha Arestina Skënderi.

Arestina Skënderi, gazetare pranë medias “A2”

Ndryshe nga rregullorja e mëhershme e vitit 2014 ku gazetarët që gëzonin akreditimin nga Kuvendi lejoheshin të lëviznin lirshëm në korridore apo të ndiqnin nga afër punimet e kryera nga komisionet e ngritura pranë Kuvendit, tanimë për çdo pyetje, sipas nenit 29 të rregullores së re, duhet ti drejtohen Zyrës së Shtypit në Kuvend përmes një kërkese ku listohet emri i deputetit që do të intervistohet dhe çështja për të cilën do të pyetet deputeti.

Miratimi i rregullores së re ka sjellë pakënaqësi te gazetarët edhe për vetë faktin se është miratuar nga 10-të anëtarë të Byrosë të Kuvendit të cilët në shtator, kur të fillojë punimet Kuvendi i ri, nuk do të jenë më deputetë.

Instituti i Studimeve Politike: “Rregullorja e re nuk garanton të drejtën e informimit dhe krijon pabarazi midis medias”. 

Lidhur me rregulloren e re për median të miratuar nga Kuvendi, ka reaguar edhe Instituti i Studimeve Politike, i cili e ka konsideruar si cenim të së drejtës së informimit dhe në mbrojtje të interesit të deputetëve dhe jo të publikut.

Mes të tjerash, ISP thekson se rregullorja nuk është konsultuar me grupet e interesit, duke mos qenë gjithëpërfshirës.

“Rregullorja e miratuar rezulton se nuk është konsultuar me grupet e interesit, komuniteti i medias që mbulon Kuvendin rezulton se ka qëndrime kritike, si dhe ISP dhe organizata të tjera të shoqërisë civile nuk janë ftuar për të dhënë opinione konsultative, siç është vepruar e vijon të veprohet me disa akte të tjera rregullatorë apo raportime vjetore më të parëndësishme të Kuvendit”.

ISP i bashkohet thirrjes së gazetarëve për të rishikuar vendimin si dhe të respektohet detyrimi ligjor për konsultimet publike.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *